Petrit Ruka: Kadri Roshi, mos bëj si i vdekur!

Fragment nga libri im “Kadri Roshi, Kalorësi mbi det” botim i vitit 2009

6 shkurt 2007.
Premiera e shfaqjes se fundit.
Kadri Roshi rri i shtrirë në arkivol.

Ne jemi mbledhur të gjithë rreth teje dhe po presim. Mjeshtër, çfarë do të na luash sot? Je në mes të teatrit, me gjithë këtë publik të heshtur dhe të përpirë prej teje si në asnjë shfaqje tënden. Hajde, pra, mjaft ndenje shtrirë në atë arkë të vogël, të mbuluar me kaq shumë lule! Lëviz! Vepro, fol, interpreto! Mjaft e luajte të vdekurin! Asnjeri nuk të beson për këtë rol. Asnjeri nuk po ta pëlqen këtë shfaqje. Ngjan shumë e padurueshme kjo heshtje. Çohu, pra, se asnjeri nuk e beson dot që një burrë si ty mund të vdesë prej vërteti. Mos e tepro, Mjeshtër! Që të ta themi troç, vërtet na ke luajtur mendsh me të gjitha pjesët e tua, po sot,… sot, sikur nuk po na pëlqen fare ky rol, gjithë kjo heshtje kaq e gjatë.
Po Ti nuk po e çan fare kokën për ne, vazhdon të rrish shtrirë në arkën tënde dhe aq të bën që koha po kalon. Çfarë dreqi të ka shkrepur kështu sot?!
Mos vallë vërtet?!…
………………………………
Televizionet ishin të gjitha aty.
Trupi i pajetë i Mjeshtrit të Madh të skenës dhe ekranit, Artistit të Popullit, Kadri Roshit, Nderit të Kombit, qëndron i vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar.
Kjo është hera e fundit që prehet në shtëpinë e tij pas 63 vjetëve të pandara pune në këtë ndërtesë. Ka hyrë në këtë sallë 22 vjeçar, me katër klasë shkollë fillore. Po del si një Univers i tërë, si një shkollë e papërsëritshme teatrore, si legjendë e kohëve moderne, e pranuar botërisht nga të gjithë njëzëri.
Sapo ka hyrë në panteonin e shqiptarëve të ndritur me të cilët ky komb do të mburret brez pas brezi.
Televizionet janë të gjitha aty.
Rreth trupit të pajetë një tufë e ngatërruar kabllash përpijnë arkëmortin, lulet, rreshtin e pafund të pelegrinazhit dhe e nxjerrin me figurë direkt lart në ajër. Me frekuenca të ndryshme dërgojnë tutje hapësirave të Shqipërisë të njëjtat pamje. Dhe e njëjta dhembje që ngjishet pas qelqeve të hirta të aparateve televizive kudo, dendësohet aty dhe pastaj struket në zemrat e shqiptarëve. Se ku tjetër gjen rehat dhimbja veç zemrës së njeriut?!…
Shqipëria e gjithë ka ngrirë me këto pamje në sy.
Shqipërisë i është marrë fryma.
Shqipëria është e lemerisur për humbjen e djalit të saj më të dashur.
…Jam midis të tjerëve. Hap pas hapi afrohem tek fundi i arkivolit dhe kam plot pesë minuta që i kërkoj vetes t’i mbaj lotët aty ku janë, brenda kraharorit. Jam një njeri me fat, e kam pasur mik për kokë, kam xhiruar të vetmin dokumentar për jetën e tij dhe ndjej sesi kuja ime vërshëllen brenda në tru. Kam arritur t’i ve të dy duart tek druri i tabutit si për të mbajtur drejtpeshimin. Nuk kam guxim t’i ngre sytë për ta parë, por nuk e përmbaj dot veten. Dua ta shoh edhe njëherë.
E bëj!…
Koka e tij, që dikur më dukej si një kokë luani, ngjan aq e vogël. Është tretur i tëri. I kanë mbetur vetëm kockat. E megjithatë më duket aq i bukur. Befas më kujtohet një plak i moçëm që më pat thënë këtu e tridhjetë vjet më parë, kur isha mësues fshatrave të Tepelenës, që “burri i vërtetë, mishin duhet ta lërë sipër në këtë botë, varrit duhet t’i çoj vetëm kockat e holla, të zhveshura e të pastra si fildishi. Vetëm ai është burrë”. Qysh atëherë më bezdisin të vdekurit e shëndetshëm, a thua se janë ata fajtorë për shëndetin e tyre.
Nuk dua ta besoj që ka vdekur. Mendoj një çast: pamja nuk është e vërtetë.
Një grimë më përvëlon mendjen shpresa e marrë që Mjeshtri i Madh aty në arkën prej druri po luan të vdekurin?! Se ku i dihet Atij! Po sikur të bëjë rolin e tij të fundit, më mjeshtërorin?! E pse jo?! Ai është aktori ynë më i madh, “mashtruesi” më i lavdishëm dhe më i paparë i skenave shqiptare. Ai po na i hedh të gjithëve, po bën të pafrymin. Në fund të fundit a nuk është kjo dëshira e tij, të na mahnit?! Po sikur të ngrihet dhe të përkulet përpara turmës së madhe që është e përlotur?! Ne do të ngrijmë dhe pas hutimit të parë do të fillojmë ta duartrokasim. Më mirë bëhuni gati ta duartrokisni magjistarin!…
Përse të mos e duartrokasim qysh tani, përpara se Ai të ngrihet,… prej arkëmortit?!
Por Ai nuk lëviz…
Dhe ndërsa bëj ca hapa më tej në kokë më buçasin fjalët e tij të xhiruara tek shtëpia e tij në Ballsh në vitin 1997… I di ende përmendësh, siç ndodh kur i ke montuar në film dhe i ke parë dhjetëra herë në monitor…

