Nga Petrit Ruka
(variant për baladë)
Ka dalë drita në Lugje t’Verdha
A dalë drita e dritë nuk ka,
E ka pirë varr’ i Omirit*
Baltë e zezë që dritën ha.
Rënka diell e dielli s’nxeh,
Muji ka shti djalin ndër dhé
Dhe i duket se flet varri:
Bab’ kam ftohtë, më shtypi mali,
Ku është porta që të dali?
Muji me zotat s’bën dot gjyqe
I vë zemrës dyzet kyçe,
Është dredh malit për tek sh’pia,
Mbrapa hija, para zija,
Anash era-lemeria,
Dhe Ajkuna mbi të tria…
Dhe Ajkuna borë tek pragu,
Kthyer qyqe që së largu…
Kur ka dalë tek lugjet nana,
Sytë ka ngritur, ku është hana,
Qofsh mallkuar gjer në thua
Që s’ma çove një lajm mua,
Siç e bën gruaja me grua.
T’u shkimtë* drita, të mbloftë hiri
Një pikë ujë mos paç tek gjiri,
Mos paç frymë në qiell e tokë,
Të plastë syri për një zog
Mos të mbiftë një fije bar,
Rënç shtatzënë e pjellç një varr.
Ahut treqind vjeç, ku ulet,
Drithmë e saj në palcë i sulet,
Thika e vajtimit ngulet,
Zë vjeshtoset, lëshon fletët
(Siç i derdh kosherja bletët,)
Me flori ia mbulon djalit
Varrin dhe gjysmën e malit.
Ndalen zogjtë në fluturim,
Ndalen bishat në shtegtim,
Ndalen ujëvarat mbi hone,
Bëhen për retë ballkone,
Ndalen yjet, rrisin togun,
Shtyjnë me b’rryla shoku-shokun,
Të zënë vend e të dëgjojnë
Një mijë qiej se si lotojnë.
Ka ardh nana, çohu, o djalë
Si nuk ngrihesh për me u falë,
Dil prej burgut që s’ka derë,
Mbushi balluket me erë,
Dil ndër shpate të flladitesh,
Kapërce ylber të rritesh,
T’u pish gjirin, shko gjej zana
Se ty varrin ta ruan nana.
Dil i bukuri plot hire,
T’u bësh dritë trojeve ilire.
Në ke ftohtë ku ke rënë
Ja ku është e zeza nënë,
Po vë ballin përmbi varr
Ta ngroh baltën, ta bëj zjarr.
Të ta ngroh trupin që dridhet
Gjakun që në zemër mblidhet,
Ngrihu se nëna këtej s’ngrihet
Gjersa malet t’i hanë hijet…
………………………
Aty ku Ajkuna qau,
Lotëria gurin çau,
U bë lumë e rrjedh akoma
Valbëroi aty Valbona
Atij moti e ditëve tona.
Andej nga derdhi mallkimin
Bjeshkët thanë gjelbërimin,
Bjeshkët e Namuna, u thonë,
Ku s’rron dot një milingonë.
Aty është e qan akoma
Plot me vaje viset tona…
*Omirit – në vend të Omerit (Me siguri emri Omer është shumë më i vonshëm sesa mosha e eposit dhe shndërrimi ka ndodhur në procesin e islamizimit)
T’u shkimtë* – t’u shoftë.
ObserverKult
Lexo edhe: