Bedri Islami
Nuk e di vitin kur e kam parë fillimisht Dritëro Agollin. Vit i largët, në qytetin tim të lindjes, në Shkodër.
Banonim nën një shtëpi, të ndarë përgjysmë, pronë e vllezërve Kecaj, sëbashku me Sadijen, gruan e ardhshme të tij. Befas u hap fjala se ajo ishte fejuar me Dritëro Agollin, poetin të cilin e recitonim në shkollë dhe në shumë raste e dinim përmendësh.
Nuk kisha parë deri asaj dite një poet të gjallë. Do të thotë një poet që kishte filluar të bëhej pjesë shpirti. Deri asaj dite poetët ishin vetëm në faqet e librave, shpesh herë të ngrirë, ndërsa tani, rrugica jonë e vjetër po priste një poet të gjallë.
Në murin e lartë që ndante dy pjesët e mëdha të shtëpisë kisha hipur duke u kacavjerrë me mundim, jo për gjë tjetër, vetëm për të parë se si dukej një poet. Ishte i dobët, më shumë si asket, flokët e ngritur përpjetë, kishte heshtur për shumë kohë dhe kur pranë tij doli nusja, Sadije, vajza më e bukur e disa brezave, ai më është dukur edhe keq. Por sytë i qeshën, shpirti iu hap dhe, ndoshta pa dashje, që asaj dite mora dy mësime: poetët duhet t’i duash edhe duke u kacavarur maje mureve të lartë, por edhe përmes syve të tyre.
Dritëroi tashmë nuk është më. Një lajm që, edhe pse mund të ishte i pritur, përsëri ishte i pabesuar. Dritëroi i madh, një organizëm intelektual, aq i thjeshtë sa kufizohet të pasqyrojë ata që i afrohen. Ai pasqyronte njerëzit që kishte përqark, mëngjesin e zakonshëm dhe aromën e kafesë, tingullin e pakohshëm të vjeshtës dhe merakun për të nesërmen; poezisë së tij i gëzoheshin dhe do i gëzohen njëlloj edhe intelektualët e shquar edhe të zakonshmit njerëzorë, ishte aq i kuptueshëm sa edhe mister, atë mund ta krahasoje edhe me kositësin e barit edhe me mendimtarin e thellë; vendlindja e tij nuk ishte vetëm Menkulasi, por edhe Vermoshi, Saranda, Tropoja.
Është ndër të rrallët njerëz, të cilin, edhe po të ishte kundër tij, nuk mund të ishe i ftohtë. Atë e ndjeje, njëlloj si erërat e vendlindjes; e përkëdhelje poezinë e tij, sepse të kishte përkëdhelur; të krijonte atë gjendje të papërsëritshme dhe fisnike që rrallë herë mund ta gjeje tek dikush tjetër. Si pak kush, nga përvoja e tij e fisme, si njeri, qytetar dhe poet, solli atë figurë të gjallë, veten e tij, ashtu si ishte, pa e zbukuruar asnjë çast, pa e fshehur të vërtetën dhe pa u bërë pishman për jetën e shkuar.
Dritëroin vetëm mund ta duash. Nuk ke rrugë tjetër për të zgjedhur. Është e vetmja. Shkrimtarë të përbotshëm kanë pasur kundërshtitë e tyre, armiqësitë e mëdha, mohimet e pohimet e mëdha. Me Dritëroin ndodh ndryshe; atë vetëm mund ta duash.
E rreptë ka qenë jeta e tij, plot pasione të mëdha dhe mundime të mëdha. Ndoshta është një nga jetët që mund të duket e pabesuar, por është e vërtetë. Një ndër jetët e jetuara maksimalisht, me tërë rreptësinë e bukurinë e saj. Në fakt, ai vetë e gjente jetën. E gjente edhe aty ku të tjerëve nuk u kishte shkuar mendja se mund të ishte, ku ndoshta kishte shterur gjithçka.
Djalë i Rizait dhe i Hatixhesë, ai do të marrë një emër krejt të pazakontë, në të vërtetë një emër parathënës. Ndoshta, askund nuk gjen emër më poetik se sa emri i tij; Dritëro. Do i sjell ndër mend gjithë jetën prindërit e tij, me rregullin që kërkonin, me duart e ashpra dhe ngjyrimin e mallit. Do të sjellë gjërat e kohës së shkuar dhe do të parathotë të nesërmen. Ndoshta, më i kuptueshëm se askush tjetër.
Të kalosh nga bota parajsore e vargjeve të tij në kronikën e ditëve të tij të duhet vetëm një hap. Një hap i vockël, krejt i zakonshëm, sepse janë të shkrira me njëra tjetrën.
Dritëroi është ndër ato rastet e rralla fatlumë, të cilët fort mirë mund të bëjnë edhe pa mendimin e kritikës, sepse kënaqësia e jashtëzakonshme që na ka dhënë e na jep shoqëria e tij është e papërballueshme dhe e pashlyeshme. Është nga ata raste të veçanta, në të cilën, plugu i artit të tij ka ndeshur gjithnjë në tokën më pjellore të mundshme.
Të gjithë ne kemi humbur në poezitë, satirat, këngët, baladat, tregimet e romanet e Dritëro Agollit. Poezitë e tij sapo nis t’i lexosh fillon e ndjen këngën në vete. Në tregimet e tij kërkon të jesh pjesë, edhe kur ato janë të ndaluara nga shteti, si “Zhurma e erërave të dikurshme“, dhe paradoksi shkon deri aty sa që, edhe pse e di se nuk është normale, përsëri ndjen dhimbsuri për një personazh si Demka; kërkon të futesh në Arkën e djallit, të recitosh, të ngresh këngë, në fund të fundit të gëzohesh bashkë me të.