“E shoh edhe unë që po më mblidhet litari dhe ja, erdha… Të mbledh ç’të mbledh. Dhe ty të faleminderit, moj motër, se je e para që më thua shenjat e shtëpisë sime…Kështu është…Ja këtu kam lindur. Dhe ajo arra e madhe aty ka qenë…”

Kadri Roshi ka vetëm pak orë që është shuar… Jemi tre miq që sapo jemi kthyer nga shtëpia e tij e hapur për kësoll. Rrugës, Timo Flloko përsërit edhe njëherë se Kadri Roshi është…ishte i pakrahasueshëm. Ngul këmbë se nuk ka vend për të qenë i moderuar, i kujdesshëm se mos preket njeri. Është Ai,… ai është më i madhi i të mëdhenjve. Në fytyrë pikëllimi e ka bërë më të zeshkët se ç’është herët e tjera. Dhimbja e tij, e rëndë, e shtruar, më duket një pasuri e tërë… Kemi nevojë të flasim për të, megjithëse themi po ato gjëra që i kemi stërthënë që në të gjallët e tij. Kadri Roshi është një “i vdekur i çuditshëm”, nuk ta jep mundësinë të bësh zakonin e fjalëve të mira, që të vdekurit i marrin me tepri sapo ndahen nga kjo botë. I ka rrëmbyer qysh në të gjallë të gjitha epitetet, edhe ato më të guximshmet. Përderisa quhej një legjendë që kurse ishte mbi tokë, çfarë mund t’i shtosh tani tjetër?! Hyjmë në një kafe pranë Teatrit. Televizionet nuk kanë lajm tjetër, në fashën e titrave që të gjitha stacionet shkruajnë pothuajse të njëjtën frazë: “shuhet legjenda Kadri Roshi” Fjala “legjendë” përsëritet barbarisht nga një stacion në tjetrin. Prej dhjetë orësh. Nuk kanë asnjë faj, nuk mund të gjenin dot një fjalë më të saktë se kjo. Është hera e parë që jam dakord me gjuhën e tyre, ndërkohë që nëpër shumicën e ekraneve shqipja jonë prej vitesh torturohet barbarisht prej një injorance të paskrupullt.

Nata ka rënë gjithandej. “Natë-no, vetëm-o…”

Vargu i këngës së famshme më vetëtin në tru,… por ndjej që mbase nuk kam të drejtë. Vetëm Ai nuk mund të jetë vetëm…
Befas një telefonatë e largët arrin që nga Nju Jorku. Ah, kësaj nuk ia kisha ngenë sot dhe kjo më bezdis. Çohem dhe dal jashtë i përtuar. Një miku im aktor, i ri në moshë, sapo ka mbërritur aty për herë të parë. Me siguri është i emocionuar dhe do ta ndaj me mua habinë për Amerikën. Njëherë mendoj se nuk duhet t’ia prish gëzimin e madh të atij udhëtimi ëndërr, por më duhet të justifikoj pikëllimin tim që ma ka paralizuar tej e tej zërin. Dhe nuk kam të drejtë t’i fsheh një gjëmë kaq të zezë për kulturën shqiptare. Duhet pak kohë që unë të gjej fjalët e duhura dhe t’i jap kumtin e hidhur me frazën e dridhshme:
– Kadri Roshi nuk është më. Ka shkuar për Andej…
Në mikrofonin e vockël të celularit një grimëherë gjëmon heshtja.
Pastaj vjen ngulçi i tij i qullur nga lotët…
Njeriu që tani po qan si fëmijë në telefon është një aktor që nuk i ka mbushur të tridhjetat dhe ka ngrirë me receptorin e telefonit në vesh.
Po qan mijëra kilometra përtej oqeanit, në mes të Manhatanit dhe unë e dëgjoj zërin e tij me jehonë. Edhe të qarën e tij e dëgjoj me eho, a thua se kjo dhimbje e madhe nuk mund të bëjë dot pa u shumëfishuar.
Një minutë para të qarës po më tregonte i mrekulluar sesi po e përjetonte kontaktin e tij të parë me zemrën e Nju- Jork- ut. Ndërsa tani qyteti i madh është lëkundur e është shfokusuar pas perdes së lotëve.
Nuk di ç’të bëj!? Ta mbyll telefonin apo jo?! Nuk di në se një e qarë vlen të rrijë në ajër kaq gjatë nëpër të gjithë këtë gjysmëqiell të botës… E mbyll që të mos bëjë edhe unë të njëjtën gjë. E qara dihet që është ngjitëse. Lotët i kam aty në grykë si një lëmsh përvëlues.
Dhe ndjehem krenar që për Kadri Roshin dikush po qan në anën tjetër të globit. Një djalë i ri që nuk e ka parë dot në skenë (sepse ende nuk kish lindur), “Arturo Ui-n”, “Ezopin”, “Hamletin”, “Abdyl Frashërin, ”Komandantin Rrapo”, “Revizorin”, tërë atë galeri të pafundme realizimesh madhështore
“E ç’mund të arrije më shumë, o Kadri Roshi”, – them me vete. “Të tëra i pate me shumicë në këtë botë. Edhe dhimbjen…”
E lë trotuarin për t’u bashkuar me miqtë e mi.
Befas zilja e telefonit ka cinxërrirë prapë pas disa sekondash.
“Alo, më dëgjon?!…”
Ufff!… Është përsëri zëri i tij, i hakërruar, a thua se po grindet me dikë.
Ai po bërtet dhe kujt dreqin po i bërtet veç vetes?!….
“Alo!….Po mirë!…Mirë, profesor Petriti! Në fund të fundit kemi humbur vetëm një njeri, ë?…Vetëm një njeri?… E po mirë e humbëm! Ë?…Një njeri, pra!… Po kemi fituar një legjendë më shumë. Një legjendë më shumë, e kupton…”
Nuk flas. Dhe ai e ngre gjithmonë e më shumë tonin.
“E di çdo të thotë të kesh një legjendë më shumë, or mik?! Për të fituar një legjendë ndonjëherë duhen një mijë e ca vjet…Më kupton?! A më kupton?”
Ai nuk flet, gati bërtet, a thua se po deklamon një poezi heroike dhe, megjithatë, në zërin e tij nuk ka asnjë grimcë patetizmi…
– Të kuptoj…
“A s’është kështu?… Një legjendë?!…”
E le të flas dhe premtoj me vete se duhet t’ua tregoj një ditë pikë për pikë këtë bisedë lotësh të gjithëve…Këtë bisedë lotësh që endet mbi gjysmën e globit. Njëherë mendoj t’ua riprodhoj këtë emocion shokëve të mi aty në kafe, por në çastin e fundit ndërroj mendje. Përse të mos e kyç këtë episod brenda vetes si një fat timin, ta lë ca kohë aty për t’u fermentuar, pastaj ta shkruaj për të gjithë,… ndoshta (e pse jo?) në një libër…

Besoj se ky ka qenë çasti kur lindi ideja e librit “Kadri Roshi, Kalorësi mbi det”. Mbase e pata menduar edhe më përpara, ashtu siç mendohet kur je riosh, i pamartuar se, dikur do të bëhesh me fëmijë. Por vetëm e kisha menduar. Nuk kisha vendosur ta lindja. Një libër duhet të ketë një ditë të lindjes si çdo gjë e gjallë në këtë botë,… pavarësisht se është tejet e vështirë ta zbulosh…/ ObserverKult