Përfundon restaurimi i kapakut të Ungjillit

Ndërhyrjet konservuese dhe restauruese janë pjesë e punës së punonjësve të Muzeut Historik Kombëtar (MHK) në Shqipëri.

MHK së fundmi ka njoftuar se ka përfunduar restaurimi i kapakut të Ungjillit me numër inventari 3883.

“Objekti “Ungjill (Testamenti i Ri)” me nr. inv. 3883 gjendet i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe i përket vitit 1857. Kapaku i tij është punuar nga mjeshtërit e asaj periudhe ku kanë ndërthurur në harmoni perfekte tekstilin dhe metalin. Në qoshet e librit janë skalitur katër ungjillorët”, njofton MHK përmes një njoftimi në Facebook.

Këto lloje objektesh mbartin dëshmi të vlerave shumëshekullore për historinë e popullit shqiptar, veprimtarinë e tyre brenda Perandorisë Osmane, duke çelur dritare njohjeje me krijimtarinë e së shkuarës dhe qytetërimin e trevave të Shqipërisë.

Objekti u zhvendos për në laboratorin e muzeut dhe filloi menjëherë trajtimi në rrugën kimike dhe atë mekanike.

Ndërhyrja konservuese u fokusua në heqjen e pikimeve në copën e tekstilit dhe në pjesët metalike prej argjendi, si dhe heqjen e shtresave të papastërtive (pluhura, blozës dhe tymrave) të grumbulluara ndër vite.

ObserverKult


Lexo edhe:

MBYLLET PËR 4 VITE MUZEU HISTORIK KOMBËTAR

Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllet për 4 vite. Institucioni më i rëndësishëm kulturor dhe një ndër destinacionet kryesore të një turisti që prek Tiranën do të ulë qepenin nga ky 15 mars deri në 15 marsin e vitit 2028.

Në llogarinë zyrtare në Facebook të Muzeut thuhet se arsye për mbylljen është rikonstruksioni.

 ‘Të nderuar drejtues të agjencive turistike, drejtues të tureve kulturore dhe palë të tjera të interesuara, ju bëjmë me dije se: Në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 Mars 2024 deri më datë 15 Mars 2028.’- njofton Muzeu Kombëtar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult