Petrit Sulaj: Poezia ofron muzikë që te proza nuk arrin ta dëgjosh thuajse kurrë…

Sot do të bisedojmë një autor shumë të respektuar, Petrit Sulaj. Një poet dhe shkrimtar që frekuenton kryesisht hijet, vendet e fshehta dhe sekretet e botës; bartës i ëndrrave dhe disfatave, një nga ata që besojnë se vepra e tyre më e mirë nuk mund të shkruhet kurrë. Jetojnë e krijojnë të spostuar duke kërkuar gjëra që u shpëtojnë të gjithëve. Njohës e adhurues i Kafkës, refuzues i poezisë lirike… I fshehur midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Italisë, fluid dhe ekstrovert, ishte e vështirë por po aq e këndshme ta gjeje dhe të caktonim një intervistë.

Intervistoi: Fatmir Gjata

Mirëmëngjes dhe mirë se erdhe përsëri Petrit! Në ç’pikë je me shmangien e ikjen?

-Mirëdita e mirë se erdhe poeti e miku im i mirë, Fatmir. Ndjehem nën kujdes e i mirë trajtuar ndërsa nis bisedën me Ty me një temë tejet interesante, siç është koncepti i ikjes e shmangies elegante. Spostohemi e ikim sepse kemi një mendje, dhe dihet se mendja po nuk u përdor për të lëvizur me të, nga mjeti transportues me special i njeriut kthehet në një grumbull hekurishtesh të ndryshkura.
Mendja vihet në maksimum në punë kur përdoret si mjet udhëtimi. Mendja është i vetmi mjet lëvizës që ja kalon çdo teknologjie shpikur nga njeriu; me mendjen ecën për toke, vrapon e zvarritesh, po dhe futuron qiellit, viziton me të vende e bën itenirare që nuk i përmban asnjë hartë e botës.
Personalisht u jam shmangur dhe u kam ikur më shumë se gjithçkaje tjetër, rregullave të gatëshme. Rregullat e gjetura gati nuk më pëlqejnë, nuk janë të miat e as të njerëzve me të cilët ngjaj. Më pëlqen shumë çdo rrëmujë imja e transformuar gradualisht në rregull vetëm për mua, nga unë vetë.
Për fat mendjen time e sundon kreativiteti, e cila mision kryesor ka ikjen nga përditshmëria, shmangien e saj dhe vënien në shërbim të imagjinatës e fantazisë. Në bazë të mendimit krijues njerëzor është instaluar fenomeni i ikjes kostante e të përhershme, të cilin e ushqen tendenca për të qënë gjithmonë larg përditshmërisë të gjithëve. Falë kreativitetit, mendja në proces krijues ka privilegjin të jetë muskuli më i shkathët i trurit.
Ka raste kur mendja krijuese e bën të pavarur të zotin e saj dhe nga truri që e strehon, duke e dërguar ngado pa patur nevojë t’i marrë leje, e kur kthehet është aq e ekzaltuar sa nuk i bie mendja t’i kërkojë falje se pse është sjellë kështu. Mendja krijuese kur kupton e bindet se është vërtet e tillë nuk kthehet më kurrë mbrapsht.
Krijimtaria artistike është ikja më domethënëse e artistit të fjalës së shkruar nga përditshmëria, është shmangie e ndërgjegjëshme e produkteve shoqërore të gjetura gati, është alternativa e vetme e cila të jep mundësi të jetojmë mes bashkohësve e të mos ngjajmë me asnjë prej tyre. Krijuesi i lindur e i përkushtuar është dëshmia më e fortë se krijimtaria individuale është Zoti i tij, e vetmja nga nuk mund të ikë, nuk mund ta braktisë e nuk mund ta mohojë.
Eksodi i vetëm i krijuesit është ikja nga realiteti i të gjithëve drejt unit të tij krijues. Gjithë jetën kështu me procesin e ikjes e shmangies: kush ndjek veç një mbërrin i dyti, kush ndjek dy, arrin i treti… Kush ndjek njëmijë, mbërrin i njëmijë e njëti… Kush nuk ndjek asnjë, del gjithmonë i pari.

Për ty, arti është një kafshë që duhet zbutur apo ne kafshë e arti ai që duhet të na zbusë?

– Arti është Zoti brenda njeriut artist. Arti është pasioni që ushqen lidhjen speciale mes unit të artistit brenda e realitetit jashtë tij. Arti për mua ka qenë fytyra origjinale e botës, e nëse më pëlqen dhe ndonjë gjë tjetër e veçantë nga bota, krejt kjo lidhet me faktin sepse më pëlqen arti, i gjithi.
Arti nuk merret me gjërat faktike reale, realiteti është i prekshëm e i dukshëm për të gjithë. Misioni i artit është të transformojë në realitet gjërat e padukshme, të cilat gjenden vetëm në nënndërgjegjen e mendjen kreative të njeriut artist.
Ndryshe nga krejt aktivitetet e tjera njerëzore, që për t’ua përcaktuar vlerën përdoren disa shkallë vlerësimi, nga minimale deri në maksimale, për cilësinë e vlerën e artit ka vetëm një tregues – o është art, o nuk është art. Nuk ka art të dobët e të keq, as art mesatar e as art mbi mesatar. Një krijim a vepër artistike që nuk është e bukur e nuk të emocionon, mund të jetë gjithçka, po jo objekt arti.
Arritur në këtë pikë, kuptohet qartë se arti nuk është produkt e as pasion i masës.
Mendimi i thellë kreativ e gjuha origjinale janë dy instrumentet me të cilat bën art artisti i penës, poeti e shkrimtari. Për fat të mirë të tyre e për fat të keq të artit, shumica dërrmuese e armatës artdashëse nga frekuentues të artit në mënyrë sistematike që duhet të jenë, tentojnë të bëhen krijues të tij, pa i ftuar fare arti në këtë mision superior.

– Cila është arma juaj më e mirë? Poezia apo proza? Ku gjendesh më komod?

– Puna e prozatorit e poetit kanë jo pak diferencë mes tyre. Prozatori para se të nisë të shkruajë duhet të bëjë projektuesin e arkitektin e ngrehinës artistike. Ndryshe poeti: atë e shtyn të krijojë impulsi e frymëzimi momental dhe e vazhdon e mbaron krijesën e tij pa patur nevojë me bërë projekte. Kur nis e shkruan një roman është si të nisësh me ndërtu një pallat, duhet projektuar me detaje, që nga hapja e themelit e deri te vendosja e tjegullës së fundit. Ndryshe me poezinë, poeti e bën më mirë punën e tij nëse bredh me imagjinatë nga hoteli në hotel e kur nuk ka mundësi, të blejë një kamper imagjinar e të shëtisë botën me të, sot këtu e nesër atje.
Poeti nuk ka mision me informu publikun – kërkon me ndiku te lexuesi estetikisht e emotivisht – poezia ka detyrë me prek në thellësi lexuesin, gjë që artet e tjera nuk e kanë të lehtë. Poezia të çlodh kur proza të lodh, ndërkohë kërkon aftësi përqëndruese të madhe kohën kur shkruan. Poeti edhe mund të shkruajë prozë, të krijojë dhe romane, novela e tregime cilësore; ndërsa prozatori e ka tejet të vështirë me poezinë. Prozatorit në këtë rast i duhet talenti i poetit e aftësi speciale për të krijuar muzikë me fjalët.
Subjekti i filan poezie mund të trajtohet dhe në prozë. Madje më gjerë, më thellë e më gjatë. Veçse transformuar kështu, nuk është më poezi. Poetit të mirë, gramatika i prish punë, ndërsa poetin mediokër nuk e ndihmon fare. Mund të përmend këtu një aforizmë të shkëlqyer të Carl Sandburg, i cili thotë: “Poezia është ditar shkruar nga një kafshë deti e cila e ka braktis detin e jeton në tokë, të cilën përpiqet ta braktisë dhe atë e të fluturojë qiellit”.
Poezia kërkon kohë speciale, jo “kohë të lirë”. Koha speciale është kohë që e njeh dhe e praktikon vetëm poeti vërtet poet. Pa praktikën e sjelljes rreth e rrotull fjalës, depërtimit në thellësi e gjërësi për të hedhur në letër detaje e vogëlsira e përzënë të mëdhatë, nuk mund të shkruhet poezia. Poezia më e mirë e poetit është ajo që e ka lodh më pak. Romani më i mirë i prozatorit është ai që e ka lodh më shumë. Për poetin vargu është kërthiza e krijesës, rrjeshtat për prozatorin janë për të vënë personazhet e ngjarjet në radhë.
Proza është më e lehtë për t’u lexuar, për t’u treguar e spjeguar. Poezia lind thuajse e rritur, është më e shkathët e më e zonja me stimulu e trasmetu emocione e gjendje shpirtërore, plus që ka vokacion e solemnitet më të spikatur se proza. Proza është më e thjeshtë për t’u lexuar, kapur e interpretuar nga lexuesi se sa poezia, ndërkohë dhe më e lehtë për krijuesin e saj për të përshkruar ngjarje, personazhe, vende e gjendje.
Poezia ofron muzikë që te proza nuk arrin ta dëgjosh thuajse kurrë.
Proza është e shkuara e shkrimtarit, poezia e tashmja e poetit.

– Çfarë janë pasionet për ty? Thesare për t’i fshehur apo për t’i shpallur qartë që bota ta dijë se ekzistojnë?

– Pasioni konsiderohet interes i jashtëzakonshëm, përparësi afatgjatë ose dhe afatmesëm për diçka, i cili me kalimin e kohës po nuk u zbeh, forcohet e bëhet thesar i vërtetë për të zotin e tij. Gjatë jetës i zhytur në pasion ndjehesh më rehat e i lirë se në çdo gjendje tjetër psikologjike e humorale, i kushtohesh me gjithë forcën e energjitë e tua jo pse i ke vënë qëllim vetes me fituar diçka a me arrit diku, po thjesht se pasioni që ke zgjedhur të pëlqen dhe të jep mundësinë të përdorësh kohën tënde si do ti, në liri të plotë.
Ushtrimi i pasionit e përkushtimi ndaj tij, ka dhe një avantazh të madh sepse përmirëson shumë cilësinë e jetës së ushtruesit të pasionit.
Marrëdhënia me fjalën e shkruar është pasioni im më i fortë. Në art e më gjerë, pa pasion nuk mund të bëhet asgjë e rëndësishme. Pasioni vë në plan të dytë motivimet e angazhimet e tjera të njeriut që e kanë përparësi. Krijimtaria është e pandarë nga pasioni. Pa lokomotivën e pasionit, treni i krijimtarisë ndalet në vështërsinë e parë që takon rrugës. Pasioni është dhe entuziazëm special, të cilin krijuesi ja trasmeton dhe lexuesit me krijimtarinë e tij.
Ushtrimi i pasionit me seriozitet, më ka krijuar mundësinë të njihem me talentin tim e ta verifikoj praktikisht sa vlen si dhe ta zhvilloj e ushtroj vazhdimisht. Akti i krijimit kthehet nga pasion në mision të përhershëm, ashtu si një dashuri me shikim të parë transformohet në bashkëjetesën më të bukur e më të dobishmen e jetës mes dy njerëzve.
Pasioni i krijuesit është padyshim pasioni më i madh, më i fortë e më jetëgjatë se krejt pasionet e tjera. Forca e këtij pasioni arrin dhe e transformon aspirant krijuesin nga dëshirë e synim, në krijues real. Pastaj dihet se një pasion që zgjat gjithë jetën – që përdor jetën për të shfaqur vetveten artistikisht – megjithë koston që ka është një privilegj i madh. Nga kjo del dhe konkluzioni tjetër me rëndësi se është pasioni ai që e orienton artistin e krijuesin, e administron dhe e qeveris, jo interesi.
Mund të them në fund të kësaj përgjigje se pasioni i krijuesit ka një inteligjencë speciale të veten, e cila ja formon e udhëheq mendimin, e orienton nga vlerat e vërteta afatgjata, jo të çastit, e kështu i siguron në fund të fundit dhe mbijetesën përtej jetës anagrafike.

– Ke ndonjë autor apo personazh që të frymëzon dhe pse?

– Po e kam, dhe ndjehem me fat sepse autori e personazhi janë i njëjti, Franz Kafka. Krijimtaria e Franc Kafkës është një ndër piramidat e letërsisë së përbotëshme, megjithse sa qe gjallë nuk e kuptoi dhe përfilli njeri, përjashtuar shokët e tij të ngushtë, pa të cilët vepra e tij do të ishte humbur.
Letërsia e Franc Kafkës ishte aq origjinale, e freskët dhe e patakuar më parë, sa kritika e kohës nuk ditën ç’të bënin me të dhe e patën më të lehtë ta linin pas dore e injoronin
Në ditaret, Kafka shkruan për veten: „Nuk jam i pajisur me asgjë, nuk përmbledh në vetvete, për aq sa di unë, asgjë tjetër fituar nga jeta, absolutisht asgjë, përveç dobësisë universale njerëzore. Por duhet të them se ajo është për mua një forcë kolosale“.
Franc Kafka, inteligjent si rrallë kush, kupton shpejt se ku qëndron forca e tij e vërtetë, dhe me ndërgjegje e vë artin në shërbim të krijimit të botës së tij, botës kafkiane. I përqëndron gjithë energjitë te arti që kërkon me forcë të shpërthejë dhe jeton aq intensivisht në shërbim të këtij misioni sa nuk e lë veten te shpërqëndrohet në gëzimet që jeta i ofron njeriut të zakonshëm. Refuzon me vendosmëri një jetë të qetë që i siguronte bashkëpunimi me të atin, tregëtar i pasur, i cili nga ana e tij kishte varur te biri i tij i vetëm gjithë shpresat e prindit e krejt ëndërrat.
Në “Letër babait” Kafka sqaron gjithçka lidhur me këtë temë tepër të vështirë e komplekse siç janë mardhëniet në familje. Mund të jetë ndryshe e vërteta, pa dyshim, por Kafka gjithë përgjegjësinë për këtë e merr për vete. Gjendjen në opozitë, gjendjen mbi gjemba në familje, ai e përjeton dhe e tregon si fajin i tij eskluziv, si pamundësi për tu sistemuar aty, si familjar kot sepse nuk kishte forcën dhe aftësitë e duhura për tu sistemuar si donte babai.
Bashkohësi i tij i famshëm, shkrimtari gjerman, nobelisti Herman Hese, kur ka thëne një herë se „Nuk besoja se shpesh herë duhet më shumë kurajo për të mos bërë heroin se sa e kundërta„ – pa dyshim ka patur parasyshë dhe jetën e veprën e Franc Kafkës.
Kafka kupton përditë e më shumë se njeriu i dobët, njeriu që dhemb është një mëkatar pa faj. Ai nuk mund të guxojë, ose guxon por ndryshe nga kuptimi klasik i kësaj fjale. Njeriu që dhemb e ka më të lehtë të sillet me vehten si burracak, sepse e din se sa herë i duhet të luajë, do të humbë.
Kafka është i ndërgjegjshëm e i përgjegjshëm jo vetëm për atë çfarë bën kur shkruan e mendon, por sidomos për atë që është, atë që ndjen se është. Nuk shqetsohet tu japë domethënie veprimeve të veçanta, por mënyrës së jetuarit.
Franc Kafka vetëm pasi arriti të njohë veten, fitoi sigurinë e duhur të krijojë artistikisht njeriun si qenie e papërkryer, që nuk mund të përsoset kurrë e si e tillë i mbetet vetëm një detyrë: të përpiqet e të luftojë për ta realizuar në mospërkryerjen individuale. Vepra e Kafkës përpiqet dhe arrin të zbërthejë këtë gjendje paradoksale njerëzore. Njeriu gjatë jetës së vet mund të bëjë vetëm një gjë: të përpiqet ti japë domethënie sa më shumë të jetë e mundur jetës së tij.
Fjalët e filozofit gjenial të lashtësisë, Sokratit, i shkojnë shumë për shtat në mënyrë të veçantë Kafkës: „Nevojtar për shumë pak gjëra, ai ndihej si një perëndi“. Talenti i tij i jashtzakonshëm e ndërgjegjësoi të zgjidhte dhe ai zgjodhi. Zgjodhi kufizimin e nevojave që nuk kishin lidhje me artin, zgjodhi sakrifikimin e përditshmërisë siç e kuptojnë njerzit e zakonshëm në favor të artit. Jeta e tij mund të përkufizohet si jeta e një njeriu që kërkonte të merrte nga ajo sa më pak të ishte e mundur, e nga ana tjetër t’i jepte maksimumin e tij.

– A po ndryshon bota kaq shpejt apo jemi ne ata që ndryshojmë këndvështrimin e pozicionin tonë dhe nuk e gjejmë veten kurrë në vendin e duhur?

– Bota reale nuk ndryshon, ose ndryshon aq pak sa që njeriu gjatë jetës tij të kufizuar e të shkurtër – tmerrsisht shumë të shkurtër jeta e njeriut në raport me jetën e botës – nuk e vë re. Njeriu vë re vetëm ndryshimet që njerëzit i shkaktojnë vetes, të tjerëve e botës me veprimet e tyre. Ndërsa realiteti nuk ndryshon, ndryshojmë ne, veten dhe realitetin. Nëse bota bën progres a regres, është njerëzimi autori i tyre. Progresi e regresi është i lidhur me ndryshimin e njeriut. E ndryshimi i njeriut është i lidhur tërësisht me mënyrën e të menduarit tyre.
Megjithë këtë fakt të pakundërshtuar, përditshmërinë e jetës njerëzore e dominon mendimi se “Njerëzit nuk ndryshojnë, shumë shumë mund tu ndryshojë pamja e jashtme për efekt të moshës, po jo mendja”. Kjo frazë është shumë e përdorëshme në komunikimin e përditëshëm, por në fakt nuk është e saktë. Nuk është më shumë se një këndvështrim cinik, i cili përdoret praktikisht për të justifikuar qëndrimet e veprimet që nuk pëlqehen. Në fakt e vërtetë është e kundërta, njeriu nga natyra është krijesa psikologjike më dinamike e gjithë botës së gjallë dhe e karakterizon jo vetëm ndryshimi i jashtëm po dhe ndryshimi e sidomos evolucioni që ndodh brenda mendjes tij.

– Cili është raporti yt me Zotin? A është ai një institucion që duhet mbrojtur apo që na ofron mbrojtje?

-Marrëdhënie ekstra. Zotin e njoh në dy nivele, brenda meje e jashtë. Zoti brenda meje është talenti im, Zoti jashtë, bukuria e natyrës e bukuria e krijuar nga poetët e artistët e gjithë kohrave. Zoti është me mua, e ndjej pranë intensivisht e cilësisht sidomos gjatë kohës kur jam duke shkrujtë.
Në rininë time kam qenë ateist i thekur, pastaj me marrjen moshë ndërsa njihja botën e veten, fillova të vë në dyshim gjithçka deri dhe ateizmin tim. U njoha me fetë e me teoritë pro e kundra Zotit deri sa gjeta një rrugë të mesme. Pranova gjithçka ndjeja në lidhje me Zotin, vetëm pas kësaj mundesha të prononcohesha pa qenë i ndikuar nga askush. Ky reflektim serioz më ndihmoi shumë me njoh e kuptu sidomos veten, po njësoj kështu dhe botën e kompleksitetin e saj.
Kur pranon të gjithë e gjithçka, njeriu nis e hap mendjen e zemrën duke kërkuar e njohur sa më shumë e zgjedhur mes gjërave pafund që të ofron jeta, më cilësoret. Unë zgjodha letërsinë dhe e bëra Zotin tim, e kjo zgjedhje më shpëtoi nga përditshmëria e jetës e skllavëria e feve.
Kohën duke shkrujtë jam në kontakt me Zotin, e ndjej pranë dhe ndjehem i sigurtë se ajo çfarë po bëj është gjëja më e drejtë e më e duhura.
Për t’u njohur e takuar me Zotin ka vetëm një mundësi: të vendosësh të njohësh vetveten e nisësh këtë udhë pa hezitim, i vendosur. Nuk është udhë e rrahur, pak njerëz e nisin e shumica e lënë ditën e parë. Wshtë udhëtimi më i vështirë e njëkohë më surprizues.
Mua ky udhëtim më ka marrë pjesën më të mirë të jetës dhe zbulimi më i rëndësishëm që kam bërë është se kam zbulu Zotin përveçse jashtë dhe brenda meje.

– Shkruan për të takuar fatin që meriton apo si mjet për të çmistifikuar jetën e zakonshme?

– As njërën e as tjetrën. Akti krijues – të shkruarit – nuk është me kërku fatin – patkoin e kalit, mollëkuqen e as trifilin me katër gjethe. Të qënit me fat, jo te gjithë njerëzit është i lidhur me sende e objekte jashtë, por brenda tyre.
Gjithashtu akti i krijimit nuk është çmistifikim, thjesht sepse jeta nuk është një, unike për të gjithë; secili nga ne dhe më i paorganizuari njeri jeton jetën e tij, sipas mundësisë e potencialit që ka. Në këtë kuptim çmistifikatorët nuk kanë ndryshim nga mistifikatorët, ngjajnë mes tyre. Kështu ndërsa mistifikatorët me aktivitetin e kontributin e tyre – e mistifikojnë jetën – ndërkohë janë pikërisht ata që u japin lëndë të parë çmistifikatorëve për ta demistifikuar.
Fati për mua është me besu në vetvete. Kam shkruar e vazhdoj të shkruaj sepse i besoj vetes, e kështu e përdor jetën për të ushtruar pasionin tim, përparësinë time. Çdo ditë e nis dhe e mbyll duke ju përkushtuar fjalës së shkruar, bërja art me fjalët është në dorën time. Unë kam qenë me fat, krejt sendet që lidhen me fatin: patkoin e kalit, trifilin me katër gjethe dhe mollëkuqen i kam gjetur bërë bashkë në talentin tim e pasionin për ta përdorur.
Jeta duke shkruar është njëkohë labirinti im i vetëm e rrugëdalja nga ai. Fjala e shkruar ka qenë për mua talismani që më ka prirë e udhëheq gjithë jetën.

– Çfarë është dashuria për ty, pasion i përjetshëm apo një udhëtim i pandërprerë në kërkim të iluminizmit?

– Dashuria?! Lum kush dashuron e ndjehet i dashuruar. Nuk ka rëndësi me cilin/ën e me çfarë je i dashuruar, po është vertet dashuri e gjen veten gjithmonë në gjendjen që ke ëndërruar të jesh. Në gjendjen i dashuruar, pas ca kohe bashkjetese kështu, vjen një ditë e zbulon se kjo gjendje nuk është gjë tjetër veçse pjesa më e mirë e cilësore e jetës tënde lënë në hije a dhe errësirë, nuk dihet pse.
I dashuruar mëson e kupton se dashuria pastron dhe e shkëlqen jetën, bën të pranueshme e të bukur gjithçka, deri dhe çmendurinë. Vetëm më frikën nuk ka qejf të merrët dashuria. Në fillim nuk e konsideron, nuk e fut në hesap e kur e takon, nuk i afrohet, i ruhet e i rri larg. Dashuria sillet kështu me frikën se e di që është gjendja emotive më e lashtë e më e konsoliduara nga krejt gjendjet e tjera ndjenjore, e që nuk zhbëhët sa të jetë njeriu mbi dhe.
Dashuria ime më e madhe ka qenë dashuria me fjalën e shkruar. Ka qenë e tillë e jashtëzakonshme sepse ka fillim po nuk ka fund, ose fundi do jetë kur unë të mbyll sytë njëherë e mirë. Dashuria me fjalën e shkruar ka qenë një proces magjik, i mrekullueshëm. Gjatë kësaj dashurie unike, unë tentoja të njihesha me fjalën për të shprehur me anë të saj pjesën time më cilësore, ndërsa fjala e shkruar nga ana e saj bënte të njëjtën gjë me mua: më testonte, më merrte në provim – nuk e di sa kohë, sigurisht një dekadë po – deri sa më në fund më pranoi si të dashurin e saj.
Duhet të pranoj pa asnjë kompleks se ndërsa unë isha në fillimet e dashurisë me fjalën e shkruar, i pasigurtë me të e jo pak i ndrojtur – e dashura ime, fjala, mbante qëndrim shumë të kujdeshëm, sikur të isha fëmija i saj, jo i dashuri. Kështu vite të tëra, deri sa unë ju përbetova fjalës së shkruar se e dashuroja si asgjë tjetër, ndërsa fjala më besoi më shumë nga qëndrimi im ndaj saj e jo se çfarë i thoja. Tani pasi gati pesë dekadash dashurie, unë e fjala e shkruar ndjehemi të dashuruar njësoj si ditën e parë.
Në fund të kësaj pyetje speciale, po shkruaj një aforizëm timen që më pëlqen shumë: “Dashuria, është forma më e mrekullueshme e komunikimit vet i dytë. Gjithë mënyrat e tjera e format e pafund të komunikimit njerëzor, marrë bashkë, nuk mund ta zëvendsojnë komunikimin mes dy të dashurëve”.

