Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti përkujtoi shkrimtarin Petro Marko, në kuadër të “Muajit të letërsisë”.
Margariti solli në vëmendje disa fjalë të thëna prej tij, “Për mua kufiri ishte i papërcaktueshëm. Edhe kjo është një nga dhimbjet e mia. E dua Kosovën gjer në dhimbje, se është Shqipëri”.
“Me dhimbjen e bukur të Petro Markos, që e tejkalon veç dashuria dhe arti, ju uroj një javë të mbarë”, tha Margariti.
Petro Marko lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Kreu shkollën Tregtare të Vlorës. Më 1 mars 1936 botoi numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”. Po atë vit vajti në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzetë shqiptarësh dhe hyri në repartin Garibaldi të Brigadave Ndërkombëtare.
Në Madrid, së bashku me Skënder Luarasin, filloi botimin e një reviste me 20 faqe në gjuhën shqipe me titullin “Vullnetari i Lirisë”, që doli vetëm dy numra.
Më 1940 u shtrëngua të kthehej në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit më vonë u arrestua nga italianët dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika në detin Tirren.
Në tetor 1944 u kthye në Shqipëri si partizan. Pas disa vitesh si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” më 1947 u arrestua nga komunistët dhe u burgos në Tiranë. Pas rënies së Koçi Xoxes, u lirua dhe u lejua të punonte si mësues në Tiranë. Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (Tiranë, 1973), iu ndalua botimi për një periudhë prej tetë vitesh. Vdiq në Tiranë, më 27 dhjetor 1991.
Veprat e tij më të mira janë cilësuar: “Hasta la vista”, Tiranë, 1958; “Qyteti i fundit”, Tiranë, 1960; “Rrugë pa rrugë”, Tiranë 1964; “Nata e Ustikës”, Tiranë 1989 etj./ATSH
————————-
Lexo edhe:
PETRO MARKO: Ç’JEMI NE? SHQIPTARË! PO PSE E HUMBËM GJUHËN?
ObserverKult