Përqasje estetiko-letrare mbi vëllimin poetik “Kohë hibride”

Nga Astrit Jashari

Enver Sh. Bajrami, me vëllimin poetik me titull “Kohë hibride”, të tretin me radhë, tashmë ka dëshmuar individualitetin e vet krijues.

Termin “Kohë hibride”, si nocion, si koncept, e gjejmë të përdorur në filozofi dhe sociologji, me të cilin përshkruhet një periudhë ose epokë ku ndodhin ndërhyrje, përplasje dhe ndryshime të shumta e mjaft komplekse në jetën sociale, kulturore, politike dhe teknologjike.

Autori, ndërkaq, i vetëdijshëm për peshën semantike dhe semiotike që bart titulli, fokusohet te fenomenet dhe manifestimet negative të shoqërisë së sotme, e cila ka përjetuar ndryshime të ndërliqshme në të gjitha fushat, dhe, si pasojë, ndihet e paqëndrueshme, duke e bërë kohën tonë të jetë “hibride” në natyrën e saj. 

Në vëllimin poetik me titull metaforik “Kohë hibride”, autori tregon prirje të theksuar në përdorimin e gjuhës, stilit dhe figurave stilistike.

Titulli i librit është metaforik dhe përshkruan kohën moderne si një periudhë hibride, duke sugjeruar një ndërthurje a transformim të elementeve të ndryshme, konfuze dhe të kundërta me njëra-tjetrën.

Ai, me një thellësi mendimi, godet problemet dhe shëmtitë që kanë prekur thellë shoqërinë tonë, ndaj nuk kursen askënd që bie ndesh me vlerat morale dhe etike.

Ironia dhe satira përdoren me funksione të ndryshme, varësisht nga qëllimi i autorit për t’i bërë më të mbuluara apo më të zbuluara sjelljet, veset, mendimet, veprimet apo mosveprimet e pjesëtarëve të shoqërisë kundruall realitetit të kohës së sotme. Këto sjellje, këto vese, këto veprime a mosveprime të individëve, ku e ku të shprehura e ku e ku të nënkuptuara, janë shënjuese të kësaj përplasjeje dramatike me nota tragjike.

Në poezinë “Pse jam kaq i huaj”, autori përdor një stil të kujdesshëm me shprehje eliptike për të theksuar ndarjet dhe moskuptimet në shoqëri. Ky stil ndihmon në krijimin e një atmosfere trishtimi dhe dëshpërimi që perceptohet ose nënkuptohet gjatë leximit të poezisë.

Në formë më të përmbledhur, poezia paraqet një ndarje midis “unë” dhe “ju”. “Unë” ndihet i injoruar nga “ju”, duke mos gjetur kënaqësi dhe gëzim gjatë kohës së përballjes.

Kohëzgjatja e stërkeqjes plandoset dhe përplaset si një rënkim në një shoqëri tashmë të ndotur e fluide, që prek rrënjët dhe themelet e përparimit mendor, social e kulturor.

“Në kërkim të kodit” është një nga poezitë e këtij libri, ku profesor Bajrami përmes metaforës dhe kontrastit shpreh kuptimin, misterin e jetës dhe vetminë ekzistenciale. Kjo e fundit vjen si domosdo dhe nevojë individuale. Po ashtu, autori përdor ironinë si mjet për të kritikuar fenomenin e namit dhe famës, duke shoqëruar këtë kritikë me pasoja dhe absurditete:

Mes dy ekstremeve,
Lindjes dhe vdekjes,
Në kërkim të kodit të jetës,
Që askush s’e gjeti:
As prifti, as hoxha, as buda, as mbreti…
Veç çka t’i bësh tjetrit ia bën vetes,
Lum kush s’bëri, as nuk gjeti.

Përgjithësisht, vëllimi poetik “Kohë hibride” shquhet për figuracionin e pasur dhe efektiv, përdorimin e qartë të gjuhës, stilit të thjeshtë e të prerë. Ky kombinim i lejon autorit të shprehë kritikën ndaj fenomeneve të shoqërisë së sotme në mënyrë të fuqishme.

Ai arrin të krijojë një frymë kritike, reflektuese dhe frytdhënëse për lexuesin. Këto dhe shumë çështje të tjera i bëjnë poezitë më të thella kuptimisht e më të bukura artistikisht dhe, njëkohësisht, joshin lexuesin përmes mirëleximit që t’i përjetojë veçantitë dhe gjerësinë krijuese e tematike të poezive, të cilat shfaqen në këtë përmbledhje poetike.

Ky libër poetik ka një gamë më të gjerë të ideve dhe motiveve, siç janë ato të preokupimeve mbi kohën, me vizionet për të sotmen e të ardhmen, evokimet për të djeshmen me vlera përballë të sotmes që i shprish ato, të panjohurat që na ndodhin dhe për ta freskuar këtë skenë të rënduar motivesh, poeti na i dhuron edhe lirikat e dashurisë, ato për nderimin ndaj dëshmorëve dhe lirisë, lirikën e freskët të peizazhit (“Puhizë Sharri”, “Në kreshtë”), nderimin e evokimin ndaj ambientit të vendlindjes përmes nderimit të toponimeve dhe evokimit të këtij mjedisi (poezitë si “Gurreci i Hasa Gegës” me simbolikën e gurit, apo “Direku i shtëpisë”, “Damarët e gurit” etj.).

Janë edhe shqetësimet lirike që autori i artikulon për gjithçka që na rrethon: vetmia, heshtja, turbullirat e ndërgjegjes sonë, e sidomos ajo për mërgimin si te poezia “Shqipja në mall e në hall”:

Për çdo ditë po pakohet vendi im,
A ndieni?
E ndiej, dhe fort me dhemb,

Jashtë natyrës, veç trillet na pushtuan,
Plakur, pakuar e varfëruar.

Përmes ligjërimit të fuqishëm poetik dhe stilit të rrjedhshëm, poezitë kapin thellësinë filozofike. Ato shpërfaqin dilemat dhe kontradiktat e ekzistencës njerëzore, ndërsa reflektojnë mbi marrdhëniet mes individit dhe botës së brendshme. “Kohë hibride” është më shumë se një vëllim poetik, është një udhëtim i brendshëm dhe emocionues drejt gjetjes së zjarrit ndriçues mendor e shpirtëror si burim drite.

Observerkult


William Butler Yeats
William Butler Yeats

Lexo edhe:

W. B. YEATS: KUR TË JESH PLAKUR

Poezi nga William Butler Yeats

Kur të jesh plakur, thinjur dhe përgjumur të jesh,
përkulur pranë zjarrit këtë libër ngadalë lexo,
për shikimin e butë që patën sytë e tu ëndërro
dhe për hijet e tyre të thella që më s’do t’i kesh.

Sa shumë të tjerët t’i deshën çastet madhështore
dhe dashuruan bukurinë tënde, rrejshëm a vërtet,
por veç një burrë pas shpirtit tënd pelegrin u tret
dhe ta deshi fytyrën që e ndryshuan brengat njerëzore.

Duke shprushur gacat, e mërzitur do të ndihesh,
duke murmuruar do të thuash si iku kjo Dashuri
dhe fluturoi përmbi male, atje në lartësi,
duke fshehur fytyrën e saj mes yjesh.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


rom tradhtuan poezi nga kujtim paçaku

KUJTIM PAÇAKU: NËNË, BUKË S’NA KA NGELË MË…

Poezi nga Kujtim Paçaku

Nënë,
Tenda na është çjerrë
Me se do ta arnojmë?
Me një cohë qielli, bija ime…
Nënë,
Zjarri na është fikur
A thua si do të ngrohemi?
Me rreze dielli, bija ime…
Nënë,

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult