ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar para pak kohe nga Shtëpia Botuese “Syth”.
———————————————————————-
Flasim përhanshëm me poeten Rita Petro
Nga: Xhemazije Rizvani
Rita Petro, e njohur gjithashtu edhe si Rita Filipi (13 mars 1962, Tiranë) është autore tekstesh shkollore dhe poete shqiptare.
Në vitin 1980-1984 ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Më 1993-1994 është specializuar në Universitetin e Athinës për Filozofi dhe Kulturë Greke. Që prej vitit 1985 deri në vitin 2000 ka punuar redaktore në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor. Në vitin 2000 bashkëthemelon me Latif Ajrullain shtëpinë botuese ALBAS, e njohur veçanërisht për botime shkollore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Preshevë, si dhe diasporë.
Ç’ka “amorale” poezia?
Pjesën e vet më të sinqertë, të shkruar në vetën e parë. Duam apo s’duam poeti i vërtetë guxon të futet në zonat më të errëta të vetevetes dhe si rrjedhim të qenies njerëzore.
Përse gjithë ai gjykim për Vrimën ?
Sepse jemi mësuar si shoqëri të gjykojmë: se: një femër nuk ka të drejtë të përmendi fjalë “të pista”; këto fjalë nuk janë të denja për poezinë; ende të flasësh e të shkruash hapur për seksin është tabu për shoqërinë tonë.
Ç’ka skandaloze bota ?
Fjalët nuk janë asnjëherë të pista apo të pastra; të ndershme apo skandaloze; mendimet po… janë ato të cilat damkosin sjellje apo veprime të caktuara.
Po turmat, çfarë kanë të frikshme?
Po të përgjigjem me vargjet e mia:
KËNGA E TURMËS
Këndova këngën tënde turmë,
Më shumë se këngën time,
Se gërmova aty thellë ku ti ke frikë të hysh nga
Manipulatorët.
Këndova në rreshtin e parë,
Por ti më vure para.
Të dua se je e vërtetë,
Je e përlyer, erëdjersë, erëhashash kundërmon,
Je ndjellëse, gojëpisët, e marrë, budallaqe,
Kokëkrisur, zemërplagë, gojështhurur,
Zëfortë, potente, vullkan, e pandalshme…
T’u dhashë ty trup e shpirt,
Po në vend të dashurisë
Më qëllove me baltë, gurë, mutra të tharë
Me gjithçka që të dilte përpara
Se në dorë t’i jepnin manipulatorët,
Dhe, kur u largova prej teje, më deshe prapë,
Se ç’kuptim do kishte jeta jote pa mua,
E imja jo e jo pa ty.
Dhe ja ku më ke,
Lakuriq para teje kam vendosur të jem,
Duke kënduar bukurinë e frikës nga mëkati
Kundër frikës që na mban mbërthyer në vend.
A mund të jetoni pa poezi ?
Besoj se po, pa dashuri s’do mundja kurrë.
Cila është prova më e madhe se ekziston?
Kur mezi pres të vijë mëngjesi, pasi kam plot e përplot gjëra të vyera për të bërë, që lidhen me punën dhe marrëdhëniet e mia me njerëzit e tjerë.
Si duket parajsa e mohuar mbi dhe?
Si një zonë e mrekullueshme, por e ndaluar.
Po të përgjigjem me vargjet e mia:
Dhe…?
Çfarë bëre pastaj? E kapërceve gardhin?
Ç’pyetje koti! Edhe tela me korrent po të ishin, do ta kapërceja.
…
I lejoj gjembat të më ngulen në trup
Më shijon ajo dhimbje
Dhe gjaku që bulçet prej tyre
Tashmë jam në
ZONËN E NDALUAR TË DASHURISË…
Pa cilet poetë shqiptarë nuk mund ta mendoni letërsinë?
Migjeni, Poradeci, Camaj nga tradita… por dhe disa të tjerë pas tyre dhe pas viteve ’90.
Cili libër ka lënë gjurmë në jetën tuaj?
Libri i madh i përrallave… e gdhija duke i lexuar dhe i rilexuar. Dhe gjithë jetën time të keqen e kam parë si kuçedër me shtatë koka, të mirën si hirushen e bukur po aq punëtore e të mençur, trimërinë si më i vogli djalë që kalon tërë pengesat, fisnikërinë si djali i princit aq modest e zemërgjerë.
Sa herë në jetë të ka kushtuar shtrenjtë e vërteta?
Përherë dhe përherë ia kam dalë mbanë.
Cili vend është i bërë për ty?
Tirana siç duket hahaha.
Ç’do të thotë guxim për ty?
Të marrësh parasysh sakrificat.
Përse incesti është kaq “tabu” në botën shqiptare?
A ka gjë më të mrekullueshme se thithja e qumështit nga thithka e nënës për foshnjën? A i marrim njohuritë dhe ndjesitë e para sensuale në familje? A nuk ka një lidhje të veçantë mes nënës dhe birit dhe mes babait dhe vajzës? Të gjitha këto jane biologjike e normale. Anormal është veprimi, dhuna që mund të ndodhë në një realitet ku fëmija është viktima e dhunës seksuale të prindit. Kjo është e tmerrshme dhe duhet të veprojë ligji apo shteti të ketë rregullatorët e vet.
Ç’ju mban të re?
Puna, dashuria për njerëzit, intimiteti me partnerin, seksi… jam e hapur ndaj provokimit … me një fjalë nuk ndalem së qeni aktive në çdo minutë të ditës.
Ç’ka të jashtëzakonshme një grua poete?
Asgjë nga gratë e tjera që e shohin jetën po aq me imagjinatë e entuziazëm si ajo, ndonëse kanë profesion tjetër.
Pa cilat “mëkate” s’jeton dot?
Pa mëkatin “e tradhtisë” nëse më mungon dashuria. Përndryshe nuk njoh dikë tjetër më besnik se veten… hahaha.
Kush nuk është Rita Petro?
Hipokrite.
Cila është lutja jote më e madhe?
O zot na merr me radhë!
Muret dhe prangat ç’meritojnë?
Shkatërrim me themel.
Kush je ti ?
Ritushka që refuzon të rritet kur duan t’i kujtojnë se është një grua në moshë, serioze, me një status në shoqëri./ ObserverKult