Gjykata e Apelit e Kosovës e ka përmbyllur rastin e filmit “Kthimi”. Ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paditësit “Nine Eleven”, si dhe e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të tetorit të vitit të kaluar. Gjykata e shkallës së parë e kishte vlerësuar të pabazë kërkesëpadinë e vitit 2012 të “Nine Eleven” kundër Blerta Zeqirit në lidhje me pronësinë dhe çmimet për filmin “Kthimi”. “Nine Eleven” e udhëhequr asokohe nga producenti Blerim Gjoci kishte kërkuar që të vërtetohej e drejta e pronësisë autoriale mbi filmin “Kthimi”, dhe që e paditura Zeqiri të obligohej që ta njihte të drejtën e tyre të autorësisë dhe të paguante shpërblimet prej çmimeve të fituara nëpër festivale, sikurse t’i kthente edhe çmimet.
Vendimi për regjisoren Zeqiri ishte arritje e drejtësisë, e për producentin Blerim Gjoci aktgjykimi ishte kundërligjor, i pabazuar dhe jo i arsyetuar. Gjoci brenda afatit ligjor kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kishte propozuar që “për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe të ndryshojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë”.
Kjo është refuzuar si e pabazë nga Gjykata e Apelit e Kosovës në seancën e kolegjit të mbajtur më 5 qershor. Sipas aktvendimit të saj, pronësia e çmimet i takojnë regjisores.
“Gjykata i vlerëson pretendimet ankimore të së paditurës, por gjeti se të njëjtat janë të pabazuara, sepse gjykata e shkallës së parë në mënyrë të plotë e ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejt e ka zbatuar ligjin material, ndërsa pretendimet e të paditurës janë në kundërshtim me provat që gjenden në shkresat e lëndës. Prandaj bazuar në të lartcekurat, kjo gjykatë vlerëson se aktgjykimi i atakuar i gjykatës së shkallës së parë nuk ka të meta për shkak të të cilave nuk mund të vlerësohet ligjshmëria e tij, dispozitivi i aktgjykimit është i kuptueshëm, nuk është në kundërthënie me vetveten ose me arsyet e aktgjykimit, dhe se aktgjykimi përmban arsye të mjaftuara dhe bindëse për gjendjen faktike dhe juridike për të vendosur në këtë çështje juridike, të cilat në tërësi i aprovon edhe Gjykata e Apelit”, është shkruar në aktgjykimin e lëshuar nga kjo gjykatë, transmeton ‘koha’.
Regjisorja Blerta Zeqiri ka thënë se ky rast i ka dëmtuar të gjithë që kanë punuar në këtë film, përfshirë edhe vetë organizatën joqeveritare “Nine Eleven”.
“Më vjen keq që për shkak të kësaj mosmarrëveshjeje kemi humbur të gjithë, duke filluar nga vetë OJQ-ja ‘Nine Eleven’, vetja ime, ekipi i filmit (sepse i ka mbetur puna pa u shfaqur) dhe në fund fare, Kosova. Më vjen mirë që më në fund kjo çështje është mbyllur. As që dua të mendoj për ndonjë luftë tjetër pos asaj që gjithë njerëzimi ka sot: luftën kundër virusit COVID-19”, ka Zeqiri të hënën për KOHËN, pak orë pasi e ka bërë publik lajmin për vendimin e Gjykatës së Apelit.
Producenti i filmit, Blerim Gjoci në përgjigjen e tij ka aluduar se gjykata nuk e kupton se çka është pronësia apo autorësia.