
(Kushtuar femrave, që burimin e forcës e marrin nga fëmijët)
Atë natë të errët me rrufe që çanin qiellin
ai e ndjeu që ishte i brishtë,
dhe me frikën fëminore e përqafoi.
Si zogth u struk thellë në krahët e saj,
dhe… plot siguri e pa në sy.
Në ata sy burues frymëzimi pinte ëndrrat,
se ajo për tingullin e lotit dinte gjithçka;
dhe për ngrohjen grimcuese të zemrës
mund të bënte çdo gjë!
Atë natë të errët me rrufe që çanin qiellin
ai nuk e dinte që ajo,
heroina e tij, edhe pse e rritur
kishte humbur rrugën brenda vetes,
dhe ishte aq “e frikësuar”
sa e përqafonte më fort…
E duke fshehur dridhjen e zërit
nën zhurmën e tmerrshme të rrufeve,
si burrneshë i thoshte:
“Jam këtu! Mos ki frikë! Do të të mbroj unë!”
Atë natë të errët me rrufe që çanin qiellin
ata shpërthyen dhe frikërat
mes shkëndijash pjekurie.
Hijet lanë gjurmë ngjyrash
në mbështjelljen e zemrave.
Lotët përqafues
dritësuan litarë shprese,
si forcë jetësore unike
“prind/ fëmije”
ObserverKult
Lexo edhe:






