Me prezantimin e krijimtarisë së poetes dhe publicistes, Donika Dabishevci, nga Prishtina, përfunduan Takimet e Mbrëmjes të edicionit të XVI-të, të Panairit të Librit, “Prizreni 2024”
Festa e madhe tradicionale i librit, në organizim të OJQ IKS, (Instituti për kulturë dhe kërkime Sociale), edicioni i XVI-të, që filloi me 24 korrik, përfundoi më 28 korrik, në kryeqytetin shpirtëror e kulturor të shqiptarisë në Prizrenin e bukur. Për pesë ditë me radhë, Sheshi i Lidhjes u mrekullua me shtandet e afro 20 Shtëpive Botuese nga gjitha trojet tona, të cilat adhuruesve të librit dhe mysafirëve të shumtë, u ofruan libra dhe botime më të reja të zhanreve të ndryshme të letërsisë.
Ndërkaq, në orët e mbrëmjes në kejin e bukur të Lumbardhit, me flladin e muzgjeve të Prizrenit, para adhuruesve të librit dhe qytetarëve të shumtë të rastit ose qëllimor, nën drejtimin e Ditar Kabashait dhe Osman Gorancit, u mbajtën takimet letrare, me krijues të shquar të penës dhe të shkencës si janë; Adil Olluri (Prishtinë), Roland Spahiu (Prizren), Qerim Lita (Shkup), Merita Kuqi (Durrës), Skënder Zogaj (Fushë Kosovë), Xhevahir Lleshi (Tiranë), Fjolla Spanca (Tiranë), Engin Nojan (Prizren) dhe Donika Dabishevci (Prishtinë).
E veçanta e këtyre Takimeve, ishte nata e tretë më 26 korrik, ku nga organizatori, pastaj prof, dr. Nexhat Çoçaj, Osman Goranci, Agron Gërguri dhe familjarët, u përkujtua gazetari, dramaturgu dhe publicisti Haqif Mulliqi, i cili ndërroi jetën një vjet më parë.
Në fund të theksojmë që organizimin e këtij Panairi tradicinal dhe të mbrëmjeve letrare, edhe sivjet e ndihmuan MKRS-ja dhe Drejtoria për Kuturë, Rini dhe Sport në Prizren.
ObserverKult
Lexo edhe: