Petro Marko mbart absurdin e njeriut që e dënoi dhe shpëtoi letërsia

petro marko valë

Vetvetja- bota që na sfidon gjithmonë për njohje

(Shënime për librin “Intervistë me vetveten”- Retë dhe gurët, e Petro Markos)

Nga Agim Baqi

Thuhet se keltët, kur shkonin në luftë, linin nga një gur një vend të caktuar në të dalë të vendbaimit të tyre. Kur ktheheshin nga lufta merrnin gjithësecili gurin e lënë. Gurët që mbeteshin në stivën e ndërtuar në nisje ishin të rënët në betejë…

Për Petro Markon gurët e mëhallës së tij kanë gjithnjë një histori, ndaj mbeten aty, plot krenari, duke pritur “t’i dëgjojmë”.

Ndërsa retë, mbajnë shumë tranformim- nga toka në ajër e sërish në tokë. E duke përshkruar veten mes gurëve dhe reve, Petro Marko ka mundur të sjellë lëvizjet dhe qëndrimet e tij në jetë, herë në fluturim e më pas sërish në kthim, duke na ruajtur ne “romanin që kishte brenda tij”.

Dhe gurët “përdorin” dorën e Petros për të thënë shumë, ashtu si retë që vijnë ta na sjellin ujin për vetë jetën.


“Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historitë e tyre.

Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… Vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiu” (Petro Marko, Intervistë me vetveten “Retë dhe gurët”).

E gjithë jeta e tij ishte një betejë. Njohjet, lufta, refuzimet dhe dashuritë në heshtje, ishin lumi i nëndhshëm që poshtë gjoksit të tij, duke mos u dorëzuar.

Shkroi pa fund, dhe u refuzua pa fund. E kur mikesha e tij italiane e këshilloi që “romanin ta shihte tek vetja” ai vendosi të sjellë një rrëfim mes atij që do të mbetej e atij që do të udhëtonte në çdo kohë.


Janë aty, në ato faqe, fëmijëria, marrëdhënia me të parët e tij, vajtja në Luftën e Spanjës, bashkimi me partizanët italianë e më pas edhe përpjekja e pashtershme për të mbijetuar përballë atyre me të cilët nisi bashkëudhëtimin përmes të njëjtit ideal, pa menduar se bashkimi me ta ishte dhe rruga drejt vetmisë së madhe – pikërisht ashtu siç i linte ai sistem të gjithë ata që dinn të mendonin dhe që luftonin të mbeteshin vetvetja.

Petro Marko mbart absurdin e njeriut që e dënoi dhe shpëtoi letërsia.

Njeriun që deshi ta sillte përmes romaneve të tij, duke nisur që nga “Hasta la vista” më 1958 me Gorin dhe Anitën, nuk ja deshën kurrsesi shokët e idealit. E shkuara e përbashkët në ideale gjatë luftës veçse e ndihmoi të mbetej në këtë jetë, por është e vështirë të themi se “ishte i gjallë” deri kur mbylli sytë fizikisht.

Mosbotimi apo heqja e së drejtës për botim, burgosja e të birit, Jamarbërit, e bëri që t’I kthehet më së shumti letërsisë autobiografike.


Petro Marko nuk e ka “fundin” kur përshkruan fillimisht luftën e Dytë Botërore.

Notat e tij idealiste kanë dhënë nota më të zbehta të së keqes, siç përshkruanin bashkëkohësit e tij të luftës, si Hemingueji apo Remarku te romanet “Lamtumirë armë” apo “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Por kjo ëndërr u shua në momentin kur atij iu desh të përballej me kotësinë e asaj që kish thurur bashkë me shokët e idealeve.

Njeriu që ai donte të sillte përmes letërsisë, njeriu që dashuron, që sheh botën me shumë humanizëm, që nuk shtanget nga ajo që mungon, ishte njeriun që sistemi komunist ia pati mbyllur derën.

Ndaj Petro Marko kthehet ne vetë personazh, duke na dhënë njeriun që jeta që rroku refuzimin, siç kish ndodhur edhe me Lasgushin, ku në të gjallë na e tregonin të vdekur, sikur të mos kish jetuar kurrë realisht, por vetëm në ëndërr.


Kështu, Petro mbeti vetë “një gur rëfimi”, ndaj dhe letërsia e tij, e nisur nga “Retë dhe gurët” është vetëshpjegimi i madh e letrares së tij. Nuk e ka kursyer vetën nga asgjë, sepse ai kurrë nuk pati frikë.


Galeria e tij e ngjarjeve dhe emrave është rindërtimi i një jete që përmes letërsisë hartoi edhe vetveten. Ai ishte njëkohësisht shkrimtari dhe personazhi, letrari dhe letrarja.

Stili i Markos është i drejtëpërdrejtë. Ai ishte realist dhe këtë kërkonte edhe nga të tjerët. Madje, ja kërkoi këtë gjë edhe Migjenit, pas takimit me të përpara se të udhëtonte drejt Spanjës, për t’iu bashkuar frontit të luftës.

“Ti shkruan errët dhe duhet të shkruash më hapur që të kuptohesh nga lexuesit. Ne duhet të shkruajmë më thjesht” (Petro Marko, “Intervistë me vetveten”, fq. 167).

Ky stil bëri që intervista me vetveten të bëhet pjesë e rëndësishme e romaneve dhe e gjithë prozës së tij, pasi tashmë nuk ish thjesht një personazh, por ishte vetë kryepersonazhi.

ObserverKult


agim baçi

Lexo edhe:

AGIM BAÇI: NË VEND TË DEBATIMIT PËR MORAL E KULTURË DEBATOJMË PËR BLERJE E SHITJE

Nga Agim Baçi

Filozofi francez, Zhylien Benda, shkroi gati njëqind vite më parë atë që njihet si “Tradhtia e intelektualëve”.

Ai parashikoi se e keqja e shoqërive të sotme do të kulmonte me shkatërrimin moral të atyre që paguhen për të edukuar breza.

Dhe sot, në vend të debatimit për nevojat morale e kulturore të shoqërisë, debatohet për treg, për blerje dhe shitje, duke kaluar në plan të parë argëtimin.

Kjo “tradhti intelektuale” ka sjellë më pas edhe djerrinën e madhe të autoritetit të tyre.

Shoqëria shqiptare të paktën ka kohë që nuk i referohet ndonjë kënaqësie të debatit intelektual e as nuk i drejtohet më atyre për zgjidhje.

Aq më pak duket e i merr në konsideratë politika, pasi autoriteti i tyre për të përballur jetën me dinjitet ka rënë, duke i dhënë fuqinë botës së spektaklit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult