Pablo Neruda: Bukën e ajrin hiqma në daç, por buzëqeshjen mos ma merr!

Bukën hiqma në daç
edhe ajrin hiqma,
por buzëqeshjen tënde lerma.
Trëndafilin lermë,
heshtën që copton,
ujët që papritmas
prej shendit tënd shpërthen
të beftën dallgë argjendi
që prej teje lindet.
E vështirë lufta ime
dhe kthehem sy lodhur,
shpesh, pasi shoh
botën që s’ndryshon,
por ja, buzëqeshja jote më vjen,
kudo më kërkon edhe në qiell
dhe të gjitha dyert
e jetës m’i hap.
E dashur, në çastet
më të rëndë, zbehet
buzëqeshja jote dhe, nëse papritmas sheh
gjakun tim të skuqë rrugën,
ti qesh, sepse qeshja jote
armë në duart e mia
ka për të qënë.
Ndanë detit, në vjeshtë,
qeshja jote ujvarë shkumbe
duhet të ngrejë
dhe, e dashur, në pranverë,
dua buzëqeshjen tënde
si lulja që prisja të jetë,
lule e kaltër, trëndafil
i atdheut tim këngëtar.
Me ditën dua të qeshësh,
me natën me hënë,
me rrugët me kthesa
të ishullit të qeshësh,
me këtë djalë nopran,
që të dashuron, të qeshësh,
por kur të hap sytë,
kur t’i mbyll,
kur hapat e mi të shkojnë,
kur të kthehen hapat e mi,
bukën hiqma, ajrin, erën,
dritën, pranverën,
po jo buzëqeshjen,
sepse, pa të, do të vdisja.

© shqipërimi MAKS RAKIPAJ