Përralla “Pela dhe ujku”, dokumenti më i hershëm zanor i gjuhës shqipe

Norbert Jokl (1877-1942) është hebreu që konsiderohet si babai i Albanologjisë. Ai pati krijuar një bibliotekë albanologjie e indogjermanistike me rreth 3 mijë ekzemplarë libra, të cilat donte t’ia dhuronte Shqipërisë.
Por, dëshira e tij nuk përmbushet, pasi arrestohet në Vjen dhe dërgohet në një kamp përqendrimi në Rigë të Letonisë, ku edhe vdes në vitin 1942.
Sipas studiuesit Robert Elsie, Jokl kishte mësuar shqip me Gjergj Pekmezin dhe me shqiptarë të tjerë në Vjenë. Përmes këtyre kontakteve kishte bërë edhe incizimin e parë të gjuhës shqipe në Ballkan.
Elsie për këtë ka thënë “Në pranverën e vitit 1914, Norbert Jokli dëgjoi për një grup shqiptarësh pastiçerësh që punonin në Hungari. Pa humbur kohë, u nis për t’i takuar dhe për të bërë shënime gjuhësore për dialektin e tyre.
Me mbështetjen e Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave, Jokli e ftoi njërin prej punëtorëve, një Mustafa Abdyli  nga Vrapçishta e Gostivarit të Maqedonisë, në Vjenë për një muaj, për një incizim zanor të gjuhës së tij në Arkivin Fonogramik aty”. Ky incizim i kryer më 4 prill të vitit 1914 është dokumenti më i hershëm zanor i gjuhës shqipe nga Ballkani.
Incizimi mbi një pllakë të vjetër dylli ruhet në Arkivin Fonogramik të Akademisë së Shkencave të Austrisë. Në këtë incizim Abdyli tregon përrallën “Pela dhe Ujku”.