Petraq Kolevica vlerësohet me çmimin “Mjeshtër i arkitekturës”

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë vlerësoi me çmimin “Mjeshtër i Arkitekturës” Petraq Kolevicën. Kolevica është një nga arkitektët e parë, që është formuar në Universitetin Politeknik të Tiranës. Ai gjithë jetën e tij e ka ndarë mes arkitekturës dhe letërsisë.

“Mjeshtër i Arkitekturës” për këtë vit në Shqipëri u vlerësua Petraq Kolevica. Ky çmim iu dorëzua në moshën 85-vjeçare nga Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë në ArTurbina, për veprat e bukura, por edhe për jetën prodhimtare që ka pasur. I lindur edhe i rritur në qytetin e Korçës ndikimet që do të merrte nga piktori Vangjush Mio do t’i reflektonte më pas në zgjedhjet që do të bënte. Pas studimeve në Universitetin Politeknik të Tiranës, Kolevica do të ishte një nga studentët e parë, që do të përfundonte studimet për Inxhinieri Ndërtimi edhe do t’i dedikohej arkitekturës. Për arkitekturën, por edhe për kontributin që Kolevica ka dhënë në letërsinë shqipe, miqtë edhe kryetari i Shoqatës, Armand Vokshi, e cilësojnë Kolevicën një figurë poliedrike.

“Është një moment shumë i veçantë, sepse Petraq Koelvica e meriton këtë vlerësim për të gjithë ato vepra të bukura që ka bërë edhe për të gjithë atë jetë prodhimtare që ka pasur”, shprehet Vokshi.

Një nga miqtë edhe kolegët, që e ka shoqëruar gjatë në udhëtimin që ka bërë Kolevicën edhe arkitekti Maks Velo.

“Unë Petraq Kolevicën e kam njohur që në fillore, pastaj në unike, pastaj në gjimnaz. Më pas erdha në Tiranë, e pastaj Politeknikun e mbaruam bashkë. Ishte merita e Besim Dajës që na përgatiti të dyve. Ne ishim dy arkitektët e parë që dolëm nga Politekniku. Ka qenë një periudhë e vështirë, por edhe kjo që kalojmë sot nuk është periudhë e bukur. Kemi punuar bashkë në një zyrë, kur bëri bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë. Kishte një cilësi të veçantë, sepse çdo gjë e bënte me një vullnet të pakthyeshëm, aq sa atë që bënte ai s’mund ta ktheje pas. Tirana dhe Korça janë dy qytetet, që ai ka lënë gjurmë”, shprehet arkitekti Velo.

Për arkitektin Arben Biçoku çmimi duhet që të ndahet mes Petraq Kolevicës, edhe bashkëshortes së tij, që tërë jetën e ka mbështetur në punën që ka bërë.

“Pas një burri të suksesshëm qëndron një grua e mençur, ajo grua e mençur quhet Edita Kolevica. Kam bindjen që pa Edita Kolevicën ato vepra nuk do të ishin ashtu. Prandaj, mendoj se çmimi u takon të dyve sot”, thotë  Biçoku.

Ndonëse matematicienin Aleko Minga, e konsideron Kolevicën, si një nga miqtë e tij më të mirë, që ka pasur përherë shpirt artisti.

“Petraqi është artist në shpirt, që e ndiente të bukurën, e zbulonte magjiken edhe kur syri tjetër nuk e zbulonte atë. Këtë shkëndijë hyjnore që kishte në shpirtin e vet e shndërroi në një flakë edhe bëri gjëra të dobishme për shoqërinë”, shprehet Minga.

Fjalët që zgjedh mjeshtëri për të falënderuar të pranishmit për këtë vlerësim janë të ndjera.

“Tani që jam i rrethuar nga kaq miq, shokë, të njohur edhe ta panjohur, nga shumë arkitekt të rinj, e ndiej veten shumë të nderuar, ashtu sikundër nuk kam qenë asnjëherë. Shumë ju faleminderit!”, thotë Kolevica

Petraq Kolevica (1934) ka realizuar shumë objekte, si godina e Sanatoriumit, banesa pranë kinema Partizanit, blloku i banesës pranë Bankës Kombëtare, godinë banimi në hyrje të bllokut, ndërtesën e Institutit të Kërkimeve Veterinare në zonën e Kinostudios. Është bashkautori i Ekspozitës “Shqipëria sot”, ish- Agjencisë Ajrore Kineze në Bulevardin Zog i Parë. Ka realizuar bllok banese për diplomatët në rrugën “Skënderbe”, është bashkautor në projektin e Muzeut Historik Kombëtar, edhe në Koçë është autorë i disa objekteve, ku mes tyre është biblioteka “Thimi Mito”, që ka ndryshuar pamje kohët e fundit. / shqiptarja