Enver Gjergjeku: I zgjuar në shi

Po shndërrohet stina në një luledielli:
Klithjet e një rritje shpërthejnë n’li të ri.
Mbyllur në do sytha-zgjuar në një shi,
Bukë është kënga ime dhe ujem prej dielli.

Po shndërrohet hëna në bërthamë të shegës;
Vera me dhëmbë t’rinj kafshon gjeth’t e veta.
Kudo lëkura ime (në blerim u treta)
Varur si flamur mu në krah të degës.

Disa gjethe t’reja po m’i ngjajnë qerpikut
Të lotuar pas gazit, kur frymë merr hareja-
Xhevahirë të gjallë peng q’i la rrufeja.

Shu’ju fjala ime-nëse ia hudh mikut!
Si një lis i lashtë plak’ pas shpinës sime,
Muzgu ka zënë rrënjë mu në këmbën time…