E gjitha kjo sepse vepra e Dritëroit, duke qenë aq njerëzore, nuk të jep dhimbje, nuk të shpërfytyron, nuk të “gjuan me bukë”, të lë në hapësirën që ai ka krijuar veças për ty, si një gjë e plotpushtetshme.
Kur Dritëroi botoi poezitë e para, të njëkohshme me krijimet fantastike të Ismailit, nga ai gjimnaz i bekuar në Gjirokastër që kishte një herë e një kohë emrin e “Heroit të Popullit”, Asim Zeneli, fillimisht shkrimtarët e një brezi tjetër e panë si një kuriozitet, si një ardhje e rastësishme, që nuk do të mund të thyente kornizat e krijuara. Poetët shkruanin shqip, por jo në gjuhën e nënës. Dritëroi e risolli atë në letërsinë shqipe, bëri të njëjtën gjë si Robert Bernsi në Skocinë e largët. Dritëroi po risillte Naimin dhe, më parë se gjithë të tjerët, këtë e pranuan njerëzit e zakonshëm.
Nuk ka qenë e lehtë jeta e tij, por ka qenë e bukur. Si të thuash, një bukuri e rëndë. Ai vetë e ka bërë më të bukur, sepse edhe kur ishte më e vështirë se gjithçka, ai ndillte rrezen e jetës, në atë mënyrën e tij të veçantë; gjysmë serioz e gjysmë me shaka, duke u tallur me vuajtjen, me vdekjen, me largësinë, me shtetin dhe me diktatin.
Kur botohej në “Hosteni”, pjesë-pjesë, romani i tij i famshëm “Rënia dhe shkëlqimi i shokut Zylo”, ndoshta, vepra më tronditëse satirike kundër regjimit të kohës, të gjithë pritnin se kur do të vijë edhe ora e tij. Askush nuk mund të mendonte se pikërisht në atë kohë, kur liberalizmi po merrte kërbaç dhe koka njerëzish, do të dilte një libër i tillë. Mrekullisht i shkruar, grotesk deri në papërsëritje.
Një herë, një mik i imi i shquar, Fehmi Lladrovci, ndërsa po diskutonim për Dritëroin, dhe ndërhyri në bisedë një i tretë, duke thënë se ai Dritëroi ka qenë komunist, Fehmiu, që më pas do të jetë Hero i Kombit, do të thoshte se “nëse komunistët do të kishin qenë si Dritëroi, komunizmi do të kishte jetuar edhe njëmijë vjet”.
Shembullin e sipërm e solla për të sjellë atë pjesë njerëzore që barte shkrimtari më i kuptuar i kombit. Ndërkohë poeti më i shquar lirik i shekullit të kaluar.
Do të ketë njerëz meskinë që, edhe kësaj dite, duke mërmëritur, do të thonë se ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë – por fat i bardhë që në atë kohë të vështirë ka qenë pikërisht ai. Do të ketë të tjerë që do e përmendin se ka qenë deputet, bile edhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe nuk do e kuptojnë kurrë se vetë regjimi e kishte thirrur për ta patur nën vëzhgimin e tij.
Dritëroi mbeti deri në fund besnik i parimit themelor të jetës së tij: ai ishte i vdekshmi i zakonshëm që njerëzit e bënë të jashtëzakonshëm nga librat e tij, nga dashuria e tij për njerëzit, nga ajo thellësi shpirti që nuk u zbeh kurrë, edhe kur e dinte se çasti kishte ardhur.
Në tetorin e dy viteve të shkuara isha për herë të fundit tek Ai. Sëbashku me ambasadorin e Kosovës, Ramiz Lladrovci, shkuam të rrimë me njeriun që e kishte shkrirë një pjesë të jetës së tij për Kosovën. Një mik i imi, gjatë luftës së Kosovës, kishte bujtur net me radhë, me gjithë familjen e madhe, ku tjetër? Tek Dritëroi. Nuk mund ta merrja me mend se ishte takimi i fundit. Më dhuroi disa nga librat dhe i dhurova librin “Përjetësia e dyfishtë”. Biseduam për Kosovën, për djemtë e nuset, nipat e mbesat, për Moikomin dhe Xhevahirin, për jetën që mund të preket me duar. I lodhur, por jetësor.
Ishim takuar edhe një herë tjetër në tetor, por shumë larg Shqipërisë, në panairin e librit në Frankfurt. Ishte një ditë jashtëzakonisht e shqetësuar nga ngjarjet e luftës në Kosovë, por edhe e shkëlqyer, plot rikthime në kujtesën e viteve.
Tashti nuk është më. Më vjen të besoj se edhe atje lart, ai argëtohet mes yjeve, si një devollit i mirë dhe si dhëndërr Shkodre…..
“Poetët janë si anije të bardha…Vijnë e largohen tej në horizont dhe përsëri shfaqen të bukur dhe të mahnitshëm”. Citimi i sipërm është i Dritëroit. E thënë për një poet të shquar, Robert Bërnsi, të cilin e kishte sjellë në gjuhën shqipe, po aq mrekullisht sa edhe Lasgush Poradeci.
Duket sikur e ka thënë për vete.
Vjenë, 5 shkurt 2017