Charles Bukowski: Hesht… sikur të ketë ndodhur një tradhti

Charles Bukowski
Henry Charles Bukowski (16 gusht 1920 – 9 mars 1994)

makina e shkrimit hesht, sikur
të ketë ndodhur një tradhti, sikur të ketë ndodhur një
vrasje.
të vetmet fjalë që ende përshkojne trutë e mi;
“zogjtë e Spanjës këndojnë!”
ç’kuptim ka kjo
ç’kuptim?
është thjesht një kotnajë, në qoftë se nuk të hyn në punë.

kur do të bien
tastat
mbi letër
përsëri?
është më lehtë të vdesësh përpara se kjo
të ndodhë.

vështroj makinën e shkrimit nën një mbulesë
të zezë; një fature gazi e papaguar fle
mbi të.

është një frigorifer i vogël në
dhomë, i vetmi që bën zhurmë
këtu.

e hap dhe shikoj brenda;
krejt bosh.

ulem në karrige dhe pres; pastaj
vendos ta quaj budalla
makinën e shkrimit

nis të shkruaj
me një stilolaps
në një
bllok
të kuq;
jepem i tëri pas një poezie;
pas pak ajo ka për t’i dhënë urdhër
makinës së shkrimit
që ka ngrirë
se ç’duhet të bëjë.

një shprehje franceze thote: ”pa
letërsi
jeta është një ferr.”

lavdia dhe fuqia janë aty!

t’i lëmë zogjtë e Spanjës të këndojnë!

Përktheu: Roland Gjoza

*Titulli i origjinalit: “Bllokimi i shkrimtarit”

—————-

Lexo edhe:

BUKOWSKI: MOS U DËSHPËRO NGAQË TË KA LËNË GRUAJA. DO TË GJESH NJË TJETËR E DO TË TË LËRË EDHE AJO…

ObserverKult