Petrit Ruka: Baba, ne ikëm, shtëpinë e braktisëm…

Petrit Ruka

Baba, ne ikëm, shtëpinë e braktisëm,
një kohë arixhinjsh jeton gjithë bota
dhe foton tënde nga muret e zbritëm,
si kyç një palë lot vendosëm tek porta

Ikëm, or ikëm, vendlindjen e vramë,
në metropole u mblodhëm si punë e iriqëve,
(e ke parasysh kur e vjelin një pemë
dhe mblidhet e ngjishet si në vargjet e fiqve?!…)

U ngjeshëm këtej ndër halle të reja,
e humbëm dhe barin, dhe gjumin, dhe këngën,
gjithçka është gati në dyqane luksoze,
dyqan – psikologu, të të kallais dhe zemrën

Ne ikëm dhe varrin ta futëm në një video,
të dielën të takojmë në xhamin vizual,
me mend i vëmë lulet, dy lot, një cigare,
jetojmë me simbole, botë me manual.

Në fshat nuk shkojmë, e kemi me vete,
tani gjithçka e mbajmë në kuti,
kjo kutia baba e ka emrin kompjuter,
në xhamin e tij takon çdo njeri.

Në xhamin e tij gjen nuse, bën dasmë,
puth djemtë e vëllait në tjetër kontinent
dhe nënën e qan nga mijëra kilometra
tek e fusin në varr, me video – konferencë.

Ne bashkë do bëhemi kur të vijmë aty poshtë,
këtu lart u ndamë për jetë e për mot,
s’të shkruaj më shumë, se ti e di mirë,
qëllova i dobët dhe mbytem në lot.

Nuk dimë ku shkojmë, s’ka kohë të mendohesh,
nxitojmë nga që thjesht është në modë nxitimi,
një kohë arixhinjsh jeton sot tërë bota,
ah, ik edhe thur kanistra pikëllimi…

ObserverKult

———————————-

Lexo edhe:

Petrit Ruka: Dashuria ka shijen e fortë të vdekjes