Piktori dhe karikaturisti, Agim Sulaj, jeton dhe ushtron aktivitetin e tij në Rimini, Itali. Artisti shqiptar numëron me dhjetëra çmime ndërkombëtare, për kompozimet dhe projektet.
Së fundmi, Sulaj është vlerësuar me vendin e dytë në kategorinë e vizatimeve humoristike, në ceremoninë e “World Press Cartoon” të zhvilluar në Portugali.
Agim Sulaj në moshën 19-vjeçare fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universitetin e Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon në revistën “Hosteni” , e vetmja revistë satirike e kohës.
Në vitin 1990 në Ankara të Turqisë me veprën e tij “Valixhja e emigrantit” punim i vitit 1989, fiton çmimin special në “Aydin Dogan International Cartoon Competition”. Në vitin 1992 hap një ekspozitë në Rimini e në vitin 1993 një tjetër në provincën e Brindisit. Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në provincën e Riminit. Fillimisht vetëm, e më pas tërheq familjen.
Në qendër të punëve të tij mbeten temat shoqërore, shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në “karikaturizimin e personit”. Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo bartësit.
Ndonëse jeton në Rimini, në Tiranë ka blerë një galeri ku ekspozon gjithnjë veprat e veta, transmeton ‘diasporashqiptare.al’.
Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg.