Petrit Ruka: Në të bëfsha një libër dashurie

Nëse ty do të të bëja një libër dashurie,
sytë do të t’i vija
mbi kopertinën e gjerë,
bojës do t’i jepja aromën e frymës
parfumet e tërë botës
të ndjeheshin të mjerë.

Në faqen e parë do të shkruaja si fëmijë:
“…Të dua shumë,
që ti më do mua!”

Pastaj nëpër faqet e tjera…

Kjo dihet,
dashuri dhe shto dashuri
për një grua…

Nga mesi i atij libri
ca faqe të tëra bosh,
shkruar me bojë të padukshme
fjalë nga ato që lexuesi i merr vetë me mend.

Për dreq nuk botohen
se quhen të “turpshme.”

Ato fletë të bardha, të bardha sa ato
dhe dehja e rënkimi
që rrjedh mes për mes,
dy kryqet prej mishi
që mbushen me gjemba,
e asnjeri nuk vdes.

Tirazhi?

Kjo dihet, do jetë vetëm një kopje
dhe letra, ah letra e rubintë dhe mat.*

Çmimi?

Ajo puthja e fundit që s’bëmë,
pa numër, pa datë…

Në të bëfsha një libër të madh dashurie,
që do vdes në faqen e fundit
e di prej vjetësh,
prandaj s’e shkruaj.

Se cila shtëpi botimi
merret me funerale poetësh?!