Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës nëpërmjet një ore letrare e përkujtoi së fundmi poeten Lindita Ahmeti.
Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani u shpreh se në botën letrare, Lindita u paraqit në fillim të viteve të 90-ta si një zë i veçantë dhe shumë shpejt poezia e saj u gjet në fokusin e studiuesve dhe kritikëve më të njohur letrar.
“Me vdekjen e saj humbi poezia, gjuha shqipe dhe kultura shqiptare në përgjithësi. Lindita një periudhë të jetës së saj ka qenë e angazhuar në fakultetin tonë. Ndihem shumë krenar si dekan i Fakultetit Filologjik se me propozimin tonë Lindita Ahmeti fitoi çmimin shtetëror “11 Tetori” për vepër jetësore për vitin 2022” – tha dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani.
Ndërkaq në këtë orë letrare për krijimtarinë letrare dhe jetën e saj folën edhe profesori Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Salajdin Salihi dhe profesoresha Doc. Dr. Vjollcë Berisha.
Ata e kujtuan të ndjerën përmes kujtimeve të ndryshme ndërsa përmes poezisë së poetes Lindita Ahmeti sollën në vëmendje veçantinë e veprave të saj, të cilat do të jenë të pranishme përjetësisht.
Studentet e katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, recituan disa nga poezitë e autores Lindita Ahmeti, teksa më pas, u promovua edhe revista e studentëve “Përtej”.
Ndryshe, poetja Lindita Ahmeti ndërroi jetë javë më parë në moshën 51 vjeçare.
ObserverKult
Lexo edhe:
U NDA NGA JETA POETJA E NJOHUR, LINDITA AHMETI
U nda nga jeta, Lindita Ahmeti, njëra nga poetet më të njohura shqiptare. Lajmin e ka bërë të ditur babai i saj, Xhabir Ahmeti.
“Lajm i tmerrshëm. E humbëm edhe vajzën tonë të mrekullueshme Linditën para një gjysmë ore”. Kështu ka shkruar babai i saj në Facebook.
Lindita Ahmeti lindi më 26 prill 1973 në Prizren. Pas diplomimit në shkollë të mesme në Shkup, ajo studioi filologji klasike në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Shkupit. Aty edhe u diplomua.
Ajo shkroi poezi në gjuhën shqipe që nga fillimi i viteve ’90. Ishte marrë edhe me përkthime nga gjuhët sllave dhe nga anglishtja në shqip. Poezia e saj është përfshirë në shumë antologji në gjuhë të ndryshme.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult