Titulli “Mjeshtër i Madh” për kompozitorët e shquar Enver Shëngjergji dhe Zef Çoba

Presidenti i Republikës së Sqhipërisë, Ilir Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” kompozitorin e shquar Enver Shëngjergji, me motivacionin: “Me mirënjohje ndaj kontributit artistik dhe vlerave të çmuara në pasurimin e muzikës shqiptare, si një kompozitor autentik me një larmi të pafundme këngësh e melodish të paharrueshme. Me vlerësim për përkushtimin e rrallë gjatë gjithë jetës së tij ndaj muzikës së lehtë dhe veprave muzikore, me vlera bashkëkohore, profesionalizëm dhe qytetari të spikatur”.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit shqiptar çmoi me titullin “Mjeshtër i Madh” edhe kompozitorin dhe mjeshtrin e korit shkodran Zef Çoba:

“Në vlerësim të talentit të spikatur dhe personalitetit të gjithanshëm të shpalosur në fushën e kompozimit të veprave muzikore, si dhe në trajtimin me profesionalizëm të këngës me tradita shkodrane. Me mirënjohje mjeshtrit të rrallë të muzikës shqiptare, i cili nëpërmjet muzikës dhe veprave të tij artistike, ka lartësuar me dinjitet emrin e kombit shqiptar anembanë botës”, tha Meta.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës duke iu drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoni, u shpreh se, “është kënaqësi të jemi bashkë, për të vlerësuar me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, dy personalitete të shquara të artit e muzikës shqiptare, kompozitorin Enver Shëngjergji dhe mjeshtrin e korit dhe kompozitorin Zef Çoba”.

“Emri i kompozitorit të shquar Enver Shëngjergji, në memorien tonë, është i lidhur me Festivalet e Këngës në Radio Televizion dhe me shumë këngë të bukura të muzikës sonë të lehtë, si ‘Vajzat e fshatit tim’, ‘Nën kurorën e ullirit’ apo ‘Lulet e mollës’.  Përkushtimi shumëvjeçar si kompozitor ka sjellë në skenat më të rëndësishme të këngës së lehtë, por edhe asaj popullore, krijimtarinë e tij tepër profesionale, të veçantë e origjinale, e pëlqyer gjerësisht nga spektatori shqiptar”, tha Meta.

“Mjeshtri i korit dhe kompozitori prof. Zef Çoba është një personalitet tjetër i muzikës shqiptare, i shquar për kontributin e jashtëzakonshëm, pedagog i suksesshëm dhe fitues i shumë çmimeve e vlerësimeve gjatë karrierës së gjatë artistike. Dashuria për trashëgiminë e pasur folklorike kombëtare dhe veçanërisht, për qytetin e tij të lindjes Shkodrën, e kanë frymëzuar për të kompozuar shumë këngë qytetare shkodrane”, theksoi Meta./ATSH