
Ishte e shumë e vështirë për miqtë e kolegët t’i jipnin lamtumirën e fundit ikonës së kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa e cila u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare .
“Për mu ka qenë një njeri i madh, i madh dhe i madhnueshëm edhe për popullin”, u shpreh Tinka Kurti.
“Çdo komb me një artiste të madhe si Margartia Xhepa ndihet fatlum dhe krenar njëhershëm”, tha Timo Flloko.
“Gjithë rrugëtimi i saj, i adhurueshëm profesional krijoi imazhin e gruas në të gjitha dimensionet”, tha Luzia Xhuvani.
“Një humbje e madhe që na ka lënë të zbrasët, bosh”, shtoi Yllka Mujo.
“Ajo dinte vetëm të shpërndante dashuri. Njeri i madh. Isha i dashuruar që kur e kam parë, i dashuruar edhe sot”, tha Mevlan Shanaj.
Mes lotësh edhe i biri, aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa, flet për nënën e tij dhe se si dëshira e saj nuk shuhej edhe pse mbante peshën e kohës mbi shpinë, për të qenë e angazhuar në kinema.
“Te filmi e kishte prapë diku një dëshirë, një ëndërr prapë se mund të bënte një tjetër. Rëndësi ka mënyra si po respektohet sot nga publiku i filmave, i punëve të saj që ka lënë në ekran dhe në skenë”, u shpreh Ndriçim Xhepa.
Në homazhe nuk munguan as figurat e politikës, dashmirës të artit dhe kulturës që nderuan për të fundit herë, një prej ikonave të skenës dhe kinemas, mes duartrokitjeve të fundit. Homazhe në nder të aktores së mirënjohur u mbajtën edhe në vendlindjen e saj në Lushnjë.
Margarita Xhepa u nda nga jeta më 3 Prill në moshën 91-vjeçare dhe do të prehet në Sharrë.
ObserverKult