“Përtej”, Argenita vjen me një ekspozitë të kuruar me pasion

Në ambientet e Galerisë së Ministrisë së Kulturës (QAFA) nga data 4 mars deri në fund të muajit  do të qëndrojë e hapur ekspozita ‘Përtej’ e piktores nga Gjakova, Argenita Fetahu.

Kjo është ekspozita e tretë personale e saj derisa me ekspozita kolektive ka qenë pjesmarrëse në shumë ngjarje kulturore.

Në pikturat e saja të cilat do të ekspozohen do të prezantohet puna, mendimet, gjegjësisht mund të shihet bota e saj.

“Gjithçka na dërgon në një krijim të mendimit subjektiv, sepse vetë piktura na shtyen ta ngacmojmë imagjinatën.  Duke mos i ikur asaj që shoh dhe asaj që kam dashur ta paraqes kam krijuar një temë që lidhet me përjetimet emocionale të asaj kohe.

Po ashtu duke mos i ikur subjektivitetit kam realizuar piktura me motive “ARGENITASE”. Veprat e kanë një pikë referimi, eksperiencën e vet artistit, ndjeshmërinë, raportin mes të shkuarës dhe të tashmes. Imazhet gjysmë reale dhe gjysmë abstrakte mbeten të fiksuara në vepra si një strukturë individuale, ku ndjeshmëria tonale kthehet në vlerë unike.

Kompozicionet krijojnë një tablo të trajtave të baraspeshuara simetrike. Të gjithë vendin në piktura e zë ngjyra dhe ana emocionale. Përmes hedhjes së ngjyrave me shpatull (mjet pune), duke e bërë hapësirën më të vrazhdë apo më të lëmuar, ky proces na shtyen të mendojmë se ku qëndron trupi realisht”, tregon piktorja Fetahu.

E në këtë ekspozitë, ka edhe një veçanti, gjegjësisht një fustan për të cilin piktorja flet me shumë dashuri.

“Si veshje e përdorur më së shumti është fustani i kohës, fustani i nënës time, i cili ka ngjyrën e kuqe të mbyllët. Historia prapa por fustani po ndjek një rrugëtim të ri. Rrugëtim që mua më mban tani teksa unë ec me ndjenjat e shpirtit tim”, tha ajo.

Piktorja Fetahu e cila ka përfunduar studimet master në degën e pikturës, ka treguar se përveç pikturave personale, gjegjësisht porosive, është duke punuar edhe në një projekt me rëndësi.

“Kohët e fundit janë bërë trendi muralet, pra pikturat në muri. Kam një vit që kam një projekt me “Hotel Swiss Diamond” ku kemi një bashkëpunim së bashku tutje. Ndërkohë nuk i lë anash dhe pikturat përsonale apo porositë të tjera”, njoftoi ajo.

Ndryshe, piktorja Argenita Fetahu shquhet në vizatim, ilustrime, skicime, pikturime të prapavijave skenike, në murale dhe jo vetëm./ObserverKult