Petrit Ruka: Poeti që pi qumësht hyjnor

Nga Petrit Ruka

Ka një fshat në Labëri me emrin Pilur që “rri si i varur në re” shkroi gati 200 vjet më parë piktori anglez Eduart Lir. Duket sikur është taksur aty majë malit me sytë nga deti i Himarës vetëm të pjellë këngë të mëdha dhe poetë të ëmbël, që bëhen të dashur sapo t’u lexosh qoftë dhe dy tre vargje si këto: “Kur natë e verës merr kollë/ Ç’ më zë një merak i njomë /Të vesh mjegullën e hollë.

Duhet të kesh lindur me këmishën e poetit në trup që të kesh kaq fat për të krijuar “çmenduri” të tilla poetike, të luash me fjalën deri në zgrip e ta ngjeshësh lexuesin jo me shpatulla pas murit, po pas lodhjes së trurit, që të kuptojë se ku fillon këtu talenti i lindur vetvetiu nga ai “i mësuari” pak e nga pak prej jete e shkolle.

Se kur “merr kollë natë e verës” është e kotë ta kuptosh mirë, por është më mirë ta shijosh ashtu brenda njëqind kuptimeve të saj poetike dhe të qëndrosh tek vargu i fundit po kaq “i marrë”, e megjithatë krejt i besueshëm për një poet të lindur në Pilur si Kristo Çipa.

Të kesh lindur në Pilur bashkë me mjegullat e të jesh rritur si vëlla më i vogël i një poeti tashmë i famshëm në llojin e tij si Lefter Çipa, që e ka kokën si askush plot me mjegullana poetike, një dëshirë si kjo; për të pasur këmishë aty në mal retë e holla tokësore, pra mjegullën, është një gjë e natyrshme si të thithurit e ajrit apo dëgjimi i oshëtimës së detit, një iso kozmike pa fillim e mbarim kohe.

Kristo Çipa, “ana tjetër e malit të Çikës”, që bie nga Labëria e brendshme, edhe pse jo aq i njohur sa Lefteri i kudo adhuruar; është një poet i lindur mes ujërave shekullore të këngëve labe e himariote, autor librash me poezi, tregime e ese dhe vjen sërish me një libër tjetër poetik i mbushur plot ligjërime që lexohet me një frymë, plot bukuri poetike që notojnë në traditën më të mirë të poezisë popullore jugore, e ëmbël dhe e mençur, plot melodi kumbuese si përrenjtë e rrëmbyeshëm të këtyre anëve, poezi e një gjuhe të thekur në diell bore, me vezullime dhe pasuri të fshehura, që vetëm krijues të tillë ia dalin mbanë t’i nxjerrin kaq bukur në dritë.

Një libër që i ka të gjitha brenda, dhembjet e mëdha si ikja e nënës, që duke qenë e pafundme si qiejtë, ashtu i do edhe përpjekjet për t’u përballur dhe në hiperbolat e veta biblike: “Nënë, o dhembshuri tallaze/ O zjarri, që trembej flaka/ A është e mundur për fare /Të të mbajë brenda balta/…/ Do ta marr baltën mbi supe /Të më dalësh sipër tokës/ Sikur dheu që u fute /Të jetë sa gjithë peshë e botës/” 

Dhe pastaj që nga dhembja (vdekja,) në polin tjetër të jetës, tek dashuria ndaj vashës, gruas, si për të mbajtur në ekuilibër ekzistencën me disa nga poezitë e tij më të bukura të librit. “I tymosje bukuritë/ Si bleta kur zë roit/ I thoshe natës; mos ik/” Çfarë dreq magjie duhet të ketë një e vajzë e bukur që vetë bukurisë i bën magji të tilla, i tërbon, i ndjek, i përzë, “i tymos” njësoj si bleta që roitet?

Dhe me çfarë talenti dhe bukurie të rrallë e krijon këtë portret kaq të pazakontë poeti Kristo Çipa duke huajtur dhe ringritur disa fish më lart një traditë të poezisë sonë popullore!

Duke i huajtur asaj vetëm ison ku noton kjo këngë e duke i prirë vetë si një “marrës” i rrallë plot dhunti të jashtëzakonshme të intuitës, ndjesive të panjohura që nuk i mbarojnë kurrë shpirtit njerëzor…

Poezi të tilla, të mbira mbi trungun shekullor të një tradite mijëravjeçare u ngjajnë atyre ullinjve pleq që “flenë’ si trungje shekuj të tërë plot zgërbonja dhe ja, befas një kohe u teket dhe nxjerrin degë të blerta, lastarë të gjatë të bukurepsur gjatë nëpër ëndrrat e tyre të fshehta e të nomatisura nga misteri.

