Përtej lumishteve të heshtjes është atdheu, biri im… poezi nga Gazmend Beqaj

Poezia “Vdekja e atdheut” nga Gazmend Beqaj.

Atje është atdheu
biri im
atje ku merr frymë lirshëm
e je i lirë
ku shpresa jote gjen veten
e ti ndjehesh i arrirë
atje ku gjurmët mbijetojnë
hapin tënd
e caku yt ndrit hir…

Atje është atdheu
biri im
përtej lumishteve të heshtjes
që ngjallin frikë
përtej fatit të nemur
të zënë në pritë
përtej etjes së filizit për jetë
që edhe gurin çan
dhe rritet përpjetë…

Atje është atdheu
biri im
atje ku fjala jote
lë gjurmë
e ëndërrat e tua
të lënë pa gjumë
atje ku krismat e marrëzisë
me urti shndërrohen
në melodinë e dashurisë…

ObserverKult

Lexo edhe:

CESARE PAVESE: INSTINKTI