“Fisnikët dhe guximtarët, vëllezërit e mi kosovarë…”, nga Petro Marko
(Pjesë nga libri)
– Pse i ke dashur aq shumë kosovarët?
– Kjo dashuri për kosovarët më lindi në fillim të viteve tridhjetë. Njoha më parë Asim Vokshin, që ishte nëntoger i xhandarmërisë në rrethin e Gjirokastrës, kur unë isha mësues në Dhuvjan të Dropullit, më 1932. Më vonë, nëpërmjet Asimit, në Tiranë, njoha Bedri Pejanin, Ali Kelmendin. Dhe në Spanjë njoha shokët e paharruar Emrush Myftari, Xhemal Kada, Justina Shkupi, Shaban Basha e të tjerë, për të cilët kam folur në shënimet për Spanjën. Në Tiranë, pas Çlirimit, njoha Xhaferr Vokshin, vëllanë e Asimit, ardhur nga Kosova, partizan gazetar. U lidhëm me miqësi, por lidhjet me të u ndërprenë kur ai u internua familjarisht. Nuk i zinin këmbët dhe. Ka vuajtur shumë, me gjithë familjen me shumë fëmijë. E kam mik dhe shpesh vjen më takon. Djalit të tij të madh ia kam vënë unë emrin Ebro, për kujtim të betejave në Spanjë. Po gjatë viteve ’70 më erdhën në shtëpi Esat Mekuli, Hasan Mekuli, pastaj Ali Aliu, me të cilin shkova edhe në fshat, Rexhep Qosja e të tjerë. Kur ishte këtu Esat Mekuli dhe të tjerët, flisnim për kulturën tonë dhe ata më pyetën nëse unë kisha ndonjë mendim për zhvillimin e kulturës në Kosovë. Folëm e folëm, pastaj unë shfaqa mendimin se edhe gjuha letrare e Kosovës duhet të unifikohet me gjuhën tonë letrare. Më vonë erdhi këtu Ali Aliu dhe vendosi që të bënte një biografi për mua. E shpura në fshat, te shtëpia ime; ai u mahnit me bukuritë e natyrës bregdetare dhe më tha: “Tani e kuptoj pse shkruan në mënyrë çapkëne poetike plot ngjyra dhe me një horizont të gjerë.” Ai shkroi librin “Krijuesi dhe koha”, për jetën dhe veprimtarinë time letrare dhe me atë punë mbrojti doktoratën. Në Kosovë, nën redaktimin e Ali Aliut, u botuan 9 vepra të miat, në një kohë kur këtu në Shqipëri as që përmendej gjëkundi emri im si krijues. Në Kosovë jam më i njohur se këtu, falë punës së madhe që ka bërë shtypi dhe kritika. Edhe “La Rousse” i Francës (më 1969) më kishte vënë si shkrimtar shqiptar që kam shkruar “Hasta la vista” e vepra të tjera, kurse këtu as që guxonin të vinin emrin tim në ndonjë botim shkollor.
Urdhri që të mos përmendej emri im si shkrimtar në asnjë gazetë, revistë ose mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve, kishte ardhur nga lart. Unë isha një shkrimtar i mallkuar në vendin tim, ku, me sa munda, luftova, punova dhe shkrova si gazetar, si poet, si shkrimtar, si përkthyes i një pjese të mirë të poetëve latino-amerikanë. Kurse në Kosovë janë ribotuar vepra si “Hasta la vista” (botimi i katërt, që ka një parathënie të mrekullueshme të Rexhep Qosjes) “Shpella e piratëve”, për lexime letrare në shkollë. Për mua në Kosovë krijimtaria artistike është shumë më përpara se krijimtaria jonë e realizmit socialist. Me gjithë shtypjen serbe dhe masat e rrepta që janë marrë dhe merren kundër njerëzve të artit në Kosovë, aty arti i çdo gjinie, mund ta them me plot gojën, është më i pasur se arti ynë i persekutuar dhe i kanalizuar. Nuk më harrohet një episod:
Ishte muaji i letërsisë, që bëhej në çdo tetor (se në tetor ka lindur Enver Hoxha), dhe unë u caktova me dy shokë të shkonim në Berat. Aty, në mbrëmjen letrare që u bë në kombinatin e tekstileve, bënin shumë pyetje, midis të cilave dhe këtë: “Cili është shkrimtari më i mirë i Shqipërisë?” Dhe një shok nga të kryesisë së Lidhjes që ishte me ne, u përgjigj: “Shkrimtari më i madh i Shqipërisë është shoku Enver Hoxha!” Unë mendoja dikur se veprat më të mira të letërsisë shqiptare janë shkruar në të gjitha kohët jashtë Shqipërisë: Noli, Faiku, Çajupi, Naimi, Asdreni, Lasgushi, si dhe gjithë kosovarët e shquar krijimet e tyre më të mira i kanë bërë larg Atdheut! Është e vërtetë se Fishta, Mjeda, Ali Asllani, Migjeni e të tjerë… kanë krijuar këtu… po kishin qenë shumë herë jashtë atdheut nëpër Evropë ose për studime, ose për të punuar… Kjo ishte një dukuri që shumë herë diskutohej nga Branko Merxhani me Odise Paskalin, me Tajar Zavalanin e letrarë të tjerë. Shumica e veprave që janë themeli i kulturës sonë, janë shkruar jashtë Shqipërisë. Po të kishin lindur e jetuar këtu Rexhep Qosja, Ali Podrima, Bekim Fehmiu e të tjerë, talenti i tyre do të ishte vrarë, ashtu siç u vra talenti dhe jeta e shumë e shumë bijve të talentuar të kësaj Shqipërie që mbijetoi në këto vite në dallgët e historisë…
* * * *.
Ëndrra ime për të vajtur qoftë edhe një herë të vetme në Kosovë, ku më respektonin si shkrimtar dhe luftëtar dhe më quanin vëlla, nuk u realizua kurrë deri më sot. Mbeti një ëndërr. Këtë dëshirë e kam shfaqur me të gjithë kosovarët. Për çudi, për mua kufiri ishte i pakapërcyeshëm. Edhe kjo është një nga dhembjet e mia.
E dua Kosovën gjer në dhembje, se është Shqipëri!
* Shkëputur nga libri më kujtime i Petro Markos: “Intervistë me vetveten”, SH B “OMSCA”, Tiranë, 2000
ObserverKult
Lexo edhe: