Premiera botërore e “Four Pills at Night” në festivalin e Locarnos

“Four Pills at Night”, nga Leart Rama do të ketë premierën botërore në festivalin e kategorisë A, “Locarno Film Festival”.

Kështu ka bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, duke thënë se premiera botërore e filmit do të jepet në Zvicër.

“Me një film për të xhiruar në të ardhmen e afërt, një regjisor zhvillon diçka më shumë sesa një lidhje profesionale me aktorin e tij. Kur ata shkojnë së bashku në një festë të mirë, gjërat marrin një kthesë të papritur. Mashtrim apo e vërtetë, të dy përfundojnë pa përgjigje”, thuhet në përshkrimin e filmit, transmeton ‘cbc.al’.

Në njoftimin e QKK bëhet e ditur se filmi ka të bëjë me dashurinë e pastër.

“Mund të ndodhë midis një djali dhe një vajze, dy vajzave ose dy djemve në çdo pjesë të botës, do të ishte akoma e njëjtë, të ndjehej e njëjtë. Kjo është arsyeja pse ne jemi njerëz”, thuhet tutje në njoftim.

Producente e këtij filmi është Nita Deda, ndërkaq pjesë e kastit janë Redon Kika, Florist Bajgora, Don Shala, Gjeni Basha, Edon Shileku, Dardan Bytyqi, Nita Kaja, Blin Sylejmani.

Filmi kualifikohet si kandidat i Locarno’s për Çmimet Evropiane të Filmit EFA.

LEXO EDHE: “Luaneshat e Kodrës” në konkurrencë për “Camera d’or” në Festivalin e Kanës