“Peshkatarët e perlave” të Inva Mulos, online nga TKOB

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, në kuadër të sezonit artistik të pazakontë online, #ndiqOPERAMEPIZHAMA, shfaq në fundjavë operën “Peshkatarët e perlave” të kompozitorit Georges Bizet, e cila ktheu në skenë, në vitin 2017 jo vetëm në rol, por edhe si regjisore, sopranon Inva Mula.

Opera “Peshkatarët e perlave” u shfaq për herë të parë në skenën e TKOBAP-së në mars të vitit 1964, me regji të Luigj Gurakuqi, ku rolin e Leilës e interpretonte Nina Mula, nëna e Inva Mulës, që ishte edhe motivi e sfida kryesore për ta risjellë në skenë, këtë rradhë me anë të një trashëgimie artistike, ku rolin e Leilës në produksionin e ri, e interpretoi vetë Inva Mula.

Ngjarja ndodh në lashtësi në ishullin Ceilon (Sri Lanka) dhe tregon historinë e dy burrave, premtimet e të cilëve për miqësi të përjetshme, kërcënohen nga dashuria për të njëjtën grua. Premiera u mbaj në Francë në vitin 1863 dhe nuk pati rivënie për aq kohë sa kompozitori i veprës ishte gjallë. Më pas, që prej vitit 1886 u vendos në Europë e në Amerikën e Veriut, kurse që prej mesit të shekullit të 20-të, ka gjetur vend në shtëpitë e teatrot e operës në mbarë botën.

Të premten dhe të shtunën, 19 dhe 20 qershor, ora 20.30, produksioni me regji të Inva Mulës, me pjesëmarrjen e trupave të TKOB-së, orkestra, solistët e vokalit, kori e trupa e baletit me koreografi të Enada Hoxhës e Gerd Vasos, ku interpretojnë përveç Inva Mulës, Armando Likaj, Caner Akin e Aurel Thëllimi, mund të ndiqet në kanalin zyrtar të TKOB-së në youtube, si edhe livestream në profilin e teatrit në Facebook.