Petrit Ruka: Të shoh tek ikën majë gishtrinjve

Petrit Ruka

Të shoh tek ikën majë gishtrinjve,
me turp, me zor dhe pak mëshirë,
tek derdh mbi plagë dy pika lot,
siç bën një panjë me pak rrëshirë.

Ka ngrirë në kthesën që s’ka Ardhje,
kjo shpina jote, – drithërimë,
“oh, mos kthe kokën me keqardhje!
të lutem, plot me përgjërimë!

Një ditë të gjithë e lëmë nga pas
të vjetrën strehë që ka zënë myshk,
tek një e re vrapojmë me gaz
që shpirt ynë të mos zërë ndryshk…

Dhe mos digj ditët me Mëdyshje
nxito të shkosh tek zjarr i ri,
e di që jam një zjarr pikture,
me pak thëngjij e më shumë hi…

Aty do rri në një kornizë,
i varur nëpër mendjen tënde,
sa të bjer vjeshta një puhizë
ta shkund si të fundit lënde…

Atëhere kur si lisi plak,
do nxij në qiell si një kontur,
si zgavër që pikon farmak
do feksësh rrugës… për qivur…

Po gjer a’herë, si alkimist,
unë dhembjen do ta bëj flori,
ta nxjerr nga shpirti im i lis-të,
siç del një dimër me pak shi…