O të marrë që s’u lodhët së shari pa pushim
Duke thënë e stërthënë: “Nuk bëhet ky vend”,
Kur kjo tokë ka në vit treqind ditë me diell
Që do të blihet një ditë me flori dhe argjend.
O ju që mallkoni, ju të liqtë e pabesë,
Që kob edhe zi ndillni dhe në gjumë,
Si s’u bëka një atdhe, që Zoti për pjesë
Për çdo njëmijë vet u ka falur një lumë.
Pushoni një çast së shari, o të sharë,
O ju të lajthiturit nga mendja e kokës!
Si qenka i varfër një vend i bekuar,
Që ka gratë më të bukura të botës!