Petrit Ruka: E shkreta, nëna ime!

Petrit Ruka

Poezi nga Petrit Ruka

E shkreta, nëna ime,
tre ditë e tre netë në koma,
vdiq në një nga datëlindjet e mia…

Shuhej e shuhej zemra në ekranin mbi kokë,
mbajtur me rrjeta tubash plastike,
s’i dilte më tërë oksigjeni i gjithë botës,
E lutej të shkonte,
ne se linim të ikte.

Binin vijëzat e shpirtit, të kaltra, në ekran,
drejt zeros bursa e jetës së saj
në bisht të grafikut,
vëllai biolog, i studiuar Parisit,
ia dorëzonte një nga një titujt panikut…

Ç’të bëjnë më mjekët me përzierje kimikatesh,
vrapojnë drejt meje – ilaçi i fundit,
i vogli i nënës.
Unë hyj sërish që t’u dhuroj ca minuta,
po unë s’jam mjek, ia lë në dorë zemrës.

Ulem pranë saj, nuk di çfarë i flas,
ajo lëviz qepallat nën maskën plastike,
“Kozmonautja ime, o nënë, ku shkon,
kam frikë të ikësh
në ato fundbotrat kozmike.

Të lutem Nën-o, kam frikë pa ty,
dhe zë i tregoj si më lindi një nate,
dua ta prek aty ku s’duron?
Apo tani ta lind unë
përmes një lëngate?!

Të kujtohet i them, kur Havaja e Kuçe
ma preu kordonin me dhëmbë,
s’iu ndodh gërshërë,
kur të piva gjirin dhe bota u përsos,
se bota për ty akoma s’ish bërë?!

Dhe shoh se si vijëzat në ekranin e kaltër ngrihen
si valëza e Vjosës nga era,
shqyejnë sytë profesorët që kohë kanë fituar
përziejnë kimikate të tjera…

E shkreta nënë, tre netë pa ndjenja,
me lutjet e mia
u mbajt e kandisur.
Pastaj u lodh e m’u lut; “O bir.
më ler të shkoj andej nga jam nisur.”

Ma pre këtë kordon ajri që bie,
drejt e nga mushkritë e tua, o djalë,
dhe unë nuk doja
të të nxirrja prej barkut,
po ti hidhje shqelma për botën e gjallë.”

…….

Në koridor me mjekun, aty sy më sy,
u pamë tërë një jetë …
vendosëm për “Po!”
Nisu astronomia ime e bukur drejt yjeve
Digj lotët e mi për t’u ngjitur ku do…

Kujdes mos të digjen ato gërshetat e mbetura
sa gishti im i vogël, nën vesh.
Kudo që të shkosh,
kësaj datëlindjeje që ike,
përpara do më gjesh…

E di përse ike në ditën që më linde,
deshe të më lindje dy herë.
Në fakt unë të linda ty prej një kënge
kordonin e saj duke prerë…

O i lumi Petrit, Petrit, o i mjerë!…

ObserverKult


Lexo edhe:

PETRIT RUKA: NUK DI Ç’TË BËJ TANI ME TY

ObserverKult