Migjeni: Moll’ e ndalueme

migjeni zeneli

Nga Migjeni

Një tridhjetëvjeçar. I papunë. Qëndron përpara reklamave të kinemas’-e ditë pune asht. Phe!- I pshtyhet nga buzët dhe e sjell kryt prej reklama vet. Iu ba se e thret dikush… Por jo. Askush s’e thret. Askush nuk ka nevojë për puntuer. E ky rahat rahat vazhdon punën e përditshme: shikon reklamat e kinemas’. Phe! kta çojnë jetë-thotë, dhe afrohet për studim ma preciz. Asht filmi i përditshëm: një vajzë e bukur, e pranë saj nji djalë i pashëm. Një zili në sy të punëtorit. Një mnijë ndjen për protagonistin. E shikon me sy të keq. Pshtyjnë. Shikon mathen e vet. Nuk din as ai vetë se ç’asht. Inkarnacion i këpucëve; shkarpa. Ulet e njesh shkarpën me spagë dhe tue lëshue nji eeeh!

Merr qëndrimin e drejtë. Hec-nëpër trotuare, u muar vesht. Edhe fare zbath’ mund të heci nëpër trotuare, pse jo!

Lëviz ngadalë, i qetë. Si njeri pa punë. Edhe të tjerët hecin, por jo të qetë-të shqetsuem. Sa mirë asht të jesh i qetë, të hecish ngadalë, si zotni. Por, ç’ka po tham?-A asht mirë të hecish ngadalë e i qetë?…Jo edhe po! Po edhe jo! Si të merret….Për nji zotni asht mirë të heci ngadalë se tretet ushqimi, për nji puntuer nuk asht mirë të heci ngadalë; pse? –E dini. Por puntori ynë po hec gjithnjë ngadalë me komoditet të plotë, i qetë. Nuk po ja le asgja mangut zotnis’. Ç’ti bajsh? Kështu e ka kjo kohë…edhe botë. Dhe po s’deshe të jesh zotni, bahe zotni. Puntori ynë nuk don të jetë zotni, as t’imitojë zotnit’, por koha…Hekë, s’ka qejf! Nuk i pëlqen ky soj zotnillëku. Jo se mërzitet –por… edhe kte e dini.

Tan-tan-tan-tan! Katër orë mbas dreke! Sa mizorisht therin midën e punëtorit! Katër orë tingllojnë nga kumonarja e shejtë dhe ushtojnë në mide të mallkueme të puntorit. Katër! Katër! Katër!
Gjithkund katër! E pse katër? Pse? Pse katër? Grindje. Kaperthini: Diçka si revolucjon. Revolucjon në miniaturë. Gjëmon….topi… Jo-midja nga uria.

Vazhdon puntori ynë t’u bije pash më pash rrugavet të qytetit. Kërkon punë. Si kolegët e tij në Berlin e në London. Askund një karrocë e ngarkueme që ta zhgarkojë ai. Askund udhtar me valixhe në dorë, që t’u ndihmojë. Askund! Askund! S’e do kush djersën e tij. Kurrsesi me fitue nja dy-tre lekë.

Ndalet puntori përpara dyqanevet dhe nëpër xhama shikon. Shikon dhe shijon romantizmin e kohës. Përpara xhamit të një kartolerije: prap artistat! Shtrëngoi dhambët. Nga inati u ngritën grushtat përpjetë me një qëllim….por ligji! Polici! Ja përshkruen trutë. Me përbuzje i len artistat. Pështyn. Vazhdon. Prap pështynë. Shikon djathtas e majtas. Dhe pështyn. I undshëm e xhele-mel hec ngadalë përbri të dyqanevet plotë me “molla të ndalueme” (Prralla biblike).

Një dashje instiktive don të shpallet! Puntori ynë sundon veten! Ligji! Polici! Për sigurim duert i ve mbrapa. E duart e tija janë të forta, të fuqishme. Edhe dreqin e kishin kapë për fytit dhe e kishin mbytë. Por edhe dreqin e mpron ligji.

Tan-tan-tan-tan! Deri ku kështu ma?

(Shkëputur nga ‘Vepra 2’ e Migjenit, botim i Rilindjes )

ObserverKult


Lexo edhe:

VISAR ZHITI: NË GJIRIN BALTIK KUJTOJ HAVZI NELËN…