Përkthimi, një prej fushave të panjohura të profesor Rexhep Qosjes

ndodhte rexhep qosja

(Në 87-vjetorin e lindjes)

Shkruajnë: Myrvete&Begzad Baliu

Sot Profesor Rexhep Qosja shënon 86 vjetorin e lindjes. Në këtë ditëlindje të 86-të, miq, studiues, gazetarë dhe të tjerë do të shkruajnë e flasin për Profesor Qosjen: historian i letërsisë, romansier, dramaturg, polemist, kritik, publicist, botues dokumentesh e krijues i tyre, autor i njërit prej monumenteve më të mëdha të kulturës shqiptare, Ditarit në tetë vëllime; por asnjë prej autobiografive të tij, qofshin ato edhe në ditarin e tij, asnjë prej biografive të të tjerëve për veprën shkencore e mendore të tij, nuk e ka thënë dhe nuk presim ta thotë një fjalë për përkthimet e tij, që në të vërtetë nuk janë modeste si vepra dhe nuk janë të pakta si vëllime.

Para se të fillonte të  botonte vëllimet me kritika, studimet dhe trajtesat e tij, e monografitë shkencore, Profesor Qosja ka përkthyer dy vëllime të mëdha në fushë të pedagogjisë, pastaj dy romane dhe një tekst shkollor.

Vepra e parë e përkthyer nga Profesor Qosja është romani i shkrimtarit slloven Tone Seliskar. Poeti, romansieri i prozës së shkurtër, dramaturgu dhe autori i reportazheve e kujtimeve të njohura dhe veprave të shumta për fëmijë dhe të rinj Tone Seliskar (Tone Seliškar, 1900-1969), për romanin Ekuipazhi pa anije  (Posadko brez ladje,1956) kishte fituar çmimin kombëtar.

Megjithëse, fillimisht shihej si përfaqësues i letërsisë sociale, në vitet ’50 ai bëhet përfaqësuesi më karakteristik i eksperimentizmit slloven. Romanin Ekipazhi pa anije Profesor Rexhep Qosja e ka përkthyer së bashku me pedagogun, gjuhëtarin dhe përkthyesin e njohur të kohës Hasan Vokshi, ndërsa është botuar në vitin 1962 nga redaksia e botimeve “Rilindja”, në Prishtinë, f. 252. Vepra është botuar në serinë e letërsisë për fëmijë dhe të rinj.

Vepra e dytë letrare, të cilën e ka përkthyer Profesor Qosja është romani Tmeri i shkrimtarit hungarez Llasllo Nemet (László Németh, 1901-1975).

Nemet ishte eseist, dramaturg dhe përkthyes i shquar i kohës së tij. Megjithëse bëri një jetë prej stomatologu ai asnjëherë nuk u nda nga literatura.

Gjatë gjithë jetës së tij ai ishte jo vetëm shkrimtar po edhe krijues shumë i angazhuar, që e bëri atë një nga krijuesit më me ndikim ndërmjet dy luftërave botërore.

Ai është po ashtu përkthyes i veprave për personalitete të shquara historike me ndikim në jetën e tyre, sikur janë Galileu dhe Gandi, duke pasur njohje të thella për lëvizjet intelektuale të kohës, ai u shqua, kontribuoi edhe në identifikimin e dilemave të botës moderne të popullit hungarez.

Romanin Tmeri (Iszony, 1947), të shkrimtarit hungarez Llasllo Menet, Profesor Qosja e ka përkthyer dhe botuar në vitin 1967 në Shtëpinë botuese “Rilindja” në bibliotekën e letërsisë për të rinj “Agimi”, 362 f.

Romani trajton fatin tragjik të një martese të pasuksesshme, në të cilën gruaja, një personazh shpesh e krahasuar me Ana Kareninën e Tolstoit, bënë shumë përpjekje që të ndahet nga burri duke u sjellë sa më keq dhe duke qëndruar sa më indiferente kundër burrit.

Ndryshe nga ajo, burri i saj e bën të pamundurën që të krijojë situata dhe marrëdhënie të mira, duke përfshirë edhe jetën seksuale. Në rrethana të tilla të një jete dramatike, fërkimesh e mosmarrëveshjesh zhvillohet edhe një përleshje mes tyre, ndërsa burri i sëmurë, mes dhembjesh shpirtërore dhe sëmundjeve prej të cilave vuante, po edhe presionit të gruas me jastëk vdes, sado vdekja e tij nuk mund të konstatohet nëse vjen  nga sëmundja e tij apo ngulfatja e gruas.

Në vitin 1967 Profesor Qosja botoi gjithashtu vëllimin e parë me ese Episode letrare dhe nuk e shohim të ketë përkthyer më vonë vepra të tjera me karakter arsimor apo letrar.  

Pas botimit të përkthimit të romanit të parë Profesor Qosjes, ju besua përkthimi i një vepreje të rëndësishme të kohës, sigurisht në shërbim të studentëve të Shkollës së Lartë Pedagogjike, të hapur në vitin 1958, po edhe studentëve të Fakultetit të Filozofisë (1960)  ajo e pedagogut të lavdishëm ukrainas Anton Semjonoviq Makarenko, (Anton Semyonovich Makarenko, 1888 – 1939), i njohur si një prej pedagogëve dhe teoricienëve më me ndikim në shekullin XX, qoftë në arsimin vendor qoftë në atë ndërkombëtar. Personalitet i përkushtuar ndaj fatit të fëmijëve dhe popullit të tij, i punës sociale me ta, i bindur se njeriu mund të edukohet vetëm prej punës, si dhe një humanist i formatit të nderuar nga bota shkencore, Makarenko e bëri përvojën e tij jetësore përvojë edhe të teorizimeve dhe pikëpamjeve të tij pedagogjike e sociale.

Kemi këtu parasysh veprën e përkthyer nga Profesor Qosja Poema pedagogjike (1932-1935) si dhe veprave të tjera të tij Libri për prindërit (1937), Mësimi për të jetuar (1939) etj.

Veprën Poema pedagogjike Profesor Rexhep Qosjae botoi në redaksinë e botimeve “Rilindja” Prishtinë, 1964, prej 598 f.

 Vepra e dytë e përkthyer, po nga fusha e pedagogjisë është ajo e profesorit Lubomir Kёrneta, Pedagogjia dhe është botuar në Prishtinë, më 1966, f. 438.

Po këtë vit Profesor Qosja përkthen edhe një tekst shkollor në fushë të ekonomisë: Le të thuhet në fund se Profesor Qosja ka përkthyer edhe një tekst shkollor nga fusha e ekonomisë.

Fjala është për tekstin shkollor të autorit Bojan Defrançeski, Puna financiare e sipërmarrjes: për klasën e IV të shkollës ekonomike, Prishtinë, 1964, f. 281.

(Fragmente të një teksti më të gjatë)

25 qershor 2023

ObserverKult


Lexo edhe:

BEGZAD BALIU: UKRAINË

E shkruar më 12 qershor, Ditën e Çlirimit të Kosovës nga Ushtria e UÇK-së dhe e NATO-s)

Fushë e Kosovës e mbjell me grurë
Qenka zgjuar Eni në agun e mëngjesit
T’i mbledh lulëkuqet që kanë nxjerr kokë si flamuj
Para se t’i korrin tanket ruse

Malet e Kosovës me maja si thika të futura në re
Qenka zgjuar Eni në agun e mëngjesit
Të ngre Flamurin e Fitores së UÇK-së në majën më të lartë të saj
Për ty Ukrainë!

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult