Petrit Ruka: Grua e Jugut

Qenkeshim dashur tërë jetën dhe nuk e paskemi ditur,
Grua e Jugut,
deri ditën kur u ulën në një kafe
dhe pimë gllënjkë pas gllënjke njëri – tjetrin
deri në fund
me etjen e deveve shtatzana…

Të prita në këmbë
siç pritet një Zonjë e Madhe
dhe m’u duk sikur isha aty i ngulur
që nga dita e fundit e maturës,
me vjershën e parë të dashurisë në xhep.

Kisha marrë nëpër stacionet e humbura
të gjitha pritjet e grave të jetës sime,
me një biletë të pagrisur në dorë,
sa nuk dija si ta mbaja atë mushkën e padurimit,
me thundrat tek zemra ime.

Kur u ulëm, mulliri që bluan kafen,
filloi të rrotullohej vetëvetiu,
Vrapoi kamarieri që u skuq prej turpit ta fikte,
po nuk mund të fikej.
Lëre, duhet t’i thoshja, lere,
nuk pushon pa bluar shtatë mijë kafet e papira
me këtë grua.

Ti nuk e vure dot re,
se si u veshën me avull tej e tej xhamat,
se si u ndërrua vetë në sidiplejer muzika,
dhe pastaj ra një çast heshtja,
të dëgjohej pëlcitja me fllucka mundimi e ajrit,
tek priste i ngjeshur e i fanepsur pas mureve,
që njeri prej nesh ta thoshte fjalën e madhe:
Të dua!

Po ti nuk fole.
Nuk flasin, vetëm qeshin
gratë e Jugut,
qeshin dhe pjekin në gjinjtë e tyre nga një portokalle,
pas çdo vështrimi prej burri.

Nuk dija ç’ti bëja sytë
dhe i futa në të katër vrimat e komçës së tretë
të këmishës tënde që qante e kyçur,
derisa ti e ndjeve palcë më palcë dëshërimin
dhe u mbështete paq tek mendja ime.

Qeshe me një krua gurgullimash
duke rrotulluar tërë kokat e grave të tjera nga vetja.
Atëhere, pikërisht atëhere,
dëgjova ajrin që u drodh
dhe ndjeva se si plasën në tavan tollumbacet e purpurta
të orgazmave të tyre.

E ndjeva që ti ishje e pritura e ëndrrave të fshehta
duke i patur brenda të gjitha fill e për pe
deri tek buka e grunjtë dhe kripa.

Grua e Jugut, ti ishje shoku dhe malli për motrën e vdekur,
Ishje boti me vere në dru lisi,
Supi i nënës, qepa e bardhe, oxhaku i ndezur, djathi,
perëndim i rubintë në vetullën e Çamërisë,
shall fëmije dhe bishti i ketrit,

Pastaj të pashë nëpër grykë
si rridhte uji i ftohtë i Tepelenës,
pashë tymin tim të cigares
pas dashurisë deri deri në shkalafitjen e krevatit,
dhe kortinkën e nënës në dritaren e mallëngjimit,
dhe Lotin tim për shokun e jetës, Viktorin
që iku se kish një vrimë në zemër.

Nuk i numuroj dot të gjitha:
Nuk do të flas për brrylin e Vjosës,
ku qan akoma një dashurie humbur,
as për famën e poetit të madh
që paska qënë e murosur tek urat e supeve të tua…
po ti i ke të gjitha brenda,
siç i ka një grua e Jugut, që çel sa herë të dojë
me vetullën e saj limonat e Mesdheut…

Qenkeshim dashur tërë jetën dhe nuk e paskemi ditur,
Ulërima ime,
O grua e Jugut!
Tani bëhu gati për ta pjekur këtë dashuri sublime
Me dritën e njëmijë hënave të majit…

ObserverKult