Përfundon “Festivali Kombëtar i Teatrit për fëmijë”, shpallen edhe fituesit

Madhështore ka qenë nata finale e “Festivalit Kombëtar të Teatrit për fëmijë 1001 dritaret”, që u organizua për herë të parë në Shqipëri në kalanë e qytetit të Beratit. Ngjarja më e madhe teatrore për fëmijë çeli siparin e saj mbrëmjen e së shtunës dhe për 6 ditë me radhë në skenë u ngjitën trupat teatrale për fëmijë të qyteteve Durrës, Vlorë, Elbasan, Gjirokastër, Korçë dhe Berat, të cilët performuan çdo natë në skenën e Festivalit, që bashkia e Beratit e kishte improvizuar në sheshin “Sallabanda” në lagjen muzeale “Kala”.

Për 6 net me radhë Kalaja e Beratit u pushtua nga atmosfera e jashtëzakonshme festive që u përçua me aq mjeshtëri nga trupat teatrale të fëmijëve të moshave 8-16 vjeç, të cilët performuan pjesë të ndryshme dhe të njohura teatrale shqiptare. Juria prestigjoze, e përbërë nga Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani dhe Rajmonda Bulku vlerësoi me çmimin e parë Trupën Teatrale të Beratit, me komedinë “Pallati 176” dhe me regjinë më të mirë Trupën Teatrale të qytetit të Korçës me shfaqjen “Udhëtim i çuditshëm”.

Çmimi “Onufri” ju dha aktorit nga Durrësi Arjan Plaku dhe vokali më i mirë shkoi për Kejsi Hitaj. Dy aktorët fëmijë më të mirë u cilësuar Denis Bendo dhe Eni Liço, që luajtën rolet e Vanit dhe Lirisë në komedinë “Pallati 176”.

Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo përcolli në përfundim të këtij eventi një falënderim të veçantë për të gjithë fëmijët e qyteteve pjesëmarrëse, që përcollën këtë javë në Berat mesazhin se pas një viti të vështirë, vetëm me pozitivitet dhe çiltërsinë e fëmijëve do të na presin vetëm të mirat.

Ka qenë Zamira Kita ajo që është ngjitur në skenën e festivalit për të tërhequr çmimin e regjisë më të mirë, duke falënderuar bashkinë e qytetit të Beratit për organizmin e këtij festivali dhe jurinë prestigjioze për çmimin./BalkanWeb

LEXO EDHE: Premiera botërore e “Four Pills at Night” në festivalin e Locarnos