“Pesha e baltës”, dokumentari për të zhdukurit në diktaturë

“Pesha e baltës” është një dokumentar i cili i kushtohet të zhdukurve gjatë diktaturës. Janë 6 mijë të pushkatuar, të vdekur nëpër burgje e kampe internimi, eshtrat e të cilëve nuk dihet ku janë.

Gazetarja Luljeta Progni tregon detaje rreth dokumentarit i cili vjen si bashkëpunim me ISP.

“Është një dokumentar që i kushtohet të zhdukurve me forcë gjatë diktaturës komuniste dhe dhimbjes së familjarëve të tyre. Janë 6 mijë të pushkatuar, të vdekur nëpër burgje e kampe internimi, eshtrat e të cilëve nuk dihet ku janë.

Në bashkëpunim me ISP, studiuesin Afrim Krasniqi dhe me mbështetjen e ICMP, punuam prej disa muajsh për realizimin e këtij dokumentari që synon të risjellë në vëmendje historinë tragjike të të zhdukurve me forcë në Shqipëri, vuajtjen shpirtërore, ku përkundet tragjizmi i historive si ajo e familjes Kadeli.

Në kampin e Tepelenës, ende pa belbëzuar fjalën e parë, u shua Pashka Kadeli 2-vjeçe dhe Marta, kushërira e saj që 2 javët e vetme në këtë botë i jetoi brenda rrethimit ku sundonte urrejtja, uria dhe sëmundjet. U shuan 600 të internuar të tjerë gjatë 4 viteve në kampin famëkeq të Tepelenës. Ku u ngujuan në kushte ç’njerëzore gra, fëmijë e të moshuar…

Kush mbeti gjallë, këndoi këngën e vajit… dhe brenga e saj vazhdon deri sot, kur më duket sikur krijojnë melodinë e zërit të nënës sime; një brengë që na e kujton prore të shkuarën e dhimbshme. E këndoi edhe ajo këtë këngë se ishte aty për rreth dy vite, mes telave me gjemba të atij kampi.

Kjo melodi vjen si amanet për ne dhe brezat që vijnë, për të mos harruar vuajtjet e tyre, për të mos harruar eshtrat e fëmijëve. Grave e të moshuarve, humbur shpateve të atyre maleve dhe brigjeve të lumit të Bënçës.

Falenderoj përzemërsisht Bojken Lakon për ndjeshmërinë dhe përkushtimin në realizimin e këtij versioni të këngës së vajit, që u bë pjesë e kolonës zanore të dokumentarit “Pesha e baltës””, tregon gazetarja./kohajone.com

LEXO EDHE: 40 VITE PA DRITA ÇOMON, SHFAQET DOKUMENTARI “DRITË NË HUMNERË”