Këta janë dhjetë autorët që vijojnë garën për Çmimin “Kadare”

– Biser Mehmeti me dorëshkrimin e romanit “Të jetosh me vdekjen”
– Bujar Balliu me romanin “Era ndez qirinj”
– Bujar Skëndo me “Psherëtima e fundit”
– Durim Taçi me “Liqeni në mes të detit”
– Entela Kasi me romanin “Rikthimi”
– Fatmir Halimi me “Makthi”
– Kujtim Lapa me “Vdekja e Orlandos”
– Renis Hyka me përmbledhjen “Tregimi më i shkurtër në botë”
– Shpresa Qiriqi me përmbledhjen me tregime “Mjegull”
– Vera Bekteshi me romanin “Pusulla letre”

Janë këta dhjetë autorët e përzgjedhur nga juria për të vazhduar garën për Çmimin “Kadare” 2022, mes 21 autorëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora.

Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të autorëve që aplikuan në këtë konkurs me dorëshkrime të veprave të tyre, juria përzgjodhi dhjetë prej tyre duke çmuar vlerat e secilës vepër të paraqitur, me mirënjohjen e thellë për kontributin dinjitoz të secilit prej autorëve të përfshirë.

Shkrimtarët e përzgjedhur duhet të dorëzojnë dorëshkrimet e plota të veprës së tyre, pranë adresës së bërë publike nga juria ([email protected]), brenda pesë ditëve nga shpallja e emrave të tyre si fitues.

Në 22 shkurt 2022 do të shpallen 5 emrat finalistë në fazën e dytë të konkurimit. Ata do të vijojnë garën për çmimin letrar.

I mbështetur nga Fondacioni “Pashko”, projekti i Çmimit “Kadare” do të kurorëzohet me shpalljen e fituesit më 27 shkurt 2022. Kjo është edhe dita e fundit të Shkollës Dimërore të Humaniteteve, e cila do të mbahet në Llogara.

E drejta e autorit të veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës Leteratura. I gjithë projekti i Çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh. Aty përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe organizimi i Shkollës Dimërore të Humaniteteve në Llogara, një aktivitet me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit dhe mendimit.

Autori fitues, sipas Statutit të këtij Çmimi, do të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median. Këto i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”. Instituti Europian “Pashko”, përmes Botimeve UET PRESS dhe kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë shqipe, ka të drejtë për të përzgjedhur për botimin edhe dy vepra të tjera mes pesë finalistëve.

I krijuar në vitin 2015, Çmimi “Kadare” është pjesë e iniciativës letrare të Institutit Europian “Pashko”, për të promovuar dhe nxitur letërsinë e mirë shqipe. Ai është pjesë e një rrjeti të tërë iniciativash me vlerë publike, si Rrjeti i Kritikës Shqipe, Qendra e Studimeve Shqipe “Kadare” dhe Klubi Letrar “Kadare”. /alb-spirit.com

ObserverKult

____________________

Lexo edhe:

ÇMIMI “KADARE” INKURAJON DHE PROMOVON LETËRSINË SHQIPE