Përmallohet Margarita Xhepa: Më ka pikuar loti që kolegë janë ndarë nga jeta para se të dalin në pension…

Shënon plot 90 vjeç, po aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa thotë se kjo është datëlindja e parë që feston. Në një rrëfim në Pas Mesnatë, në ABC News, diva e skenës shqiptare, të cilës i është dhënë titulli “Artiste e Popullit”, rrëfen rrugëtimin e saj në skenë, që nis nga Liceu Artistik.

“Nuk isha mësuar sepse në Lushnje nuk e kishin zakon të festonin datëlindjen e vajzave. Edhe djemtë më vonë kanë dashur të më festojnë datëlindjet por u thashë nuk jam mësuar. Kështu që kjo është datëlindja e parë që më feston ministri bashkë me artistët me të cilët kam punuar një jetë të tërë, 90-vjetorin që nuk besoja se do e arrija.

E them këtë sepse më ka pikuar loti që njerëz të afërt apo kolegë janë ndarë nga jeta para se të dalin në pension.

Do theksoja një fat që kam patur në punën time të madhe. Kur erdha nga Lushnja do hyja në Lice, mundësinë ma krijoi seksioni i arsimit. Nuk dija kush ishte Migjeni, jo të dija kush ishte Shekspiri, që do kisha fatin ta luaja në jetë. 

Për fat në juri qëllon regjizori Pandi Stillo, kishte një intuitë të shkëlqyer. Për t’u bindur më dha edhe një ushtrim, ai u bind dhe më thotë kur të mbarojmë më prisni në korridor.

E prita. Në përfundim ai doli dhe më vuri një dorë në sup, si prej babai, dhe më tha nesër të vish në teatër në ora 9:00. Mendova çfarë mund të jetë, nuk e besoja se do vinte një gjë e bukur që do e merrja vesh aty.

Pandi Stillo më besoi rolin e parë, në një pjesë të Lavranjovit, ‘Zëri Amerikës’, një rol i vogël me dy episode por që i jepte mundësi aktorit të shpërfaqte anën emocionale.

Njerëzit e pëlqyen dhe mënyra si më uronin e shoqëronin me një buzëqeshje. Ai rol pastaj më solli shumë role të tjera.”,kujton Xhepa.

Videon mund ta shikoni KËTU:/abcnews.al

ObserverKult  


Lexo edhe:

MARGARITA XHEPA FESTON 90 VJETORIN E LINDJES

Margarita Xhepa, njëra nga zonjat e mëdha të skenës së teatrit dhe filmit shqiptar, aktorja me mbi 150 role në teatër e 32 role në kinema sot feston 90-vjetorin e lindjes .

Xhepa ka skalitur në memorien e publikut shqiptarë që nga fillet e saj shumë role brilante.

Fillimisht në vitin 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, dega e Dramës.

Në maj të vitit 2004, u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjecare.

Midis shumë roleve në teatër mund të përmendim disa si: Majlindën tek filmi “Majlinda” (Xh. Broja), Dafina tek Lumi i vdekur (dramatizim nga K. Velça i romanit me të njëjtin titull të Jakov Xoxës), Filja tek Cuca e maleve (Loni Papa).

Pastaj Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën (dramatizim nga Edmond Budina e Pirro Mani i romanit me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë). Nëna tek Përballë vetes (Ruzhdi Pulaha) etj.

Ka qenë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir. Pastaj dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit e të tjera.

Ndërsa veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë.
Me K. Dhamon xhiron Vitet e para dhe Gjurmët, me I. Muçajn e K. Mitron Dimri i fundit, Tokë e përgjakur, Një djalë edhe një vajzë dhe Apasionata, me Viktor Gjikën, Gjeneral gramafoni, me E. Musliun.

Rrethi i kujtesës dhe Vitet e pritjes (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, Dora e ngrohtë, me Dhimitër Anagnostin, Gurët e shtëpisë sime, me P. Milkanin, Pranvera s’erdhi vetëm, me S. Kumbaron, Koncert në vitin 1936, me Gj. Xhuvanian E diela e fundit dhe i dashur armik.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult