Vajza e valave, nga Petro Marko
Valët e tërbuara të detit që pëlcisnin të shkumëzuara mbi shkëmbinjtë e thepisur të bregut, bënin që të humbiste kënga e zakonshme e djemve të lagjes, që ia kishin shtruar rrëzë Shën Mitrit. Melodia, megjithatë, arrinte gjer te veshët e Lolës, e cila plaste nga marazi dhe, fshehurazi, qante e qante me dënesa që të këputnin shpirtin. Atje poshtë, në fund të horizontit, mbi det, disa re të kuqe silleshin vërdallë nga fryma e fundit e tramundanës. Këtej lart minaret blegërinin. Ktheheshin nga mali. Mu në mes të fshatit kënga lëvonte, kurse fashatarët, që gjithë ditën kishin punuar, tani, të lodhur, i drejtoheshin vatrës së tyre. Dita po perëndonte…
-Bijo, mos qaj më. Bëj durim, se Neçoja do të kthehet!-kështu i përsëriste gjithnjë Lolës vjehrra e saj,-Ta dije se sa vjet më iku edhe mua, ndjesë pastë, plaku im! Iku, more, iku edhe ane kur të kthehej! Ti do të thuash se mua më la Neçon në bark, dhe shpresoja! Eh, mirë! Ka Perëndia edhe për ty. Por bëhu trime dhe duro të durojmë…
Nga njëra anë këto fjalë dhe nga ana tjetër kënga e mallkuar që oshëtinte në sheshin e Shën Mitrit, ia copëtonin zemrën nuses së gjorë, e cila kishte humbur çdo shpresë. Se kishin kaluar tetë vjet dhe Neçoja nuk dukej. Neçoja levend, këngëtari i fshatit, që me këngën e tij e kishte çmendur fare Lolën e ëmbël, kishte marrë gjurmët e mërgimit. Kishte ikur për të fituar para. Kishte vajtur shumë larg, atje ku perëndon dielli, në Argjentinën e pasur.
-Do të kthehet plot flori dhe i ngarkuar me peshqeshe. Ai thoshte se do binte pesë baule të mbushura…Tërë lagjen do të kënaqë..
-Po pse nuk na shkruan, moj nënë? Ka Perëndia edhe për ne. Mos u merakos, se Neçoja s’është nga ata që humbet kollaj në mërgim…Vetëm lutu gjithnjë e mos ua vër veshin shoqeve. Ashtu e ka ky kurbet i zi…
Dhe, duke mbaruar fjalët me një psherëtimë të thellë, plaka e regjur nga vujatjet lidhte duart, ulte kokën dhe largohej në majë të këmbëve. Ajo e gjora e dinte se ç’i ziente brenda shpirtit të saj. Neçon e shtrenjtë, djalin e vetëm, e martoi të vogël, vetëm e vetëm që të zinte gojët e këqija. Se qe ditën kur Neçoja këndoi këngën “Vajza e Valave” në dritaren e Lolës së ëmbël, tërë fshati nisi të pëshpëriste. Dhe kështu, një ditë vendosi dhe e martoi, se i vinte keq edhe për vashën që i dolën fjalë…Dhe bëri një dasmë të madhe, ku u dehën që të gjithë me verën që kishte mbledhur për të pritur burrëzinë, që s’kthehej kurrë. Në dasmë u këndua pa pushim edhe kënga e të martuarve, “Vajza e Valave”, kënga që Neçoja kishte ngritur për Lolën.
Djemtë e lagjes, të mahnitur dhe gati të shkalluar nga bukuria që dita-ditës i shtohej Lolës, e kishin ndryshuar këngën në disa vargje dhe përsëritnin:
…Gjithë bota ven’ e vijnë,
por ai nuk vjen, a e mjera,
por ai nuk vjen….
Dhe, me gjithë këto nxitje e shkrepëse për t’i ndezur ndjenjat, Lola duronte e duronte. Priste me besim Neçon e saj. Shpresonte në fjalët e tij të fundit që i tha kur iku: Sado që të vonoj, do të kthehem një ditë…Edhe i vdekur, unë do të kthehem….”
Atje poshtë, te shkëmbi i madh, shikonte varkat që lundronin. Vërente vendin ku punonte bashkë me Neçon, edhe qante. Dhe matanë djemtë, që kurrë nuk e linin të qetë, këndonin:
Vajz’e Valave,
je një vajz’ e re,
un martohem n’atë jetë,
ti martohu atje, a e mjera,
ti martohu atje…
Sa e sa djem të pasur dhe levendë e kishin kërkuar Lolën engjëllore. Por kjo, besnike gjer në vdekje, askujt s’i kthente sytë. Priste Neçon e saj.
Dhe vitet kalonin.
Asnjë lajm. Asnjë të re nga Neçoja. Shtatëmbëdhjetë vjeç u martua Lola. Vetëm dy muaj ndenji me Neçon e saj. Dhe pastaj ai i iku. Tani, grua tridhjetë vjeçe, dukej më e bukur dhe më e re se ditën që u martua. E shkreta! Qante e qante dhe hera-herës mërzitej aq shumë, sa mendonte të mbytej atje pishtë, tek ai shkëmbi i madh, ku valët e shqetësuara pëlcisnin, duke mbuluar këngën që dita-ditës dëgjohej në mes të fshatit.
Ishte kënga që e çmendi, që e bënte të dashuronte gjer në vdekje Neçon e humbur. Ishte kënga e saj që mbante gjallë në zemër kohën e parë, ku shtrihej me Neçon atje poshtë nën portokallet dhe qitrot, ku Neçoja i thoshte se ajo ishte “Vajza e Valave” dhe ah, atje, të pandarë, të përqafuar, kujtuan se vetëm në Argjentinë ka shumë flori për të ngritur një pallat mu në mes të fshatit, sa të pataksej bota…Ajo ishte kënga që i sillte ndër mend çastet më të lumtura, dhe prapë ajo ishte kënga që i copëtonte zemrën, që e dëshpëronte dhe që nuk e linte të qetë…Por ajo shpresonte. Priste Neçon e saj….
***
Dhe një mbrëmje vjeshte, kur Lola kthehej e lodhur nga puna, u ndalua mu në hyrje të fshatit nga një vajzë e vogël.
-Sihariq! Sihariq!
-Ç’është? Ndonjë lajm…ndonjë letër?
-Erdhi? Gjallë… apo?
Dhe me shpirt të ndezur e me gjunjë të prerë deshi të vraponte, por nuk mundi… Përqafoi vashëzën:
-Do të të jap… do të të jap…, -por nuk fliste dot… Lotët nuk i mbajti dot… i rridhnin çurkë në faqet e saj të djegura nga dielli i Himarës.
Si në furtunë, kokulur, çantë njerëzit që kishte mbuluar oborrin e shtëpisë së saj. As dëgjonte se ç’i thoshin… Për çudi, nuk e vuri re as heshtjen që kishte pllakosur tërë ata fshatarë, që e shikonin Lolën me dhembje, sikur i qanin hallin. Shkarkoi barrën, dhe ashtu, si nëpër gjemba, kokulur, u ngjit shkallëve. Para i doli plaka. E përqafoi dhe me lot në ndër sy i tha:
-Erdhi, bijo… Erdhi… po…
-Po… si?
Si e shkalluar, si e zgjuar nga një gjumë i trubullt, hyri brenda. Dhe e pa Neçon e saj të shtrirë në shtrat. Me sy të përlotur, pa e dalluar mirë fytyrën e zverdhur dhe sytë e thelluar të burrit të saj, u gjunjëzua për ta përqafuar…
-Mos… mos më puth o “Vajza e Valave” -i tha, dhe kthehu kokën matanë, pa i përmbajtur lotët…
E mjera! E kuptoi se Neçoja i saj ishte verem! Heshti. Pastaj iu bë sikur dëgjoi këngën e saj të këndohej përjashta, në sheshin e Shën Mitrit, nga djemtë e lagjes… U trondit aq thellë, sa i ra në prehër Neços së saj duke thënë:
-Mirë se erdhe!- dhe e puthi fort mu në buzë…
1937
ObserverKult
Lexo edhe:
MARIN SORESKU: TË MË THUASH: “TË DUA”, GËZOHEM SI KALAMA…
Haj ta besojmë çdo gjë që themi.
Është një lojë shumë e bukur.
Ti të më thuash: “Të dua”
dhe unë të gëzohem si kalama,
si të më paskëshe dhuruar një biçak
me dorezë kocke.
Poezinë e plotë e gjeni KETU