Pier Paolo Pasolini: Ja pse duhet të vdesim…

Nga: Pier Paolo Pasolini

Derisa nuk kam vdekur, askush nuk mund të garantojë që më ka njohur vërtet, domethënë t’i japë kuptim veprimit tim, i cili për rrjedhojë, si çast gjuhësor, është i vështirë për t’u deshifruar.

Prandaj është absolutisht e nevojshme të vdesim, sepse, për sa kohë jemi gjallë, na mungon kuptimi dhe gjuha e jetës sonë (me të cilën ne shprehemi dhe për këtë arsye i kushtojmë rëndësinë më të madhe) është e papërkthyeshme: një kaos i mundësisë, një kërkim për marrëdhënie dhe kuptime të pandërprera.

Vdekja kryen një montazh rrufe të shpejtë të jetës sonë: d.m.th., ajo zgjedh momentet e saja vërtet domethënëse (dhe jo më të modifikueshme nga momente të tjera të mundshme të kundërta ose të paqëndrueshme), dhe i vendos ato në vazhdimësi, duke e bërë të tashmen tonë të pafundme, të paqëndrueshme dhe të pasigurt, pra të papërshkrueshme nga ana gjuhësore, një e kaluar e qartë, e qëndrueshme, e sigurt, prandaj edhe gjuhësisht e përshkrueshme…

Vetëm falë vdekjes, jeta jonë na shërben për t’u shprehur”.

Në shqip: Leonora Buçinca

ObserverKult


Lexo edhe:

PIER PAOLO PASOLINI: GJË S’KAM BËRË PËRVEÇ QË KAM VUAJTUR…

Në Romë që nga vitet pesëdhjetë deri më sot, gusht ‘66
Gjë s’kam bërë përveç që kam vuajtur dhe kam punuar gopçarçe.
Mbas atij viti papunësie dhe i dhashë fund asaj jete
jepja mësim në një shkollë të vogël private
për njëzet e shtatë dollarë në muaj.
Në ndërkohë babai im na u ribashku
dhe kurrë nuk folëm mbi arratinë tonë,
times dhe të nënës.
Ishte vaki e rëndomtë, transferim në dy faza.
Jetonim në një shtëpi pa kulm, pa suva,
shtëpi e varfanjakëve në skaj të periferisë së qytetit,
bash afër një burgu.
Verës zonë e stuhisë së pluhurit, dimrit ligatishtë –
Ama ishte Itali, Itali lakuriqe dhe gëluese,
me djemtë e saj, me femrat e veta,
me erën e saj të jaseminit dhe me supa sa për ta mbajtur shpirtin
gjallë e për gazep,
perëndimet e diellit në fushat e Anienes, turra mbeturinash –
dhe sa më përkiste mua, poezia dhe ëndrrat më mbetën të paprekura.
Në poezi, kisha zgjidhje për gjithçka.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult