Vera Bekteshi, Durim Taçi, Shpresa Qeriqi, Entela Kasi dhe Biser Mehmeti janë 5 autorët finalistë për Çmimin letrar “Kadare” 2022. Më 27 shkurt do të kurorëzohet autori shqiptar fitues në gjininë e prozës, në edicionin e shtatë të këtij konkursi.
Dorëshkrimet e paraqitura nga këta autorë në gjininë e romanit dhe të prozës së shkurtër, u veçuan nga juria mes 21 veprave të autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, të cilët u përfshinë në këtë konkurs.
E kryesuar nga studiuesja dhe përkthyesja e mirënjohur Diana Kastrati, juria e këtij edicioni të shtatë ka në përbërje të saj Dekanen e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, prof.as.dr. Belina Budini, studiuesen dhe pedagogen e UET, Irena Myzeqari, studiuesin dhe shkrimtarin e njohur nga Kosova, Adil Olluri, si dhe shkrimtarin Namir Lapardhaja.
Kryetarja e jurisë, Kastrati, e sheh me përgjegjësi sa edhe ngazëllim këtë angazhim: “Duke i qëndruar bindjes se çdo garim letrar i mirëfilltë është një investim afatgjatë për një shoqëri, ky i Çmimit Kadare i është futur bindshëm këtij rrugëtimi, prej disa vitesh tashmë. Sikur në një vit jete letrare, një talent i vetëm të zbulohet, edhe nëse një person më shumë motivohet të shkruajë me mendjen se dikush është atje per ta lexuar, sikur një autor merr guximin ta quajë veten autor prej Çmimit ‘Kadare’, atëherë e gjithë kjo juri e ka përmbushur misionin e vet ndaj letërsisë, ndaj komunitetit, ndaj të ardhmes. Kur një person e mbaronte ciklin e jetës, Sokrati kishte vetëm një pyetje për ata që e rrethonin: a kishte pasion? Unë e di përtej çdo dyshimi që shumë e kanë pasionin e letërsisë mes nesh. E kjo juri do të jetë aty për ta ruajtur e transmetuar këtë pasion, si sekretin më të mirë publik. Le ta bëjmë mirë!”
Ndërsa Dekania Budini vlerëson nga një tjetër perspektivë: “Organizimi i konkursit letrar për Çmimin Kadare që prej fillimit është bërë në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET. Edhe këtë edicion eventi përfshin Departamentin dhe Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, jo vetëm si pjesëmarrje në jurinë e përzgjedhjes së dorëshkrimit letrar më të mirë, por edhe në kuadër të Ditës së Humaniteteve, që mbahet në Llogara. Duke qenë për herë të parë edhe në jurinë për akordimin e Çmimit këtë vit, do të jetë rasti për të kontribuar drejtpërdrejt edhe në përzgjedhjen dhe shqyrtimin e prurjeve letrare, gjë që është një përgjegjësi më teper, por edhe një mundësi për të lexuar dhe çmuar vepra dhe autore të letërsisë shqipe. Çmimi ka lindur si iniciativë nxitëse për krijimtarinë e re në formën e veprave letrare të pabotuara më parë dhe si i tillë do të vijojë të ftojë dhe mirëpresë për botim prurje cilësore emrash të njohur e të rinj, me qëllim mbështetjen e tyre edhe financiarisht, përveçse përmes infrastrukturës së promovimit publik dhe vleror.”
Shkrimtari Adil Olluri beson se:“Vlerësimi në një juri letrare nuk është një gjë që mund të bëhet me kollajllëk. Anëtari i jurisë përpos që i peshon veprat artistike të mëtonjësve për shpërblim letrar, ai vë në peshojë edhe moralin e tij intelektual, shijen e tij estetike dhe dijen në fushë të letërsisë. Andaj, punën si anëtar jurie në çmimin letrar “Kadare” e marr me përgjegjësi dhe me risk e drojë. Shpresoj që zgjedhjet tona do ta befasojnë lexuesin, natyrisht për të mirë.”
