
UNË, TI, AI/AJO,… JU, ATA/ATO…ose NE.
Nga: Teuta Dhima
Libri i parë i sociologes dhe ekspertes së komunikimit Manjola Lloja Bushati, “Ose ne”, ka mbërritur tashmë në duart e lexuesve dhe po shijohet prej tyre.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, me atë kopertinë të verdhë rrezëllitëse, gjithkush do ta zgjidhte në një raft librarie, apo biblioteke.
E kuriozon lexuesin kjo ngjyrë, sjell tek ai një ndjesi energjie, optimizmi, gjallërie; njëkohësisht e grish atë të eksplorojë rreth tij, ta shfletojë, ta lexojë, të guxojë për më shumë.
Kur e mora në duar këtë libër, më tërhoqi paraqitja e tij grafike dhe gjithëkahera, ajo ka qenë kontakti i parë me lexuesin. Ngjyrat, fonti i shkrimit, skicat, më lidhën emocionalisht me të.
Jemi ende te shfletimi…
Nuk mund të kalojë pa rënë në sy, lënia e disa faqeve bosh në libër. Ato, sikur më thirrën: “eja, lexo, shkruaj edhe ti”. Tek e fundit, a nuk është ky qëllimi i një autori, të ftojë lexuesin e tij, ta grishë atë të përhumbet mes faqesh?
Këto faqe të pashkruara, të cilat mund të përdoren për shënime, inkurajojnë reflektimin për atë çfarë është shkruar, nxisin analizimin e asaj që sapo është lexuar dhe të ftojnë hapur për të shkruar. Në këtë mënyrë, lexuesi e personalizon leximin e tij dhe kjo krijon një lidhje më të fortë mes tij dhe librit.
Nisa ta lexoj. Libri më thirri…
Nuk është një libër voluminoz, mund ta lexoja shpejt, por unë preferova që t’i jap atij më shumë kohë që të vinte tek unë. Skica të cilat shpesh herë mund të fillojnë edhe pa titull, por që sjellin një situatë të re dhe ti arrin të kuptosh që, ka mbaruar njëra dhe ka filluar tjetra. Të gjitha i lidh një fill i padukshëm, që përbëhet nga spontaniteti i autores, e cila cila eksploron për tema, personazhe, apo situata të reja, pa pasur presionin e një strukture të mirëfilltë dhe të plotë narrative. Janë mendime, ndjesi, përvoja të shprehura në formën e një përshkrimi të shpejtë, ku hërë-herë duken sikur mbeten pezull dhe rrimarrin kuptim në skicën tjetër që zë fill pas saj. Skicat e “Ose ne”, fare mirë mund të qëndrojnë si të pavarura, duke e thirrur lexuesin që me imagjinatën e tij, të plotësojë hapësirat bosh. Ashtu të mëvetësishme, ato sfidojnë format tradicionale dhe nuk kanë as hyrje, pikë kulmore, apo fund të qartë. Thjesht, ato përqëndrohen në atmosferën që krijojnë.
Lexoja dhe mbaja shënime…
Çudi, më dukej sikur po bashkëbisedoja me autoren, sikur po thoja edhe unë atë që mendoja, për ato çfarë ajo sjell në faqet e këtij libri, duke zgjedhur një mënyrë të thjeshtë, për të thënë gjëra të mëdha. Për të ngritur dhe evidentuar probleme që me të vërtetë na prekin deri në asht në përditshmërinë tonë, na shqetësojnë, na bëjnë jo pak herë të ndihemi të keqkuptuar, jo të vlerësuar, na kanë bërë të ndihemi xhelozë për personin që kemi në krah, apo të fshijmë edhe ndonjë lot, kur kemi pritur një fjalë më shumë, qoftë ajo edhe një pyetje e thjeshtë: “Si je?”. Një pyetje e thjeshtë, por që ka një vlerë të madhe në komunikim, qoftë në çift, qoftë edhe mes miqve apo shokëve. Kjo pyetje vjen si një përkujdesje, është një hap i hedhur në hapjen e bisedës, pas të cilës do të ndiheni më mirë dhe lidhjet tuaja do të jenë fuqizuar e forcuar.
Apo, “Si je, a po lodhesh?”, një tjetër pyetje nëpër faqet e këtij libri. Një pyetje që tregon përkujdesje, shqetësim, interes, për gjendjen e bashkëbiseduesit. Vjen ajo si një ftesë për të dalë e biseduar, sepse një bisedë e hapur, e ngrohtë, një shikim drejt në sy, mund të jetë zgjidhja më e mirë për probleme që ndoshta na kanë munduar, apo na kanë hequr buzëqeshjen, duke i menduar si të pazgjidhshme.
Nëpër faqe ka disa paragrafë të shkëputur nga këto skica. Evidentimi i tyre dhe përdorimi si paratekst, ose si mbyllje të pjesës nga është shkëputur, e drejton lexuesin drejt asaj që mund ta quajmë problematika bosht. I shkëputur nga e tëra, ai i shërben atij që të ketë një lexim më të organizuar dhe të përqëndrohet drejt e në thelb, në atë që me të vërtëtë ka rëndësi. “Të fshehur” mes një njolle të verdhë, duken si sinjale alarmi që paralajmërojnë rrezik.
Një tjetër pyetje, që erdhi te unë shkruar mbi një vijë të lakuar, është: “Si mund të jetë e keqe, diçka që më bën të ndihem mirë?” Kjo pyetje ngre një dilemë morale dhe emocionale me të cilën shumë njerëz mund të përballen në jetën e tyre. Sipas doktrinës së Hedonizmit, veprimet mund të konsiderohen të drejta nëse japin kënaqësi, dhe të gabuara nëse sjellin dhembje. Kënaqësia mbetet shkalla më e lartë e së mirës. Në faqen e lënë bosh, shkruajta pyetjet: “A është çdo lloj kënaqësie e vlefshme? Pastaj, nëse gjithsecili prej nesh do të ndiqte vetëm kënaqësitë personale, ç’do të ndodhte nëse veprimet tona do të cenonin mirëqenien e tjetrit?” Pra me pyetjen “Si mund të jetë e keqe, diçka që më bën të ndihem mirë?”, në një farë mënyre vihet në diskutim ideja që ndjenjat e kënaqësisë apo lumturisë, mund të mos jenë gjithmonë të përputhshme me atë që është moralisht e drejtë, apo e pranuar.
Ashtu faqe pas faqeje, lexo e shkruaj, arrita drejt fundit. Mbërrita te Epilogu që ka disa mesazhe të pashkruara, apo siç i ka titulluar autorja, “Mesazhe që nuk u shkruan kurrë (ndoshta)”. Një tjetër gjetje e saj që siç edhe është shprehur, këto skica që kemi në duar, nuk janë tjetër veç mesazhe zanore që ajo ia dërgonte vetes.
Mesazhet e pashkruara mbajnë brenda vetes mendime, ose ndjenja të pathëna, që ne nuk kemi mundur t’i shprehim. Janë si një “betejë” e vogël brenda nesh, një dualitet, midis dëshirës për të komunikuar dhe drojës që provojmë për reagimin e tjetrit. Ato fare mirë mund t’i quajmë një pasqyrë e botës së brendshme e cila mbetet e fshehur nga bota e jashtme, mbuluar me një pëlhurë, të cilën e ka ngritur Manjola me komunikimin e saj dhe ka lënë zbuluar gjithë ato “gropa” që duken qartë në udhën tonë. E ne nxitojmë përditë me makinë, apo në këmbë, për të shkuar në punë, kalojmë sipër tyre, “biem” brenda tyre, po nuk kemi kohë të kthejmë kokën pas, po nuk gjejmë kohë t’i shmangim. Ja për këto “gropa” ka folur Manjola në librin e saj, pa shumë zhurmë, pa fjalë të mëdha, pa dhënë receta… ashtu thjesht, ato vijnë butë, si një dorë që të vihet lehtë në sup, për të të thënë: “hej ndalu! Merr kohë për veten dhe për ata që më shumë do. Gjeje një çast për t’i treguar atij që ke përballë, sa e vlerëson, sa e do. Thuaja kur do të rrish me të, të flasësh, apo t’i prekësh dorën, duke i larguar baluken e lagur prej shiut, që i ka rënë mbi sy.
Përgjatë gjithë librit vetmia vesh personazhet në forma të ndryshme: herë i bën të izoluar, pa gjetur përreth mbështetjen emocionale, herë u jep atyre hapësira për të reflektuar, herë i bën të pavarur, në një marrëdhënie të fuqishme me veten.
“A ka më burra që duan mendjen? Ndonjë me të cilin mund të flas?”. Është një pyetje retorike që lë vend për interpretim dhe që tek unë si lexuese vjen si një kërkesë për të pasur një bashkëbisedues të sinqertë, të zgjuar, që të vlerëson për ato që po i thua dhe jo për kë ka përballë. Një sinjal alarmi kjo pyetje për marrëdhëniet tona, ku jo pak herë kanë mungesë thellësie dhe autenticiteti.
A mundet që veç të qeshësh dhe mos të analizosh? Po mundet, pasi edhe autorja jonë shkruan: “Mos analizo, veç qesh.” Mundet pasi e qeshura si një reagim spontan, bëhet shprehëse e emocioneve të ndryshme që shpesh herë lidhen me humorin, gëzimin, të qenit i lirshëm në një bisedë. E qeshura është një përgjigje për pyetjen: ”Si ndihesh?”. Ndaj shpesh herë nuk ka nevojë për analiza të thella dhe shqyrtime që mund të na fusin në labirinte pa fund. Veç qesh dhe i ke thënë të gjitha.
Nuk kanë emra personazhet në librin e Manjolës dhe kjo i lejon lexuesit të projektojnë veten e tyre, apo miq e shokë në vend të tyre. Mungesa e emrave, sjell zhvendosjen e vëmendjes nga identifikimi i personazheve, te veprimet. Personazhet e Manjolës janë një çift, apo disa të tillë. Në librin e Manjola Lloja Bushatit, lexuesi ftohet të reflektojë mbi natyrën universale të përvojave që paraqiten, sepse këto personazhe mund të jenë: UNË, TI, AI/AJO,… JU, ATA/ATO…ose NE.
ObserverKult

Lexo edhe: