Fotografi Pierre-Kastriot Jashari, ka lindur dhe jeton në Biel, Zvicër. Në punimet e tij, Jashari ka si fokus portrete dhe peizazhe që luajnë në mënyrë delikate me dritën dhe hijen, si dhe jetën e përditshme të rinisë multikulturore në qytetin ku ushtron aktivitet.
Artisti i ri tregon rreth karrierës, jetës dhe për vlerësimin me çmimin e parë në festivalin e fotografisë të Kantonit të Bernës. Ekspozita ku ai doli fitues, do të ketë prezantimin më datë 25 dhe 26 shtator, si pjesë e Bienales “Bieler Fototage” në Gjenevë.
“Ka qenë garë për një çmim për të realizuar një projekt në një regjion afër Biel dhe duhet të dërgojmë së pari një foto dhe të prezantojmë idenë e projektit. Unë jam zgjedhur për të realizuar projektin dhe ekspozitën. Në Gjenevë gjithashtu kam për të treguar punimin por dhe këtu”, tha Kastrioti.
Ai u shpreh se u intereson që fotografinë ta trajtojë si dokumentar e duke folur për projektin e fundit tha se tenton të mposhtë imazhin nacionalist që kanë zviceranët duke dhënë mesazhin se rinia e sotme është e gjithëkujt.
“Në çdo projekt që kam bërë, më intereson ta trajtoj fotografinë si dokumentar. Kam qejf të punoj me personalitete që janë pak si të margjinalizuar. Në këtë projekt kam punuar me të rinj që kanë prejardhje të ndryshme që jetojnë në një vend të Zvicrës që me imazhin që kanë zviceranët për atë vend është nacionalist. Doja të kundërshtoja këtë mendim dhe të them se rinia e sotme është e gjithkujt dhe jo imazhi siç e kanë zviceranët”, – shprehet artisti i talentuar./diasporashqiptare.al