Irena Myzeqari veçon: “Kam pasur fatin të dëshmoj ndër vite punën skrupuloze të jurisë së Çmimit ‘Kadare’, duke respektuar dedikimin e tyre në qëmtimin e të rrallës, ose të paktën e vështrimit më autentitik, gjë të cilën e vërtetojnë disa fitues të këtij çmimi, siç ishte edhe Gani Mehmetaj me veprën mbresëlënëse ‘Zogjtë e qyqes’. Ftesa për të qenë në juri këtë edicion të shtatë të Çmimit, më vesh me një përgjegjësi të madhe, jo vetëm ndaj dashurisë që ushqej për fjalën e shkruar, por edhe ndaj çdo autori, burrë a grua, shegert i prozës a dorë e mendje e stërvitur, të cilët besoj se shohin tek ky Çmim, një continum të dëeshirës për ta mbështetur letërsinë si një ndër praktikat sociale që e kultivon më fisshëm estetikën njerëzore.”
Namir Lapardhaja çmon se: “Të jesh pjesë e jurisë së një çmimi letrar është një sfidë, pasi duhet të gërshetosh gjykimet dhe shijet personale me këndvështrimet e kolegëve dhe pritshmëritë e lexuesit. Por, të jesh pjesë e jurisë së çmimit “Kadare”, është edhe përgjegjësi për vetë emrin që bart.”
Një sinops i shkurtër i 5 veprave të kualifikuara si finaliste:
Vera Bekteshi me romanin “‘Pusulla letre”
Në romanin “Pusulla letre”, protagonisti rrëfen rrugëtimin e tij të vështirë përmes mosmarrëveshjes me prindërit, alkoolit, drogës, pasojave të përdorimit të tyre, emigracionit dhe gjithë peripecive ku jeta e përplas.
Janë dy nga personazhet e romanit Ora me Rërë, Marini dhe Eteli, nënë e bir, që pas vetëvrasjes së Viktorit, babait dhe burrit të familjes, përjetojnë pasojat e kësaj humbje, jo vetëm në mënyra të ndryshme por edhe të veçuar nga njeri tjetri.
Të dy ëndërrojnë të bëhen artistë të mëdhenj, nëna regjisore teatri, i biri këngëtar rroku. Ajo e ka shkollën dhe përgatitjen, ai ka veç ëndrrën, por është i vendosur deri në delir për ta ndjekur atë.
Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Tiranë, por dhe në Selanik e Londër dhe në qendër të tyre është thuajse kurdoherë Marini, përmes rrëfimit të tij. Nuk e ka aspak të lehtë, sepse i duhet të përballet jo vetëm me demonët e jashtëm, por edhe me ata të brendshmit; sepse dhimbjet e shpirtit janë të vështira të përballohen.
Nënë e bir mësohen të durojnë, të tolerojnë, të përballen dhe ta ndihmojnë njeri-tjetrin përmes përpjekjesh dhe sakrificash të përditshme. Ëndrrat e tyre të mëdha mbeten të tilla, por ata arrijnë shumë e mbi të gjitha paqen me veten dhe të tjerët.
Durim Taçi me romanin “Liqeni në mes të detit”
Një ngjarje ku ndërthuret klasikja fataliste me modernen që shfajëson. Historia e dy çifteve, Albertit e Emilisë, burrë e grua dhe e Mateos që bashkëjeton me Orianën, në një hark kohor prej tetëmbëdhjetë vitesh, ku përfshihet edhe Dario, djalë e nip. Me ndodhitë që pasojnë, rolet konvencionale të personazheve ndryshojnë dhe autori e vë lexuesin përballë pyetjes së njohur të Shopenhauerit: a është e vërtetë se dashuria na qenkësh një rreng i natyrës që do të na shtyjë me çdo kusht drejt bijimit, riprodhimit? Teksti rreket të nxisë përgjigje, por edhe pyetje të reja.
Në këtë roman, qartazi me frymëzim filozofik, kalohet nga dashuria tek bijimi e anasjelltas dhe vizatohen simbolikisht njeriu dhe bota e tij, nga një pozicion mbikohor, brenda një atmosfere midis tragjikes dhe komikes. Ky tekst është një tjetër përpjekje për të gjurmuar lexuesin e leximin, si sfidë e kënaqësi thjesht intelektuale, gjatë e pas procesit të shkrimit.
Shpresa Qeriqi me përmbledhjen me tregime “Mjegull”
Përmbledhja me tregime “Mjegull” përmban tetë tregime, në dy cikle. “Dilema”, “Mjegull”, “Gishtat e Nanës” dhe “Rrëfim” janë tregimet e ciklit të parë që paraqesin një “udhëtim në të kaluarën”, dhe ndikimi që pati lufta në Kosovë edhe në njerëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm.
Ndërsa tema dhe fate të tjera të njeriut në një kohë universale do të trajtohen në katër tregimet e tjera si“ Ceremonia” “Gogol”, “Bishti” dhe “Semafori”.
Në “Mjegull” forma vizuale e rrëfimit e dominon formën e shprehjes së mendimeve, përveç narracionit në vetën e parë.
Entela Kasi me romanin “Rikthimi”
Reporterë lufte, shkrimtarë, përkthyes, diplomatë, artistë dhe gazetarë shfaqen në mënyrë të pazakonshme në një ekspozitë fotografike si personazhe të saj. Përurimi i ekspozitës përkon me ditën e një takimi festiv ndërshtetëror midis Kosovës dhe Shqipërisë në qytetin e Prizrenit.
Në mesnatën e vonë lajmet kanë njoftuar vdekjen e një prej njerëzve më të rëndësishëm të mediave shqiptare, e cila besohet të jetë vetëvrasje dhe po atë pasdite një gazetare e BBC gjendet e vdekur në aeroportin e Stambollit.
Hannah K, e cila është autorja e ekspozitës, njëkohësisht reportere për Amnesty International, i risjell të gjitha ngjarjet e së kaluarës jo fort të largët dhe aktualitetin përmes kujtesës në udhëtimin e saj nga Prishtina drejt Hagës, ndërsa bota është mbyllur krejt papritur për shkak të pandemisë. Ndërkohë kanë humbur ekuilibrat në shoqërinë botërore, në të cilën janë rikthyer konfliktet e hershme midis Lindjes dhe Perëndimit.
Ngjarja e cila duket sikur fillon prej një pike të caktuar gjeografike në një qytet në Kosovë, zhvillohet paralel me ngjarje tronditëse në disa vende të botës ku pika e zgjidhjes duket sikur të jetë diçka e paparashikueshme dhe njëkohësisht dramatike. A do të ketë fund mundimi i qenieve njerëzore dhe i traumave te tyre te trashëguara në gjithë këtë histori, pavarësisht kufijve, racës, përkatësisë etnike apo identitetit, ndërsa përballen me realitete të reja në të cilat duket sikur e shkuara të jetë kthyer në të tashmen, dhe e ardhmja është krejt e panjohur? Kjo retorikë thelbësore që ndërtohet në këtë roman, mbetet boshti qendror i parabolës sociale dhe politike në këtë prozë.
Biser Mehmeti me romanin “Të jetosh me vdekjen”;
Në qendër të rrëfimit të romanit në dorëshkrim “Të jetosh me vdekjen” është një familje kosovare, kryefamiljari i së cilës është një luftëtar që lufton krahas shumë të tjerëve për lirinë e vendit. Peripeci të shumta të një jete në arrati, me sakrifica që peshojnë mbi jetën e njeriut të thjeshtë në kushtet e mbijetesës, nën peshën e vendimeve të vështira, personazhi kryesor është edhe narratori i rrëfimit. Kalvari i tij dhe familjarëve shpalos një realitet që jo gjithkujt i takon ta përjetojë, ndërsa rrëfimi të përfshin në lexim.
***
E drejta e autorit të veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës “Leteratura”. I gjithë projekti i Çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe organizimi i Shkollës Dimërore të Humaniteteve në Llogara, një aktivitet me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit dhe mendimit.
Autori fitues, sipas Statutit të këtij Çmimi, do të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median që i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”. Instituti Europian “Pashko”, përmes Botimeve UET PRESS dhe kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë shqipe, ka të drejtë për të përzgjedhur për botimin edhe dy vepra të tjera mes pesë finalistëve.
Çmimi “Kadare” është kthyer në këto vite në një institucion të rëndësishëm të gjykimit të letërsisë. I krijuar në vitin 2015, Çmimi “Kadare” është pjesë e iniciativës letrare të Institutit Europian “Pashko”, për të promovuar dhe nxitur letërsinë e mirë shqipe. Ai është pjesë e një rrjeti të tërë iniciativash me vlerë publike, si Rrjeti i Kritikës Shqipe, Qendra e Studimeve Shqipe “Kadare” dhe Klubi Letrar “Kadare”./gazetamapo
Lexo edhe:
KËTA JANË DHJETË AUTORËT QË VIJOJNË GARËN PËR ÇMIMIN “KADARE”