Migjeni, shkrimtari i njohur i letërsisë shqipe, përkujtohet sot në 112-vjetorin e lindjes. Ai konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.
“Migjeni, ky uragan që tronditi krijimtarinë e viteve ’30 të shek. XX dhe mbeti një zë unik edhe pas shuarjes së tij të shpejtë”, shkroi ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti. Së bashku me datëlindjen e Dritëro Agollit, edhe ky përvjetor i Migjenit, janë arsyet pse tetori është pagëzuar si një muaj i librit dhe leximit.
Migjeni lindi në Shkodër, më 13 tetor 1911, në një familje të varfër qytetare. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, në vitet 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë e tij letrare.
Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik. Atë e indinjonte së tepërmi hendeku i pabarazisë midis klasave. Kjo e shtyu të shkruante për varfërinë e thellë të viteve kur jetoi. Njihen: “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni ?”, etj. Ai i përkrahte idetë revolucionare për të ndryshuar vendin.
Heronjtë e veprave të tij më të mira ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës. Ishin malësorë që qëndronin në zgrip të jetës. Kishte edhe të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë. Aso që ishin flakur jashtë shoqërisë.
Poezia e Migjenit solli në letërsinë shqipe një problematikë të re. Solli jetën e shtresave të varfra të shoqërisë shqiptare. Ai u fokusua në temën e mjerimit e të pasojave të tij morale. Kerkonte ndryshimin, lindjen e një bote tjetër, më të mirë e më të drejtë.
Ndërsa proza rrëfimtare e Migjenit (“Studenti në shtëpi”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”; “Historia e njenës nga ato…”, “Të çelen arkapijat”), megjithëse nuk u botua sa ishte në jetë, ishte shprehje e drejtpërdrejtë e nevojës që ndjente procesi letrar i kohës për të braktisur vizionet romantiko-sentimentaliste dhe idhujt e vjetruar.
Vepra e tij sfidonte në çdo pikëpamje; ajo ishte shprehje e shqetësimeve të mundimshme të jetës shpirtërore shqiptare që ftonin për të përfytyruar një shoqëri njerëzore në të cilën individi, i njohur dhe i kuptuar së fundmi, do të realizohej plotësisht në të gjitha ndërlikimet e tij ekzistenciale.
Migjeni u nda nga jeta në moshë të re, më 26 gusht të motit 1938, i sëmurë prej tuberkulozit.
ObserverKult
Lexo edhe: