Grua ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Jemi sharë në dritë dhe jemi puthur në errësirë,
Kemi vendosur të ndahemi dhe kemi thënë; e po mirë!
Dhe prapë jemi puthur ashtu si për lamtumirë.
Kemi gënjyer njeri-tjetrin, kemi bërtitur s’të dua,
Kemi pështyrë mbi proverbin që qënkeshim mish e thua,
Kemi mburrur kontratat që bëjnë në Amerikë.
Kemi thënë njëmijë herë; u mbush kupa dhe pikë.
Pastaj jemi përqafuar ; “e po unë isha në gjumë “
Jam futur në mishin tënd siç futet në shkretëtirë një lumë,
Jemi sëmurur dhe fshehurazi i jemi lutur qiellit,
Na është holluar shpirti nga frika si fija e perit.
Dhe prapë jemi zënë sa janë tundur tepsitë,
Kemi ndarë dyshekun me vijë, (ah, vijë e florinjtë,)
Po në errësirë kufirin e kemi shkelur si barbarë
Me dredhi ballkanike që as O.K.B-ëja s’ka parë.
Grua, ma ke nxirë jetën dhe jetën ta kam nxirë,
Ma ke pirë gjithë vrerin dhe helmin ta kam pirë,
Po ja që s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar
Mos pushofsh kurrë, moj luftë dhe qofsh e bekuar!
ObserverKult
Lexo edhe:
PETRIT RUKA: SHKOLLA MAGJIKE E FOLKLORIT PËR POEZINË
(Mos u nis për udhë, po nuk kalove nga kjo shkollë…)
Shkolla e parë estetike e çdo poeti drejt letërsisë është pa asnjë dyshim folklori. Një shkollë që fëmija e fillon pa u pagëzuar ende me alfabetin, leximin e librave letrarë apo llojeve të tjera të artit. Një shkollë e hatashme në të gjitha pikëpamjet; për fantazinë e tij, befasitë, gjetjet brilante, ritmin, muzikalitetin, magjinë e renditjes së fjalëve.
Magjepsja e tij e parë nuk ka se nga të vijë tjetërkund, veçse nga përrallat, legjendat, baladat e sidomos këngët e dëgjuara në dasmat, festat e ndryshme familjare.
Kjo është e para bibliotekë e tij, ardhur ashtu pa rend, pa mësues, pa shpjegime. Duke krijuar në kokën e tij një “rrëmujë” të mrekullueshme e të bekuar përfytyrimesh që do ta ndjekin deri në varr.
Tekstin e plotë e gjeni KETU
ObserverKult