Përkujtohet Aleksandër Xhuvani, ekspozitë me botimet dhe studimet e tij

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të një prej figurave më të shquara të kulturës shqiptare, Aleksandër Xhuvani, ka çelur ekspozitën me disa nga botimet dhe studimet e tij më të rëndësishme.

Duke sjellë në vëmendje të publikut kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në fushën e arsimit dhe të gjuhës shqipe.

Kjo ekspozitë sjell nga shkrimet dhe redaktimet e para në revistat shqiptare si: “Albania”, “Shkreptima”, “Kopshti letrar”, etj., deri te veprat shkencore si: “Fillime të pedagogjisë” “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” “Historia e letrësisë greke klasike”, “Studime gjuhësore” etj.

Aleksandër Xhuvani, lindi në Elbasan, ku mori mësimet e para. Studimet e larta filologjike i kreu në Universitetin e Athinës. Punoi në shkollën e parë të mesme kombëtare, në Normalen e Elbasanit, si mësues dhe si drejtor i saj.

Aleksandër Xhuvani ka hartuar një sërë tekstesh shkollore për sintaksën, për historinë e letërsisë shqipe, për letërsinë klasike greke, për stilistikën, për letërsinë arbëreshe, etj. Veprimtaria e tij shkencore u përqendrua në fushën e gjuhësisë: njësimi i gjuhës letrare dhe pastërtia e gjuhës, gramatikë, leksikologji e leksikografi, fjalëformim etj.

Ai qe njohësi më i mirë i visarit leksikor të gjuhës shqipe dhe mblodhi me shumë durim e pasion nga goja e populli shumë fjalë e shprehje.

Në fondet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ruhen me shumë kujdes rreth 50 botime shkencore si dhe një sërë veprash studimore mbi krijimtarinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të kësaj figure të shquar të kulturës kombëtare./Top Channel

LEXO EDHE: Testamenti i Eqrem Çabejt