– Të shkruash është një punë e përditshme apo çlirim nga një barrë e papërballueshme e mbajtur brenda për kaq gjatë?

– Përdor fjalën e shkruar për të lënë pa ushqim zhurmën e për të ushqyer heshtjen, për të treguar se jam aktiv edhe kur nuk lëviz me fizikun e nuk përdor buzët për të folur. Kështu i jap kuptim e domethënie vetes e ushqim pasionit tim. Shkruaj, për të mos e lënë talentin e aftësitë krijuese të flenë, shkruaj për të vënë në punë intelektin që të kontaktojë të bukurën e ndjeshmërinë jashtë e brenda meje.
Përdor fjalën e shkruar, për të bërë zap kohën me një mundësi më shumë. Shkruaj fjalën, nuk e flas, për të edukuar gjuhën që të respektojë heshtjen, sepse gjuha e folur nuk parapëlqehet nga poeti e lexuesi serioz. Shkruaj dhe se bëj jetë plus, aq herë sa më përdor fjala e shkruar mua.
Përdor fjalën e shkruar sepse është zakoni i vetëm i zgjedhur nga unë. Shkruaj, sepse vetëm kështu nxjerr në shesh gjithçka që gjej brenda vetes. Përdor penë e letër se kam rast për të luajtur, për tu joshur, për tu vënë në provë e kaluar provën. Shkruaj, sepse fleta e bardhë më duket qiell i virgjër e fjalët mbi të, yjet. Shkruaj për të mos i lënë mendimet, metaforat e imazhet që më pushtojnë mendjen të ikin pa lënë gjurmë…
Përdor letër e penë sepse kështu i vë krahë zemrës të fluturojë e me mendjen rend pas saj për ta kapur. Shkruaj dhe se e di që fjala arrin kulmin e saj kur shkruhet, shihet e lexohet.

– Kreativiteti është lindje nga dhimbja apo kënaqësia intensive kur bën jete të re?

– Krijimtaria është format të menduari i mendjes të cilën e karakterizon tendenca për të qënë mundësisht sa më origjinale. Në sajë të mendimit krijues, mendja nuk ndalet së formuluari ide e koncepte të reja, dhe sa herë mendja është nën pushtetin e mendimit krijues, kreativiteti shfaqet si muskuli më i shkathët i krejt trupit.
Praktika krijuese për kategorinë e shkrimtarëve e artistëve është mënyrë jetese, pasion e praktikë professionale, si dhe dedikim i thellë e i vetëdijshëm në respekt të aftësisë individuale krijuese.
Aftësia krijuese e mendimit artistik ka fuqi të jashtëzakonshme. Në saje të këtij virtyti të veçantë, individi artist krijon, boton e ekspozon për të gjithë njerëzit vepra artistike në bazë të cilave qëndrojnë mendime, ide e mesazhe origjinale.
Aq herë sa vëmë në dyshim modele e skema që u ka kaluar koha, aq herë sillemi si krijues, sepse i japim formë e jetë një model i ri e skemë te re të menduari origjinal. Praktika krijuese për kategorinë e shkrimtarëve, artistëve është mënyrë jetese, pasion e praktikë profesionale e dedikim i thellë e i vetëdijshëm në respekt të talentit e pasionit të tyre.

– Faleminderit Petrit! Qëllimi im ishte që t’u jepja mundësi lexuesve e krijuesve që të njiheshin më thellë me ty. Varet prej tyre nëse ua kemi zgjuar interesin. Shpresoj që po. Faleminderit përsëri!

– Faleminderit ty Fatmir që më dhe mundësinë ta përdor kohën në mënyrë kreative gjatë kësaj bisede.

Korrik, 2025

ObserverKult


Lexo edhe: