Pësoi sulm në tru/ Rrëfimi prekës i Genci Fugës: Më rikthehu në jetë dashuria…

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, ishte regjisori dhe aktori i njohur Genci Fuga, për të rrëfyer një nga momentet më të vështira të jetës së tij.

Në fund të muajit korrik të vitit të kaluar, aktori i njohur Genci Fuga pësoi një sulm në tru dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente në një spital privat në Tiranë. Pas problemeve me shëndetin, duket se Genci Fuga ia ka dalë, dhe sot gëzon shëndet të plotë.

”Jam shumë i lumtur dhe falenderues, sepse u riktheva ekskluzivisht falë dashurisë”, tha në studio aktori, ndërsa shtoi se ishte gjithashtu i lumtur që Perëndia i dha këtë sfidë përpara dhe e rrethoi me njerëzit e duhur për t’ia dalë. ”Unë besoj se dashuria është si bumerangu, hidhe se herët a vonë do të kthehet, kështu që dhe mua dashuria që mora më ndihmoi të kthehem” theksoi ai.

Dhe në ‘jetën e dytë’ ai ka zgjedhur të marrë dhe të japë dashuri, e kjo është monedha më e mirë që ka.

”Ju nuk e keni idenë se sa e bukur të duket bota, kur të vjen si imazh- gjëja e parë pasi u ktheva ajo ishte fytyra e Enit”, tregoi Genci i emocionuar.

Nga kjo periudhë e vështirë ai kuptoi sesa pak është fjala “Faleminderit” dhe forcën e madhe të dashurisë që kishte nga familja dhe njerëzit që aq shumë e duan.

”Kam filluar që tani të vlerësoj kohën dhe ta harxhoj me gjëra të mira dhe të rëndësishme, ndryshe nga më parë ku nuk e vlerësoja kaq shumë” theksoi Genci, teksa foli për ‘mësimin’ që kishte marrë nga kjo histori. ”Si në jetën e parë, por dhe tashti në jetën e dytë, unë nuk kam rreshtur pa dashuruar Enin si femër” tha Genci i emocionuar.

Gjatë emisionit ai u përshëndet dhe nga dy miq zemre si Rozi Kostani dhe Alert Çeloaliaj, të cilët shprehën vlerësimin për Gencin si mik, koleg, bashkëshort dhe baba i dedikuar. Pas ngarjes së vitit të kaluar, aktori i njohur u rikthye mes kolegëve dhe miqve. Ai sot gëzon shëndet të plotë, pasi në një kohë rekord, brenda pak orësh nga apeli i bërë nga aktorja dhe bashkëshortja e tij Eni Jani, shuma e kërkuar për ndërhyrjen u sigurua, madje u mblodhën 43 mijë nga dhurimet përmes aplikacionit ‘gofundme’. Rreth 1200 qytetarë kontribuan për shërimin e Fugës, mes të cilëve artistë, kolegë, aktorë dhe personazhe publike. Po atë mbrëmje aktorja Eni Jani njoftoi mbledhjen e shumës, ndërsa falenderoi miqtë e publikun për mbështetjen dhe ndihmën monetare si dhe mjekët që kryen operacionin.

ObserverKult


Genci Fuga

Lexo edhe:

GENCI FUGA IU NËNSHTRUA NJË OPERACIONI TË VËSHTIRË, JA SI ËSHTË GJENDJA E TIJ SHËNDETËSORE