Përvjetori i vizitës së Nënë Terezës në Shkup rikthen dokumentarin e harruar

Shtatë dekada moshë nuk e kishin mpakur gjallërinë e saj kur ajo po zbriste shkallët e një aeroplani që sapo kishte zbarkuar në aeroportin e Shkupit. Kur emri i saj veç kishte marrë dhénë, Gonxhe Anjezë Bojaxhiu atë ditë qershori u tregua plot mirësi e buzëqeshje ndaj nikoqirëve që kishin dalë ta mirëseardhnin në qytetin e saj të lindjes. Më 27 qershor të vitit 1980, humanistes shqiptare do t’i akordohej çmimi “Qytetare Nderi” e Shkupit nga kryetari i atëbotshëm, Metodi Antonov.

Dyzet vjet më vonë, një film dokumentar mbi këtë vizitë, në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë minutash, është “shpluhurosur” nga arkivat e kinotekës në Shkup.

Të enjten, drejtori i kompanisë së filmit “Vardar Film”, Naser Curri, është pritur në një takim nga drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Skender Asani.

Me këtë rast, Curri i ka dhuruar “Departamentit për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë” filmin e realizuar para katër dekadash, e që deri më tani gjendej i harruar në arkivin e “Vardar Filmit”.

Në një konferencë për shtyp, drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, ka bërë me dije për fillimin e manifestimeve të parapara për 40-vjetorin e ndarjes së çmimit “Qytetare Nderi” e Shkupit për humanisten dhe shenjtoren shqiptare.

Derisa të shtunën, bash në 40-vjetorin e kësaj ngjarjeje, do të mbahet manifestimi qendror, Asani e ka quajtur të rëndësishëm lajmin për themelimin e Departamentit për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë pranë ITSHKSH-së, statuti i të cilit është votuar tashmë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton ‘koha.net’.

“Ky departament është institucioni i parë në botë i themeluar për këtë figurë të humanizmit që na respekton si qytet, si shtet e si komb”, ka thënë Asani, i cili po ashtu ka paralajmëruar se shumë shpejt do të rrumbullakohet edhe aspekti juridik i këtij departamenti.

Ai ka bërë të ditur se pas mbarimit të zgjedhjeve parlamentare ky departament do t’i adresojë Kuvendit të Maqedonisë një elaborat që Nënë Tereza të shpallet “aset shtetëror” dhe gjithçka e saj të përfshihet brenda trashëgimisë së mbrojtur nga shteti.

“Ne synojmë të mbledhim çdo gjë që ka të bëjë me Gonxhe Bojaxhiun, por edhe për familjet katolike dhe katolicizmin e Shkupit, i cili lidhet me aspektin identitar të shqiptarëve”, ka theksuar drejtori i ITSHKSH-së.

Tutje, Asani u ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që kanë diçka nga Nënë Tereza apo familja Bojaxhiu t’ia dhurojnë këtij departamenti në mënyrë që të pasurohen të bëmat e figurës markante.

Ndërsa ka rikujtuar marrëveshjen e nënshkruar me “Vardar Film”, ai ka bërë të ditur se drejtori i kësaj kompanie të filmit dhe produksionit, Naser Curri, ka njoftuar për ekzistencën e një filmi dokumentar të realizuar para 40 vjetësh.

“Ne e mirëpresim këtë si kontribut të jashtëzakonshëm të z. Naser, i cili na e dhuron dhe na i jep të drejtat autoriale për shfrytëzimin e dokumentarit për qëllime shkencore”, ka shtuar Asani.