Mbase këtë fat e kanë vetëm poetë që mbijnë aty, në ato male, që lindin e rriten në këto erëra shpirtërore të marra qysh në bark të nënës, aty ku jeta e ashpër duhet të shpik patjetër drejtpeshimin përmes ëndërrimit më të skajshëm, shpikjes së madhe të artit për të zbutur malin, dimrin, varfërinë materiale të tokës me gurë e me baltë të paktë.

Sepse aty shpesh jeta, tretja e fshatit, sidomos në dimër; duket sikur nga çasti në çast do të jap shpirt si në këtë tablo rrëqethëse të Kristos, që ai ka krijuar në një natë të shkretë dimri: “Dritat e ftohta! Dyer memece! Qielli i ngrirë! Rrahjet e forta era kasnece i ka vetëfshirë.

Janë arratisur zërat e tokës. Azile hëna! Duke zvarritur rrathët e kokës, shtrëngoi gjëma Troket bastuni! Godet kambana! Kryqi habitet! Dërgon katundi nëpër mëhalla tapitë e fiset...”

Me çfarë mund të mundet kjo venitje e jetës që dridhet si peri i ronitur e gati të këputet, përveçse me këngë plot ëndrra të çartura dhe kulte grash që mundin çdo ngricë e tretje dëshpërimesh?! Aty gruaja duhet të jetë patjetër jo një grua e zakonshme, thjesht për të mbajtur jetën me bukë e fëmijë, po aq e bukur sa kur të eci rrugës, duhet patjetër “të tremb trëndafilin” (“Mos më shko si Shën Mëria!/ Duke trembur trëndafilin!”) Madje më tej, të eci në rrugët e fshatit jo ashtu si të tjerat, po si vetë Shën Mëria.

Me një fjalë të jetë një përzierje, diçka edhe si grua fshati që lan enët e pjek bukët, po edhe njëlloj perëndie.

Ndryshe si mund të jetohet në ato male pa e parë botën kështu siç shkruan dhe Kristo Çipa? “Kupë e syrit si planeti, Derdhet shpirti, mblidhet derti, Kur e shkrep, fillon tërmeti Nata del e thyet qelqi.” Afërmendsh për poetin ajo duhet të ketë patjetër disa veti të tilla që janë si fenomenet e mëdha.

Për shembull syrin duhet ta këtë patjetër njëlloj planeti (ende i panjohur nga shkenca ekzakte në hartat e qiellit,) shpirtin duhet ta derdh, ta nxjerr jashtë që t’i magjeps të gjithë (se është në tagrin dhe detyrimin e saj doemos magjepsja e burrit.) Dhe akoma më tej, pasi ta derdh këtë shpirt, duhet të dijë të shkaktoj patjetër një lloj tërmeti disa ballësh.

Madje të gjithë këtë duhet të dijë dhe kur ta bëjë, pikërisht natën ku magjepsja për çdo njeri është më e madhe, madje jo në çdo çast të natës, po pikërisht në çastin kur nata jep shpirt, i del shpirti dhe thyhet qelqi.

Ai qelqi i ditës që patjetër duhet të thyhet me krismë përballë një shkrepjeje të saj. Vetëm poet të tillë kaq të talentuar që pinë qumështin hyjnor të folklorit lab mund të krijojnë portrete të tilla të dashurisë, të ngjizin fytyra të tilla grash më të hijshme se ato të vetë perëndive.

Në këtë tufë poezish Kristo Çipa ka mundur të na sjellë bukuri të fshehura të nxjerra drejt e nga gjiri i maleve me një frymëzim të virgjër, origjinal, hera herës hutues, i pazakontë, me gjetje befasuese, këndvështrime të thukta, të panjohura, lakonizëm, që vetëm një “shkollë” e lashtë si ajo e folklorit mund të t’i dhurojë si mjeshtëri e vështirë, një mjeshtëri që doemos nuk mësohet, por që të lindurve midis saj mund t’u takojë fati të jenë të përkëdhelurit si bij shpirti e gjaku. “Naforë e kungimit Pashka u afrua, Dy vezët e gjirit Ti përpjek unë, dua!” Vetëm një poet malesh, një eremit i tyre kokëkrisur mund ta pres pashkën kështu, plot “herezi” të djallëzuar labërish.

Gjithë dynjaja në Pashkë luajnë duke thyer vezët e pulës të ngjyera me bojë të kuqe e poeti kërkon që pikërisht për pashkë të përpjek vezët e gjirit të Asaj.  “Qoftëlarg!” – do të thoshte prifti i fshatit në kishën e Pilurit (në një nga kishëzat më të bukura të Shqipërisë, aty mbi atë kodrën plot lisa të Pilurit, njëmijë e ca metra mbi det dhe që ngjan si festja e fshatit!)

Ja pse janë të mallkuar poetët, që pikërisht në ditën më të shenjtë të vitit kërkojnë të shkishërojnë dymijë e ca vjet shenjtëri.

Qëndrova në thelb të librit, tek lirizmi i tij, po ai ka rreth e rrotull tema të tjera hijerënda, këngë të mirëfillta të shkruara enkas për Grupin “Bejkë e Bardhë” të Pilurit, ku Kristua është autor i dhjetëra këngëve të bukura shumë të njohura tashmë në Shqipëri e jashtë saj.

Këngë patriotike plot dhembshuri për historinë e madhe të këtij vendi, për Kosovën si një dhembje e gjatë shqiptare, për shokë të ikur e të gjallë poetë, për gurë të rëndë të Bregut si Petro Marko: “Çfarë ndriçon e s’ka të shuar Sipër brigjeve të dritës? -Një i madh – penë kulluar Qëron mjegullën e Çikës!” (“Zogu rebel i stuhisë”, shkrimtarit bregas Petro Marko) apo poetin tjetër të madh të Bregut, vëllanë e tij Lefter Çipa, që; “Atje ku veron poeti, E skuq shegën vjershërimi, Thinjat nxjerr e pastron deti Mali shkund borë durimi.”

Mund të vazhdoja me shembuj të tjerë, (në librat e mirë dëshira për të sjellë sa më shumë shembuj është e pa rezistueshme) por nuk dua t’i pakësojë bukuritë që e presin lexuesin në brendësitë e këtij libri.

Dhe po i përfundoj këto mbresa që përjetova me besimin se fjalët e mia do të besohen akoma më shumë, kur dhe faqja e fundit e këtij libri të bjerë e ju, ashtu si unë, të ndjeheni të ngopur me këto këngë që të mbushin zemrën me mallin e përjetshëm për këngët e fjalës së bukur.

Atëherë si unë do t’i dërgoni në heshtje një urim poetit deri lart në Pilur, aty ku fjala e bukur dhe kënga ka një nga të paktat seli të shenjta që duhen bekuar me falënderime…/ ObserverKult


petrit rukA

Lexo edhe:

PETRIT RUKA: KAM NJË LËMSH NË ZEMËR

Nga Petrit Ruka

            – hua nga populli-

Kam një lëmsh në zemër,
E s’di kujt t’i rënkohem,
T’ju rënkohem maleve,
Zënë e më largohen.

Mjegull vënë përpara,
Sytë më qorrohen….
T’ju rënkohem grave,
Gratë zbukurohen,

Tek vitet e mia,
Këmbët u pengohen,
Në prag të mëshirës,
Zemrat u ngat’rrohen…

T’ju ankohem këngëve,
Këngët hidhërohen,
Sa shtrohen mbi letër,
Zënë e vjetërohen,
Si plakat në dimër,

Nxijnë dhe sterrohen…
T’ju rënkohem shokëve,
Shokët më rrallohen,
Të gjithë ndrrojnë adresat,
Në varreza shtohen.

O ky lëmsh në zemër,
E di,…do helmohem…
T’i ankohem zemrës,
Lëmshi më zmadhohet,

Si qebap kafeje,
Mbi zjarr rrotullohet.

………………………..

T’i ankohem vdekjes,
Veç ajo gëzohet,
Si vejushë e djegur
Zë e më afrohet,
Me mua të gjorin,
Vdes që të martohet…

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


PETRIT RUKA: BALADË PENSIONISTËSH

Poezi nga Petrit Ruka

Në lagjen tjetër, një kafe e hidhur,
Kushton dhjetë lekë më pak,
Të tre bastunët e tyre drejt saj…
Trak – trak, trak- trak, trak-trak.

Pas tyre unë me qyqet në gjak…

Sa e gjatë kjo rrugë për gjunjët e lodhur,
(Më “i riu” me valvul në zemër,)
Të dobët sa qesja e ilaçeve në xhep
I anon dhe ecja merr shtrembër.

Pas tyre unë me shpirtin në thembër…

Të pestë me rrobat të blera tek “Gabi”
“Republikën” e mbajnë mbi kokë,
Mbi kapelen e tyre qiejtë shqiptarë
Rënkojnë po s’dëgjohen në tokë…

Të pestë të ulur me kafen e lirë
Nga ajo që vjen era baltë,
I thonë sho-shokut do bëhet më mirë,
Se boll vuajtëm. Mjaft!

Pas tyre unë… dhe kafja që pi-
Tri gllënjka me naftë.

Ai që ka radhën sot të paguajë,
Numëron në xhep monedhat me dorë,
Dalin a s’dalin, dreqi e marrtë,
në shpinë i bie borë…

Pas tyre rrak-shtrak,… rrak-shtrak,
poeti i gjorë…

Të lumtur ngrihen …Dhe sot u panë,
Si dihet gjer nesër fatit “pa faj”…
Pas tyre këngën e mykur në grykë
E lidh komb të mos qaj…

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

Observerkult