Cesare Borgia ishte djali i jashtëligjshëm i Papa Aleksandrit VI, i cili frymëzoi “Princin” e Nikolo Makiavelit. Më pas, mbiemri i autorit do të përdorej për të shprehur personalitetin e të zgjuarit, manipuluesit dhe të paskrupullit. Përse historia e Cesare Borgias është kaq magjepsëse?
Cesare Borgia është një nga ato figura historike që ose admirohet ose urrehet. Një fëmijë i rritur për t’i shërbyer pushtetit të babait ambicioz, Papa Aleksandrit VI, si dhe motrës së tij, Lukrecias. Historia e tij është magjepsëse dhe, në të njëjtën kohë, tmerrësisht mizore. Jeta është pasqyrimi i një familjeje përfshirë në një seri intrigash. Një sagë korrupsioni, vrasjesh dhe uzurpimi i pushtetit me çdo kusht; elemente që karakterizonin kontekstin dhe edukimin e dhënë për Cesare Borgian. Nuk vihet në dyshim, që ishte një student i shkëlqyer, nisur nga investimi makabër dha frytet e vjela. Cesare Borgia ka hyrë në histori si simbol i imoralitetit, konspiracionit dhe mizorisë së pakufishme. I ati diti ta modelonte përsosmërisht fëmijën e jashtëligjshëm, që do të frymëzonte personazhin e Princit të Nikolo Makiavelit. Nga ana tjetër, autori do t’i japë emrin e një personaliteti të zgjuar, manipulues dhe të paskrupullt.
Djali i paligjshëm i kardinalit me origjinë spanjolle, Rodrigo Borgia, i cili, më vonë, u bë Papa Aleksandri VI, një pozitë e arritur përmes nepotizmit dhe korrupsionit. Fëmijëria e Cesare Borgias ishte një formësim i pandërprerë intrigash, manipulimesh, aleancash dhe komplotesh. Disa nga biografët e tij rrëfejnë artet e babait për të siguruar besnikërinë e fëmijëve ndaj familjes. Mes tyre, ai nguliti zakonin e marrëdhënieve seksuale në familje. Mbrojti praktikën incestuale, duke argumentuar se marrëdhënia e parë seksuale përcaktonte përkatësinë dhe krijonte lidhje që ishin të vështira për t’u thyer. Adoleshenca e Cesares dhe motrës, Lukrecias, zhvillohet mes një komploti të denjë për roman, fakt i cili krijoi një lidhje të çuditshme mes tyre, duke i çuar drejt rrënimit. Kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, u emërua peshkop i Pamplonas. Në të njëzetat ishte kryepeshkop i Valencias dhe, më pas, u bë kardinal. Mirëpo, Cesare Borgia nuk ishte bërë për të drejtuar vetëm jetën kishtare; ishte bërë për politikë dhe armë. Në fakt, ai e braktisi zyrën e kardinalit pas vrasjes së vëllait më të madh, të kryer ndoshta nga vetë Cesare Borgia. Me kalimin e kohës, dhe menjëherë pas vdekjes së vëllait, ai mblodhi një ushtri mercenarësh, ku bënte pjesë edhe Leonardo Da Vinçi si inxhinier. Me ushtrinë e tij Cesare përparoi përmes shteteve italiane, duke rritur fuqinë e tij dhe duke zgjeruar sundimin e të atit, me qëllim bashkimin e Italisë nën drejtimin e familjes Borgia. Për strategjitë e veta përdorte o shpatën, o mashtrimin. Ishte kaq i aftë për të vrarë, sa ishte për të bërë miq dhe përforcuar aleanca. Vriste këdo që e rrezikonte, shpallte ligje për përfitime të paturpshme dhe dinte ta bënte veten ta donin ose ta urrenin. Shpesh e mbulonte fytyrën me një maskë, e cila i vishte një lloj misteri, për të cilin ishte tejet krenar. Në të vërtetë, këtë e bënte për të fshehur vragat e lëkurës si pasojë e sëmundjeve të ndryshme veneriane. Pas rënies së të atit, i cili vdiq nga helmimi, Cesare Borgia u kap në Castel Nuovo nga Gonzalo Fernandez de Cordoba, Kapiteni i Madh, i cili e çoi në Spanjë dhe e burgosi në “Castello della Mota”. Mirëpo, Borgia u arratis nga burgu dhe u strehua në Navarra, ku vdiq si pasojë e plagëve të marra në betejë. U varros në komunën e Vianas, Navarra, transmeton ‘Konica.al”
Nikolo Makiaveli dhe Leonardo da Vinçi
Pjesa dërrmuese e personalitetit të “Princi” i Nikolo Makiaveli frymëzohet nga Cesare Borgia. Makiaveli e idealizon këtë figurë historike, duke e përdorur si shembull të idealit të ushtrimit politik, ushtrim i cili, sipas Makiavelit, nuk duhet t’i përgjigjet moralit, por vetëm ligjeve të pushtetit. Sipas gjasave, Cesare Borgia nuk ishte modeli ekskluziv i Makiavelit, pasi thuhet se Leonardo Da Vinçi u frymëzua nga fiziku tërheqës i Cesare Borgias për të pikturuar fytyrat e krishtërve të tij; sikurse dhe Mikelanxhelo, xheloz për fytyrat e pikturuara nga Da Vinçi, përdori të njëjtat karakteristika fizike për të rikrijuar Krishtin.
Makiavelizmi dhe treshja e errët e personalitetit
Në psikologji, mbiemri i autorit italian përdoret për të përcaktuar një personalitet specifik, më saktë njerëzit që i përdorin të tjerët si mjet për të arritur qëllimet e tyre dhe, për këtë, ata nuk e kanë problem të manipulojnë dhe shfrytëzojnë ata që takojnë në rrugën e tyre. Personaliteti makiavelian është manipulues dhe strategjik, ndryshon nga narcizistët ose psikopatët, sa i përket qëndrimit dinak dhe njohës, sesa emocional. Gjithsesi, si në shumicën e veprave të mendimtarëve të mëdhenj, “Princi” lexohet në këndvështrime të ndryshme dhe, megjithëse ky version është përgjithësues, nuk është i vetmi lexim i mundshëm. Studiues të shumtë e kanë interpretuar punën e Makiavelit, duke parë elemente që shkojnë përtej leximit tradicional: një vepër komplekse dhe interesante, që ofron më shumë se një lexim. Padyshim, idealizimi i figurës së Cesare Borgias është lehtësisht i identifikueshëm. Narcizmi, psikopatia dhe makiavelizmi, janë terma që hera-herës ngatërrohen, sepse kanë karakteristika shumë të ngjashme. Janë tre personalitetet që formojnë treshen e errët, një koncept psikologjik që përfshin një sërë tiparesh që veprojnë në të njëjtin bosht: përqendrimi te vetja, mungesa e ndjeshmërisë dhe egoizmi. Për të kuptuar më mirë se ç’do të thotë makiavelizëm, duhet të merret në konsideratë krijimtaria e autorit që i jep emrin këtij personaliteti.
Personaliteti i Cesare Borgias është shumë magjepsës. Të hysh në historinë e tij, do të thotë të hapësh një derë në botë të errëta dhe të fshehta që nuk janë të trilluara, por janë pjesë e historisë. I urryer dhe i admiruar, nuk lë askënd indiferent.